Haradinaj: Opozita është e bashkuar, protesta javën e ardhshme (Video)

(E plotësuar) Protesta e opozitës e cila ishte paraparë të mbahej sot dhe e cila u anulua dje nga tri partitë opozitare, do të mbahet javën e ardhshme. Kështu ka deklaruar i pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ishte i vetmi nga tri partitë opozitare që dëshironte që protesta e 26 marsit të mbahej.

Përçarjen e folur ndaj partive opozitare nuk e ka pranuar i pari i AAK-së, Haradinaj, i cili tha se mes tyre ka dallime, dhe se Aleanca ka qëndrimet e saj por do të dakordohen me partitë e tjera dhe së bashku do të vazhdojnë rrugën e kundërshtimit të dy marrëveshjeve, atë të Asociacionit me shumicën e komunave serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi.

Këto deklarata Haradinaj i bërë para mbledhjes urgjentë me Këshillin e Përgjithshëm të AAK-së, kryetarët e degëve dhe strukturat drejtuese të kësaj partie.

Mbledhja urgjente e AAK-së, erdhi një ditë pas anulimit të protestës opozitare, në të cilën mbledhje do të bëhet një analizë e kundërshtimit opozitarë të deri tashëm, ku gjithashtu do të vendosin për hapat e ardhshëm të rritjes së këtij kundërshtimi, dhe mobilizimin e qytetarëve për protestën e radhës.

Haradinaj: Protesta e radhës, javën e ardhshme

“Ne kemi qenë për me mbajt protestën dje, edhe e kemi menduar që duhet me u mbajt, mirëpo ka pas një hezitim për shumë rrethana, kemi rënë dakord me shty, po quhet anulim, por nuk është anulim, është shtyrje për një afat kohor rreth një javë …Jemi të vendosur për të vazhduar këtë kundërshtim opozitarë, me rrit, kuptohet çdoherë me përgjegjësinë më të madhe me ruajt Kosovën, pra kundërshtimi opozitarë me qenë proces përmes të cilit ndryshimet ndodhin, por pa dëme që janë të pariparueshme për vendin tonë”, tha Haradinaj.

I pyetur nga gazetarët se rrugën e kundërshtimit a do ta vazhdojë vetëm si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës apo në bashkëpunim me Vetëvendosjen dhe Nismën për Kosovën, ai thekson që janë bashkë në kundërshtimin e temave që e rrezikojnë Kosovën, edhe përkundër dallimeve që kanë tri partitë subjekte t politike.

Haradinaj: Kemi dallime por do të dakordohemi për qëndrimet tona

“Do ta vazhdojmë bashkë por kemi dallime, nganjëherë nëse dallimet janë parë më shumë ose më pak por me të vërtetë jemi tri subjekte politike. Aleanca partneritetin e ka të ndërtuar mbi këtë bazë, ka qëndrimet e veta të cilat në rast se dakordohemi me partitë tjera opozitare, atëherë i kthejmë të përbashkëta sa ashtu si i mirëpresim qëndrimet e përbashkëta, pra, jemi tri subjekte politike, kemi dallime tona por jemi bashkë në kundërshtimin e atyre temave të cilat e kanë rrezikuar Kosovën”, është shprehur Haradinaj.

Ndërsa lidhur me deklaratën e djeshme ndaj liderit tëpartisë më të madhe opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ku kishte reaguar shefi i Grupit Parlamentar i VV, Glauk Konjufca, duke thënë se Haradinaj ka fyer edhe deputetët e parisë së tij, ai tha se nëse ka ofenduar dikë, ata nuk janë deputetët e AAK-së.

Sipas tij, nuk kanë qenë deputetët e AAK-së që janë tërhequr zvarrë nga salla e Kuvendit.

Haradinaj: Askush nga Aleanca nuk është ngreh zhag

“Atë që nuk e kam bërë unë është që unë nuk kam pasur dëshirë që me ardh me u shtri në parlament dhe me më kap dikush, në rast se kam ofenduar dikë nuk janë të Aleancës, se nuk i ka ndodhur askujt nga Aleanca për me ardh me ngre zhag dikush prej salle, deputetët e Aleancës janë lajmëruar vetë te prokurori, te polici për çdo gjë që ka pas nevojë, asnjë nuk ka ikur dhe ai nuk e ka vlerësuar drejtë. Tani pse e kam thënë unë këtë, e kam thënë sepse ne kemi dallime. Për mua nuk është kontribut për Kosovën, me ardh dikush në parlament e me ngreh mua jashtë”, ka theksuar i pari i AAK-së Haradinaj.

Dy ditë më parë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është larguar shefja e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Donika Kadaj-Bujupi, arsyet e së cilës kryetari Haradinaj ka thënë që nuk i di, vetëm se largimin e saj nga partia e ka mësuar përmes njoftimit në media.

Haradinaj: Ja kur do të mbahet protesta

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se po bëjnë përgatitjet për protestën që do të mbahet javën e ardhshme.

Haradinaj i bëri këto komente në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Përgjithshëm dhe e kryetarëve të Degëve të AAK-së, ku Haradinaj tha se pikë të rendit të ditës kanë edhe zhvillimet e fundit në vend.

Loading...