Hasi i ofron dy shqiptar tek Olympiakosi

Olympiacosi merr dy futbollistë të Shqipërisë. Bëhet fjalë për sulmuesin 16-vjeçar, Emiljano Bullari dhe mesfushorin 17-vjeçar, Rezart Rama, të cilët kanë nënshkruar vetëm pak ditë më parë kontrata afatgjata me Olympiacosin.

Mediat greke i kanë bërë një jehonë të madhe lajmit për zyrtarizimin e dy shqiptarëve, për më tepër që vetë Olympiacosin e drejton Besnik Hasi, një ish-kapiten i kuqezinjve. Veçanërisht gazetat helene janë marrë me qendërsulmuesin Bullari, i cili ka vendosur një rekord në historinë e klubit.

Për transferimet e bujshme ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport” agjenti Angjelos Veizi, i cili është shqiptar dhe prej vitesh punon për transferimin e lojtarëve të talentuar kuqezi te klubi më i madh grek. “Bullari është vetëm 16 vjeç dhe firmosi si profesionist te skuadra e parë e Olympiacosit, duke thyer një rekord si më i riu në historinë e klubit.

Ai është gjithashtu kapiten i Kombëtares U-17 të Shqipërisë dhe ka një të ardhme të ndritur. Stafi teknik, me në krye Besnik Hasin, e pëlqejnë shumë Bullarin.

Gjithashtu, një tjetër lojtar që ka firmosur me Olympiacosin është Rezart Rama. Bëhet fjalë për një 17- vjeçar që luan si qendërmbrojtës dhe mesfushor shkatërrues. Rama është pjesë e Kombëtares U-19 të drejtuar nga Bogdani, ndërsa mban edhe shiritin e kapitenit. Bullari dhe Rama janë talente që shumë shpejt do të shpërthejnë tek Olympiacosi”, tregon Veizi për gazetën. Bullari është pjesë e akademisë së klubit grek që prej vitit 2015, ndërsa Rama ka qenë me grupmoshat e Olimpiakosit që në 2012-ën. Pas shpërthimit të tyre, drejtuesit vendosën të nënshkruajnë kontrata.

Gjatë muajit të kaluar, pjesë e Olympiacosit është bërë edhe mesfushori 15- vjeçar shqiptar, Renild Kasemi. Tashmë mbetet për t’u parë se kur do t’u vijë shansi talenteve shqiptare për të debutuar me ekipin e parë grekë .

Loading...