Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim Ambasadorin e Irlandës në Hungari, i ngarkuar për Kosovën, Patrick Kelly, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike dhe ekonomike në Kosovë dhe rajon.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka falënderuar Ambasadorin Kelly për mbështetjen që Republika e Irlandës, i ka dhënë dhe vazhdon t’i jap Kosovës, duke kërkuar edhe më tej këtë mbështetje në forcimin dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.

Haradinaj e ka njoftuar ambasadorin Kelly për progresin e Kosovës dhe për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në plotësimin e agjendës së reformave evropiane, zhvillimin ekonomik dhe orientimin euroatlantik të saj.

“Fuqizimi i marrëdhënieve bilaterale në të gjitha fushat ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Irlandës është i rëndësishëm, veçmas në atë të ekonomisë dhe të sigurisë”, tha kryeministri Haradinaj.

Nga ana e tij, Ambasadori i Irlandës në Hungari, i ngarkuar për Kosovën, Patrick Kelly, ka vlerësuar raportet e mira ndërmjet dy vendeve, duke premtuar vazhdimin dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale në të mirë të dy vendeve dhe popujve tanë. /Telegrafi/

Loading...