Heronjtë e Kukësit, triumfatorë në Gjykatë!

Me pranga në duar, por kryelartë protestuesit e arrestuar të Kukësit janë kthyer në heronj për shkak të revoltës së tyre ndaj oligarkisë në pushtet. Ata janë shfaqur sot në gjykatë dinjitozë si ditën kur i vunë flakën kabinave të taksës së urrejtjes së qeverisë ndaj izolimit të Veriut dhe bashkimit fizik me Kosovën. Ndonëse me pranga, ata kanë ngritur duart lart në shenjë triumfi në drejtim të qytetarëve që i ndiqnin. Buzëqeshja në fytyrat e tyre ishte tregues i qartë se ata nuk dorëzohen lehtë dhe se janë pikërisht ata të arrestuesit fituesit e vërtetë të betejës së parë me oligarkinë në pushtet. 11 protestuesit e Kukësit, me pranga në duar dhe nën masa të rrepta sigurie, kanë dalë para gjykatës së Apelit në Shkodër. Ata mbahen në burg vetëm pse paraditen e 31 marsit protestuan tek tuneli i Kalimashit kundër tarifës në Rrugën e Kombit.
Ndërsa pritet vendimi i gjykatës, pas apelimit të vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila nga 23 vendime, 11 prej tyre la në “arrest me burg”, ka nisur të tensionohet situata jashtë godinës së Gjykatës së Apelit.
“Çfarë krimi kanë bërë këta?!” ngre pyetjen deputeti në videon që e ka publikuar me shënimin:
“11 bij nënash të vuajtur që luftojnë për mbijetesë në burg, qindra maskarenj që shkatërrojnë Shqipërinë dhe qytetarët bëjnë moral me miliona euro në xhep dhe me jetët e shqiptarëve në shpinë!”

Avokatët paraqesin shkelje të reja, trupa gjykuese i hedh poshtë
Avokatët kanë paraqitur prova të reja për të vërtetuar se klientët e tyre, 11 protestuesit kuksianë janë arrestuar dhe po mbahen në burg padrejtësisht.
Gjatë seancës që po zhvillohet që prej orës 11.00 në Gjykatën e Apelit në Shkodër, avokatët kanë kërkuar lirimin e menjëhershme të protestuesve, pasi sipas tyre arrestimi i tyre është bërë pa patur urdhër-arreste dhe se janë transferuar pa patur më parë një urdhër ligjor.
Procesverbalet e kontrollit e ndalimit kanë vetëm datë dhe nuk është e qartë se kur janë ndaluar të dyshuarit. Policia i mori me forcë mëngjesin e 1 prillit në Kukës dhe janë sjellë më pas në Tiran. Mungon vendimi për transferimin e çështjes dhe policia i ka rrëmbyer në banesa pa patur urdhër-ndalime. Për kto arsye arrestimi i tyre është i paligjshëm dhe kërkojmë lirimin e menjëhershëm”, janë shprehur avokatët në seancën e sotme, ku po kërkohet apelimi i vendimit të Gjykatës së Tiranës, duke lënë 11 nga 23 të arrestuarit në “arrest me burg”.
Po ashtu, avokatët kanë paraqitur edhe prova filmike nga dita e protestës, referuar mediave, por nuk janë pranuar nga trupa gjykuese.
Seanca gjyqësore vijon ende. Trupa gjykuese përbëhet nga; Astrit Kalaja, Hajrie Mulmataj dhe Vojsava Osmanaj. Prokurorë janë Elvin Gogaj dhe Brahim Ndragjoshi, ndërsa kërkojnë që 11 protestuesit të qëndrojnë në burg./RilindjaDemokratike

Loading...