Haradinaj: Jemi të vendosur, nuk do të ndalemi

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se përkundër zhvillimeve të fundit në vend, ky subjekt politik nuk do të ndalet dhe se sipas tij, do të vazhdohet edhe më tutje me qëndrimet e njëjta të opozitës.

Haradinaj ka thënë se dita e djeshme ishte një ditë shumë e rëndë dhe se situatat e fundit, e kanë sjellë vendin në një gjendje kritike.

Ai ka thënë se opozita nuk do të tërhiqet nga qëndrimet e saj deri në tërheqjen e marrëveshjeve.

“ Nyja është kështu, çdo zhvillim tjetër çka merret dhe këto dy marrëveshje nuk mund të kalojnë. Sepse krejt Kosova është kundër këtyre marrëveshjeve. Aksioni i Policisë që ka ndodh në “Vetëvendosje”, është i papranueshëm. Dialogu është i mirëseardhur. Marrëveshjet duhet të ndalohen. Si opozitë jemi të gatshëm që të flasim me pozitën, vetëm nëse i largojnë këto marrëveshje.  Nuk është vetëm opozita kundër kësaj marrëveshje, por edhe shoqëria civile dhe shumica e qytetarëve.  Jemi të vendosur që nuk do të heqim dorë dhe nuk do ta lejojmë asnjë seancë në Kuvend.  Nuk lavdërohemi me gazin lotsjellës që po e qesim, por nuk kemi mënyra tjera”, ka thënë Haradinaj, raporton “Zëri”.

Haradinaj po ashtu paralajmëroi se manifestimi i ardhshëm i opozitës kundër marrëveshjes së Asociacionit dhe të Demarkacionit me Malin e Zi do të vazhdoj edhe në qytetet e tjera të Kosovës. Ai ka thënë se të shtunën një manifestim i tillë do të mbahet në qytetin e Gjakovës.

E shefi i grupit parlamentar të këtij subjekti politik, Pal Lekaj, ka thënë se suspendimi i opozitës është jashtë rregullores së Kuvendit.

“Sa i përket suspendimit të opozitës është jashtë rregullores së Kuvendit. Ai vendim duhet të prezantohet në Kuvend. Këtë gjë e kanë bërë në vitet ’80, në kohën e Millosheviqit. Ne jemi të vendosur që të vazhdojmë kundër kësaj marrëveshje”, ka thënë Lekaj.

Loading...