Hapja e kufirit Bellanoc-Stançiq, Qeveria e Kosovës pa sqarime konkrete

Edhe pse përgjegjësia për hapjen e kufirit Bellanocë-Stançiq që ndan shtetin tonë me atë të Kosovës i mbeti palës kosovare, nga atje nuk ka sqarime konkrete. Zv/kryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj premtoi se kjo pikë kufitare së shpejti do finalizohet, pa përcaktuar afat kohor.

“Presim që të përfundojnë punimet dhe presim që të bëhet funksionale. Mesa e di unë një pjesë e madhe e punëve janë kryer – tha Enver Hoxhaj, zv/ kryeministër i Kosovës.

Megjithë paqartësinë rreth kësaj pike kufitare dhe stërzgjatjes së projektit, Zv/kryeministri i Kosovës Hoxhaj, për një të ardhme të afërt, paralajmëroi një vendkalim tjetër kufitar me Maqedoninë.

“Ndoshta në të ardhmen do mendojmë a duhet të ketë edhe ndonjë pikë kufitare në mes të Tetovës dhe Prizrenit – tha Enver Hoxhaj, zv/ kryeministër i Kosovës.

Këto komente u bënë gjatë vizitës zyrtare të zv/ kryeministrit të Kosovës Hoxhaj në Shkup ku u takua me zv/ kryeministrin Bujar Osmani. Palët u deklaruan edhe rreth hetimit ndërkombëtar për grupin e Kumanovës për të cilin thonë se nuk kanë detaje. Mbledhja e përbashkët e dy qeverive Shkup-Prishtinë, pritet të mbahet në muajin mars./Alsat-M

Loading...