Fushëbetejat e Hakerëve, armët, motivet dhe aleancat
"Sulmohet ueb-faqja e EULEX-it: “Liri për çlirimtarët", "Laptopët në pronësi të zyrtarëve të Komisionit Evropian (KE) u goditën nga hakerët, gjatë një konference të mbajtur në Azerbajxhan ", "Hakerë kosovarë janë bërë pjesë e sulmeve online kundër Izraelit", “Hakerët maqedonas ua kthyen atyre grek”, “Hakerët kosovarë e sulmuan Ivanovin”, " Hakerët sllovakë plaçkitin TEB in në Kosovë "… - këta janë disa nga titujt që bëjnë fjalë për hakerët, për veprimtarinë e tyre, për sigurinë dhe privatësinë tonë në internet. Këto akte, në shumicën e rasteve, përbëjnë “internet luftën” e paramenduar në mes hakerëve nacionalistë të cilët “rrëzojnë” faqe të institucioneve qeveritare. Në këto raste, hakerët "nacionalistë" veprojnë të bashkuar. Ata pra luftojnë mes vete, si në një luftë të vërtetë, në botën e tyre virtuale, me mjetet që kanë në dorë, për të shkatërruar sistemin tonë të informimit, të të dhënave, të parave, të privatësisë. Krejt kjo, medoemos do ketë ndikim edhe jashtë fushës së tyre virtuale.
Hakerët, ky term i përdorur në informatikë, janë disa persona të cilët kanë ose mund të kenë qasje në sistemet kompjuterike të huaja, duke thyer sistemet e tyre të sigurisë. Ne kemi dëgjuar për hakerët kur është bërë fjalë për "hakimin", marrjen nën kontroll të faqeve zyrtare të agjencive të lajmeve, zyrave qeveritare apo institucioneve bankare. Duke u bërë gjithmonë e më të varur nga interneti dhe gjithmonë e më të preokupuar me të, kohës së fundit, kemi filluar të preokupohemi edhe për aspektin e sigurisë në faqet tona dhe privatësinë tonë, të cenuar nga këta persona. Kjo na bën të jemi më të vëmendshëm dhe më të interesuar për këtë lloj të veprimeve, edhe pse jo në të gjitha rastet ne mund të jemi të sulmuar nga hakerët - përderisa nuk u kemi dhënë atyre një motiv që ta bëjnë këtë. Kështu na thotë një nga hakerët, i cili në botën virtuale njihet me pseudonimin "Demi PrinCe".
"Zakonisht kur sulmohen faqet, hakerët lënë një porosi për motivin e sulmit. Përmbajtja mund të jetë ngacmuese, një lloj shantazhi për ndonjë shërbim, për premtimin që s'e ka realizuar pronari i faqes ose edhe në rastet e sulmeve për motive kombëtare, në të cilën luftë hakerët veprojnë në grupe, ata lënë simbole kombëtare ose porosi me këtë përmbajtje". Kur është fjala për sulmet private, kjo është më pak e mundshme për shkak të mungesës së motivit, pasi kjo nuk përbën ndonjë interes për ta. Madje, ai thotë se ka pasur shumë raste kur ka ndihmuar rikthimin dhe mirëmbajtjen e faqeve si të shumë VIP personave dhe të agjencive të ndryshme të lajmeve.
Ata, hakerët, të cilët mund të gjenden dhe të identifikohen shumë rrallë, mund edhe të na ndihmojnë të rikthejmë llogaritë tona të thyera, të shpërndajmë faqet tona, të shtojmë anëtarë në to, të shtojmë klikime dhe të ndryshojmë numrin e statistikave në postimet tona, sikur gjoja ato janë shikuar nga mijëra vizitorë. Kjo për rastet kur kompani komerciale, mediale, shoqata apo grupime të ndryshme qoftë edhe politike, duan të propagandojnë sikur kanë shumë përkrahës, dhe të shesin produktet e tyre a të përfitojnë edhe më shumë përkrahës në emër të kësaj.
Në një rast, kur faqet shtetërore të Republikës së Maqedonisë, po sulmoheshin nga hakerët shqiptarë, një ekspert sigurie, që quhej Predrag Tasevski, një magjistër për siguri informatike dhe themelues i Cybersecurity.mk., deklaronte se "asnjë faqe nuk mundet të jetë e sigurtë 100%".
"Faqet e organizatave qeveritare janë shumë të hapura për sulme të hakerëve për shkak të mbrojtjes jo adekuate të vet serverëve dhe ueb aplikacioneve të cilat i shfrytëzojnë ato. Platformat e paazhurmuara dhe aplikacionet, fjalkalimet e kapshme etj. - janë vetëm fazat fillestare në të cilat duhet të kushtuar vëmendje më e madhe si dhe instalimi i sistemeve monitoruese për detektimin e sulmeve (IDS/IPS).”, thoshte ai për IT.com.mk, më 31 tetor 2012.
"Por sulmet në shumë raste mund të ndodhin edhe në bashkëpunim me mbajtësit e faqeve zyrtare të cilët lidhen me grupe të hakerëve të cilët ua kalojnë të dhënat e nevojshme atyre, dhe pastaj ata e kanë më të lehtë që ta thyejnë atë faqe. "Ka shumë që mbiquhen hakerë tek ne, por pak që e meritojnë këtë titull me të vërtetë" - deklaron një nga ta, "Demi PrinCe", të cilin e kontaktuam për këtë artikull. "Thyerja e një faqeje megjithatë nuk është gjë e lehtë". Këtë e vërteton fakti, që Izraeli njoftoi se , që kur Izraeli filloi sulmet në Gaza, ishin bërë 44 milionë përpjekje nga hakerët për të thyer faqet qeveritare të internetit.
Rasti më i freskët se ku takohemi me veprimtarinë e hakerëve, janë ueb faqet e ndryshme me titujt bombastikë të cilët na shfaqen në murin tonë në faqen e Facebook, klikimi i të cilave shton LIKE në një faqe tjetër, tek e cila ka orientuar këtë lidhje paraprakisht një haker. Sa herë që klikon atë lajm, në faqen tjetër shtohen përkrahjet e tipit "LIKE". Ka shumë raste edhe kur ju jeni anëtar në një faqe, edhe pse s'ju kujtohet që më parë të keni bërë "LIKE" me vetëdijen tuaj. "Këto janë gracka hakerësh", thotë "Demi PrinCe".



Facebook
Furl
Digg
Myspace
Windows Live
Yahoo MyWeb
Publikoni komentin tuaj