Lewis Hamilton me Mercedes ka siguruar “pole position” në pistën e Spa, aty ku ditën e diel do të zhvillohet gara e Çmimit të Madh të belgjikës në Formula 1. Sesioni i tretë dhe i fundit i provave zyrtare përmbysi dominimin e Ferrarit, pasi shiu që ra gjatë minutave të fundit ndryshoi strategjitë e skuadrave dhe planet e tyre. “Kokëkuqja”, që pat dominuar dy sesionet e para me Kimi Raikkonen dhe Sebastian Vettel, u detyrua të dorëzohet në sesionin e fundit. Gjithsesi, piloti gjerman Vettel u rendit i dyti dhe do ta nisë garën nesër nga vija e parë, në krah të rivalit Hamilton.

12 minutat e fundit të provave zyrtare u kthyen në një llotari për pilotët, pasi shiu që nisi në momentin që makinat zbritën në pistë përmbysi planet. Pilotët u rikthyen në pistë, por ishin të pavendosur për gomat që do të montonin. Pista nisi të thahej në minutat e fundit, aty ku Hamilton përfitoi me makinën Mercedes, duke ndalur kronometrin në 1’58”179.

Formula 1

@F1

BREAKING: Lewis Hamilton will start Sunday’s Belgian Grand Prix from POLE! 🇧🇪

Vettel u detyrua të kënaqej me vendin e dytë, por surprizë është vija e dytë e nisjes, me dy makinat Force India që u renditën në vendet 3-4. I treti u rendit francezi Esteban Ocon, që la pas shokun e tij të skuadrës, meksikanin Sergio Perez. Më pas u rendit Romain Grosjean me Haas dhe Kimi raikkonen me Ferrari, ndërsa në vendet 7-8 u klasifikuan dy makinat Red Bull, me Max Verstappen e Daniel Ricciardo. Në “top-10” hynë edhe Kevin magnusen me Has e Valtteri Bottas me Mercedes, por ky i fundit do ta nisë garën nga vendet e fundit, për shkak të penalizimit.

Në përfundim të sesionit të parë u eliminuan Sainz (Renault), Alonso (McLaren), Sirotkin (Williams), Stroll (Williamns) dhe Vandoorne (Alonso), ndërkohë që kohën më të shpejtë e realizoi Kimi Raikkonen me Ferrari. Ndërsa në mbyllje të sesonit të dytë të provave zyrtare u eliminuan Gasly (Toro Rosso), Hartley (Toro Rosso), Leclerc (Sauber), Eriksson (Sauber) dhe Hulkenberg (Renault). Kohën më të shpejtë në këtë sesion e dha Sebastian Vettel me Ferrari, që vendosi edhe rekord për pistën (1’41”501).

Loading...