Po bëhen gati një muaj që kur Policia e Kosovës gjatë një patrullimi kishte gjetur armë pa leje e drogë në veturën që ishte duke u vozitur nga djali i një prej njerëzve kryesorë të sigurisë në vend, Shpend Maxhunit. Ngjarja ishte mbajtur e fshehtë për publikun nga Policia, për t’u publikuar vetëm kur një i afërm i familjes Maxhuni kishte shkuar për ta marrë përgjegjësinë për armën. E për këtë punë, nga Prokuroria e Kosovës thonë se nuk ka asgjë të re dhe se hetimet janë duke vazhduar. Nga prokuroria deklarojnë se Kallëzimi Penal për këtë çështje tashmë gjendet në duart e tyre.
Prokuroria e shtetit ende nuk ka dalë më asnjë deklaratë rreth procesit të hetimeve për djalin e kreut të AKI’së, Shpend Maxhunit, të cilit më 12 tetor të këtij viti në veturë iu gjet armë pa leje e drogë. Vetura në fjalë është në pronësi të Enver Maxhunit.

Hetimet për këtë punë janë duke vazhduar. Por, organet e hetuesisë kosovare ende nuk kanë nisur që t’i ri intervistojnë djalin e Shpend Maxhunit si dhe dy personat e tjerë që kanë qenë në veturë me të. Ani se prokuroria kishte deklaruar se po e shqyrtojnë mundësinë për ri intervistim.

E lëndën e këtij rasti, rishtas e ka marrë prokurorja Arbreshë Shala. Kështu ka thënë për Express, zëvendës kryeprokurori në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha.

“Lënda është në procedurë. Rasti tashmë është tek ne. Lënda si e tillë i është ndarë prokurores Arbresha Shala. Ne jemi në fazën e hetimeve. Kallëzimi Penal tashmë është në duart tona”, ka deklaruar Berisha.

Për këtë punë tashmë janë intervistuar disa katër zyrtarë policorë nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës.

Hetimi ndaj katër zyrtarëve policorë ka nisur të hënën e kaluar. Të njëjtëve u janë konfiskuar telefonat. Tutje IPK ka kërkuar nga Departamenti i IT’ve emrat e policëve që janë futur në sistem për të kontrolluar “historinë” e Shpëtim Maxhunit. Një tjetër pistë që është duke e hetuar Policia e Kosovës, sipas informatave të gazetës, janë kamerat brenda objektit.

Loading...