Haradinaj për vrasjen e Ivanoviqit: Serbia të mos e përdorë për bllokimin e bisedimeve

Kryeministri Ramush Haradinaj ka dënuar vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq sot në Veri të Mitrovicës, ndërsa thotë se autoritetet kosovare do të bëjnë çfarë kanë në dorë për zbardhjen e kësaj vrasjeje. Për Haradinajn është e palogjikshme që Serbia ta bllokojë dialogun dhe vrasja e sotme të përdoret për politika ditore.

“Vrasja e Oliver Ivanoviqit në rrethana të pasqaruara dhe motive të panjohura, është akt kriminal dhe i dënueshëm”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ekipi negociues nga Kosova dhe ai nga Serbia po qëndrojnë në Bruksel për të vazhduar dialogun. Me t’u vrarë Ivanoviq, Serbia u tërhoq nga bisedimet e planifikuara të mbahen këto ditë.

Sipas kryeministrit, shfrytëzimi i këtij akti tragjik për qëllime të politikës ditore, madje edhe për të bllokuar proceset që për qëllim kanë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, është kundër logjikës dhe frymës së bashkëpunimit.

Kosova mbetet e përkushtuar për krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e saj, si dhe e përcaktuar fuqishëm në rrugën e vet euro-atlantike.

Institucionet tona do të bëjnë krejt çka është në dorën e tyre që të zbardhet kjo vrasje, dhe në asnjë situatë nuk do ta pranojnë logjikën e kalkulimit të akteve kriminale për qëllime politike nga kushdo qoftë!

Mëngjesin e sotëm, Ivanoviq po shkonte në zyrën e tij, kur u sulmua nga një makinë në lëvizje. Ishin katër plumba fatalë për kreun e iniciativës qytetare SDP në Veri.

Derisa po transportohej për në spital, Ivanoviq nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra. Në sallën e operacionit ai u fut pa shenja jete. /Express/

Loading...