Kosovë-Shqipëri
11/11/2015 01:28:26

Hakerat bullgarë vjedhin 215.000 euro nga kompania e ilaçeve në Tiranë

ilace_108993485
Kompania farmaceutike në Tiranë mashtrohet nga hakerat bullgarë, të cilët përfituan nga neglizhenca e financieres, duke vjedhur 215.000 euro.

Një ditë më parë në Policinë e Tiranës u bë një kallëzim penal nga kompania në Tiranë, për të cilën ka nisur hetimi edhe nga ana e Interpolit.

Kallëzimi u bë nga vetë financierja, e cila ishte personi që bëri transfertën e parave.

Ishte një e-mail i mbërritur në zyrën e financës që njoftonte financieren L.T, për një pagesë që kompania shqiptare duhet të bënte në një llogari bankare në Sofje të Bullgarisë.

Kjo pagesë është kryer me anë të transaksionit online nga llogaritë bankare të kompanisë në drejtim të një banke në Bullgari. Pa kaluar shumë kohë nga bërja e pagesës është kuptuar dhe vjedhja, pasi firmës shqiptare nuk i rezultonte një borxh i tillë apo porosi e bërë nga ndonjë grosist në Bullgari.

Ky kallëzim i është referuar dhe sektorit të krimeve kompjuterike në Prokurorinë e Tiranës të cilët tashmë kanë nisur letërporosi drejt Bullgarisë për të identifikuar personat që kanë tërhequr shumë prej 215 mijë euro.

To Top