Komisionari i BE-së për Zgjerim, Johanes Hahn, ka thënë se çfarëdo zgjidhje që arrihet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk duhet që ta cenojë stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Megjithatë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hahn nuk ka refuzuar propozimin për shkëmbim të territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ide kjo mjaft e diskutuar ditët e fundit.
“Mendoj se kjo duhet t’u lihet atyre, lë ta diskutojnë atë. Ata e dinë shumë qartë se cilat janë kornizat tona. Unë jam në favor të zgjidhjes së çdo konflikti dypalësh, por secila zgjidhje duhet të kontribuojë në stabilitetin e rajonit dhe më gjerë. Zgjidhja e cila do të arrihet nuk duhet të shkojë në dëm të të tjerëve”, ka thënë Hahn.
I pyetur rreth këtyre kornizave të BE-së, Hahn ka thënë se ajo ka të bëjë me çështjen e cenimit të sigurisë .
“Që të ketë më shumë stabilitet në rajon, sepse në fund të fundit qëllimi i gjithë kësaj marrëveshjeje është që të dyja vendet të anëtarësohen në BE”, ka thënë Hahn.
Komisioneri Hahn thotë që është herët të flitet për shkëmbime të territoreve pasi që kjo mund të ketë një ndikim negative në Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoni dhe vende tjera.
“Ata ende po negociojnë. Disa ide kanë dalë. Le të shkojmë me negociata të më tejshme dhe t’i përshtatim mirë idetë. Konsideroj se një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbajë dhe disa element shtesë, dhe pastaj shohim idetë përfundimtare. Por unë mendoj se të dyja palët janë plotësisht të vetëdijshme për çështjet ndërkombëtare, dhe besoj se brenda këtyre kufizimeve ka mundësi të shumta për zgjidhje” , ka thënë Hahn, njofton Gazeta Express.
I pyetur nëse marrëveshja do të arrihet deri në fund të tetorit, Hahn thotë se një gjë e tillë nuk duhet të bëhet për shkak se i përfundon mandate Komisionit Evropian, por se do të jetë e dobishme edhe në qoftë se përfundon deri në vitin e ardhshëm.

Loading...