Hadi Osmani: 27 prilli 2017, ditëlindja e Maqedonisë moderne

Shkruan: Hadi Osmani
Liria fitohet me gjak. Është kjo një thënie e kamotshme tek thuajse të gjithë popujt. Maqedonia kaloi një tranzicion mëse 25 vjeçar e udhëhequr nga elita të ndryshme politike. Gjatë dy dekadave me vendin komandonte krimi. Aq shumë u shtua zullumi, burgjet u mbushën plotë, ndërsa mijëra të tjerë braktisën vendin. Erdhi momenti historik kur përballë krimit u barikaduan vizionarët dhe gjenerata e re e politikës. Njerëz të dëshmuar në profesionet e tyre dhe jo dështak të kriminalizuar.

Kjo betejë ishte e rëndë, aq e rëndë saqë më 27 prill u desh të derdhet edhe gjak. Por fatmirësisht ky gjak tanimë nuk ishte fatal dhe nuk solli viktima, por shpërlau Maqedoninë nga krimi dhe kriminelët. Fati edhe më i madh ishte që gjak nuk derdhën qytetarët atë natë por pasojat i mbartën vetë politikanët. Edhe pse edhe nga këta të fundit ishin ata që më së paku kishin faj. Sakrifica e Zoran Zaevit, deputetëve të LSDM-së dhe ajo e Ziadin Selës i solli realisht Maqedonisë një shpresë të re. Mbi të gjitha u ndanë rrugët që duhej te zgjidhnin qytetarët nga ajo natë. Duhej të rreshtoheshin kah krimi apo kah shpresa dhe ardhmëria. Në fakt atë natë të gjithë përveç VMRO-së ishin të rrezikuar, por pas asaj nate askush më përveç VMRO-së dhe bashkëpunëtorëve të tyre nuk duhet të frikësohet. 27 prilli nxori në shesh njerëzit që e duan këtë vend dhe ata që ishin të gatshëm t’ia vendosin flakën. Unë isha nga ata që shpresuan dhe luftuan për këtë ditë kur mund të flasim për ardhmëri, ekonomi, perspektivë, integrime dhe të ardhme më të mirë.

Unë jam krenar që isha nga ata që vendosëm themelet e Maqedonisë moderne. Edhe pse sot ai zgjodhi të jetë në opozitë, kjo është krejt e natyrshme dhe normale në politikë, Ziadin Sela ashtu si edhe Muhamed Zeqiri e shqiptarë të tjerë dëshmuan një fakt më të rëndësishëm.

Dëshmuan se ky shtet nuk rrezikohet por ndërtohet dhe mbrohet nga shqiptarët. Sot kemi kohë të flasim për koncepte dhe ide, te flasim e të përplasemi. Por e gjithë kjo ndodh në liri. Pas 27 prillit mund të ndahemi në koncepte politike dhe ideologjike, por askush tanimë s’duhet të frikësohet e as të mbështetet tek krimi dhe kriminelët. Atë natë u demantuan ata që thanë se shqiptarët rrezikojnë Maqedoninë. Në fakt, ata e rrezikuan shtetin, kurse shqiptarët e mbrojtën me maturi dhe vizion.

Kryeministri Zoran Zaev theu të gjitha tabutë dhe emëroi një shqiptar për kryetarë Kuvendi për te dëshmuar se edhe ai si maqedonasit dhe qytetarët e tjerë mund dhe dëshiron ta mbrojë Maqedoninë. Të gjitha këto përpjekje dhe veprime dhanë rezultate. Sot Maqedonia flet për integrime euro atlantike.

Loading...