Besoj në referendum të suksesshëm dhe supozoj se do të merrni ftesë nga NATO-ja në samitin e ardhshëm, tha eurokomisari për Zgjerim Johanes Han në intervistë për Top tema të televizionit Telma.

Sipas Han, me vendimin e marrë dje, është e qartë se bisedimet do të fillojnë, por Maqedonia, duke filluar nga sot, për një vit duhet të ketë disa reforma.

“Kjo është detyrë e qartë, perspektivë dhe çmim i madh për arritjet e javëve të fundit. Duhet të kuptojmë se në afat prej një viti duhet të ketë disa reforma”, theksoi eurokomisari.

Vendimi është sjellë në nivel evropian dhe nuk ka diskutime të mëtutjeshme në Këshillin Evropian.

“Puna është përfunduar, njerëzit në vend mund të mbështeten në këtë rezultat. Tani duhet të fillojmë t’i përgatisim bisedimet”, tha Han, duke theksuar se prioritet gjatë skriningut do të vendoset në sundimin e së drejtës dhe lirisë së mediave.

Në lidhje me kundërshtimin e Francës, Han theksoi se shumica e anëtarëve të BE-së mezi priten që të fillojnë bisedimet, duke e pranuar përparimin e Maqedonisë.

“Disa ishin skeptikë, por jo kundër. Është e rëndësishme që shumica ishin “pro”. Të tjerët kishin shqetësime, por kjo nuk ishte diçka që nuk mund të zgjidhet, që nuk është e jashtëzakonshme për BE-në duke pas parasysh se ka 28 anëtare dhe gjithashtu mendime aq të ndryshme”, sqaroi Han dhe shtoi se secili vend anëtar i BE-së ka të drejtë të vendos veto gjatë procesit për anëtarësim.

Vlerësimi i eurokomisarit është se qytetarët e Maqedonisë kanë të drejtë të marrin të ardhme më të mirë dhe më dinjitoze. Tani me të vërtetë mund të punojmë në këtë. Pas gjithë këtyre viteve dhe problemeve, shteti sheh drejt së ardhmes më të ndritur, përfundoi Johanes Han.

Loading...