Më 19 Tetor 2018, të Premten, ndërroi jetë në New York zonja Zyrafete Osmani me prejardhje nga Kosova.
Vdekja e zonjës Zyrafete la në pikëllim të thellë: Bashkëshortin- Osmanin, vajzat; Burbuqe, Luljeta Valbona dhe Valerijen si dhe nipa e mbesa. Varrimi i së ndjerës u bë më 22 tetor 2018 në New York. Në varrimin e saj mori pjesë edhe Hillary Clinton, bashkëshortja e ish presidentit amerikan Bill Klinton, e cila edhe vetë ishte kandidate presidenciale, transmeton Gazeta Lajm.
Lidhur me vdekjen e zonjës Zyrafete Osmani dhe varrimit të saj, në kolumnën e tij të fundit shkruan edhe Veton Surroi.

Varrimi në New York

Veton Surroi
Problemi me të cilin ende nuk janë ballafaquar është njohuria se kemi hyrë në një fazë demografike kur më jo vetëm se nga Kosova po largohen, jo vetëm se nuk e kanë ndërmend të kthehen së shpejti, por tashmë kosovarët nuk po mendojnë as të kthehen e të varrosen në të.
1.
Në varrimin e Zyrafete Osmanit kishin ardhur njerëz që i njihja prej kohësh.
Një numër i madh sish kishin ardhur për Zyrafeten, një grua bujare të cilën çdonjëri prej atyre që merrnin pjesë në varrim e mbanin mend, fillimisht prej buzëqeshjes që mbante edhe në sy, që nga takimi i parë e përcjellë në të gjitha të tjerat. E mbanin mend edhe si grua që kishte namin gjithandej të ishte aty për të zgjidhur çdo nevojë që lindte brenda familjes së madhe Osmani, që dikur jetonte në bashkësi, në shtëpi të madhe, me katër vëllezër e katër nuse – fejesa e martesa, lindje fëmijësh dhe përgatitje të tyre për në shkollë, mortet e pashmangshme dhe të pamet për to – dhe, për më tepër, për të zgjidhur edhe probleme të miqve të familjes Osmani kur kërkonin ndihmë.
Një numër i madh sish kishin ardhur edhe për burrin e saj Osmanin, që, siç qe rasti me mua, kishin pasur fatin e një miqësie të hershme. Në mesin e atyre që kishin ardhur për të treguar respekt për Zyrafeten dhe familjen Osmani qe edhe Hillary Clinton, ish-sekretarja e Shtetit. Një ditë më herët e kishte thirrur në telefon Osmanin komshiu i tij, burri i zonjës Hillary, ish-presidenti Bill Clinton, për të shprehur ngushëllimet dhe për të treguar se gjendet jashtë qytetit e nuk mund të vijë në varrim.
Në mesin e atyre që pashë në varrim ishin njerëzit që takoja prej kohësh, qëkur Osmani dhe shokët e tij themeluan Lobin shqiptaro-amerikan dhe krijuan urën kyç lidhëse mes lëvizjes demokratike në Kosovë dhe administratës amerikane. Ishin njerëz që punonin në punët e tyre të përditshme – ndërtimtari, mirëmbajtje ndërtesash, shërbime në restorante e piceri – për të mbajtur gjallë jo vetëm familjet e tyre, por edhe idenë se në Kosovë do të fitojë liria.
Varrimi u bë në Mount Kisco, një qytezë e vogël afër New Yorkut, qytetit ku është e vendosur familja tashmë për gjysmë shekulli. Familja kishte vendosur, kur ishin vënë në shitje parcelat, të blinte dhjetë sish në varrezat e kësaj qyteze. Në këto varreza të hënën u hap dhe u mbyll varri i tretë i familjes.
2.
Pjesëmarrja ime qe simbol i thjeshtë i një momenti kthese sociale e demografike. Në fund të shekullit XX vëllezërve Osmani u kishte vdekur nëna dhe me mund të madh e kishin sjellë kufomën që të varrosej në Kosovë. Në fillim të shekullit XXI tashmë kishin vendosur që të vdekurit të varroseshin në Amerikë, aty ku kishte lindur gjenerata e re e familjes. Në vitet që vijnë pjesëmarrja në varrime do të bëhet në Prishtinë e Drenas, Gjakovë e Gjilan, por gjithnjë e më shumë edhe në New York e Detroit, Stockholm e Sidney, ndoshta edhe Zurich e Dusseldorf.
Tashmë kemi të bëjmë me komunitete të shqiptarëve të Kosovës, që prej fundit të luftës më 1999 kanë vendosur që të mos jenë komunitete që qëndrojnë me një këmbë të gatshme për t’u kthyer në atdhe. Tashmë kemi të bëjmë me komunitete që janë të vendosura që me të dyja këmbët të qëndrojnë në atdheun e tyre të ri.
Dhe kjo nuk vlen vetëm për Amerikën, vendin ku prej ditës së parë të qëndrimit çdo imigrant shndërrohet në amerikan. Kjo vlen për një vend evropian ku të quhesh “gjerman” kërkon më shumë mund dhe kohë. Në Gjermani sot jetojnë 470 mijë shqiptarë të Kosovës, që përbën përqendrimin më të madh të shqiptarëve kosovarë jashtë vendit. Për një vend, i cili sot ka zyrtarisht gati 1.8 milionë banorë, numri i kosovarëve të Gjermanisë tregon dimensionin dramatik të shpërpjesëtimit: sot është tërë një Kosovë jashtë Kosovës, familje të tëra që po integrohen në shtetet e Evropës Perëndimore, të Amerikës Veriore dhe të Australisë, dhe që jo vetëm se do të qëndrojnë e zhvillohen aty, por do të tërheqin individë e familje të tjera.
Njëri prej motiveve shtytëse për një zhvillim të këtillë, si zakonisht, merret fakti se Kosova dhe Gjermania janë në garë të pabarabartë për vende pune. Sipas këtij interpretimi, Kosova nuk mund të sigurojë aq vende pune sa mund ta bëjë Gjermania. Kjo është më se e vërtetë. Por harrohet edhe një e vërtetë tjetër se që të gjithë të punësuarit kosovarë në Gjermani janë në sektorin privat. Kosova thjesht nuk prodhon vende pune në sektorin privat, sepse pushteti është i përqendruar në favorizimin e feudeve të veta, në masë të madhe nëpërmjet punësimit në sektorin publik dhe nxjerrjes së përfitimeve nga paraja publike.
Në garë me Kosovën nuk janë vetëm shtetet që kanë ekonomi më të zhvilluara e që kështu tërheqin kosovarët me vende pune. Në garë është Kosova me veten: një shtet i kapur prej një elite të kriminalizuar nuk e ka kund në 100 vendet e para të përparësive të veta hapjen e vendeve të reja të punës në sektorin privat. Si përparësi ka, sa i përket punësimit, privatizimin e vendeve të punës në sektorin publik.
3.
Kosova ka mbërritur tashmë në një pikë ku nuk është vështirë të parashikohet zvogëlimi i vendit. Për shembull, një vend si Gjermania me 470 mijë kosovarë do të importojë më shumë kosovarë. Numri që është atje shërben, me rrjetet e familjeve të mëdha, si platformë për sistemimin fillestar të gjermanëve të rinj kosovarë, të cilët do të mbërrijnë për t’u punësuar e integruar në ekonominë në rritje. Me apo pa liberalizim vizash, do të gjendet rruga për të dalë prej dhunimit social që ushtrohet nga kapësit e shtetit në Kosovë me parulla për integrim evropian dhe në vend të rreshtimit partiak për të marrë një rrogë në sektorin publik do të përzgjidhet rrugëtimi drejt integrimit evropian, me këmbë, duke shkuar në Gjermani.
Njëkohësisht, Kosova ka mbërritur shkallën e lindshmërisë të riprodhimit të thjeshtë. Pra, nuk do të ketë më shumë fëmijë sesa për ta mbajtur popullsinë në numrin në të cilin është. Kështu, për dallim prej të kaluarës, kur vendi kishte lindshmëri aq të lartë saqë sado të largoheshin të rinjtë numri i popullatës rritej, tash Kosova është në fazën ku çdo i ri që largohet e zvogëlon numrin e përgjithshëm të banorëve, dhe, për më tepër, zvogëlon edhe shkallën e lindshmërisë në të ardhmen.
Kosovarët u befasuan kur në regjistrimin e fundit të popullatës në vend të 2.1 milionë banorëve dolën të jenë më pak se 1.8. Në dhjetë vjetët e ardhshëm nuk do të shërbente si kurrfarë befasie nëse numri mbërrin 1.5 milionë banorë. Do të ketë më pak njerëz të aftë për punë, rrjedhimisht më pak aftësi për ta zhvilluar vendin, rrjedhimisht më shumë shtytje për ikje nga vendi, rrjedhimisht zvogëlim të mëtejmë.
4.
Ndoshta pushteti nuk mërzitet tani për një kësi zhvillimi. Modeli ekonomik (dhe i sundimit, rrjedhimisht) në Kosovë është i thjeshtë. Produkti kryesor i eksportit janë njerëzit të cilët, të punësuar në sektorin privat në Perëndim, dërgojnë para mbrapa që mbajnë një ekonomi të çalë e dënuese për sektorin privat, në mënyrë që pushteti të administrojë lirshëm dhe pa përgjegjësi me paranë publike.
Me këso logjike, sa më shumë njerëz të largohen, aq më shumë para vijnë mbrapa. Me këso logjike, nuk është me rëndësi as fakti se ata që do të largohen do të jenë infermieret, muratorët me përvojë dhe njohësit e teknologjisë informative; në Kosovë për këto pushtete nuk ka rëndësi cilësia e shërbimeve publike e as rritja e sektorit privat.
Por, problemi me të cilin ende nuk janë ballafaquar është njohuria se kemi hyrë në një fazë demografike kur më jo vetëm se nga Kosova po largohen, jo vetëm se nuk e kanë ndërmend të kthehen së shpejti, por tashmë kosovarët nuk po mendojnë as të kthehen e të varrosen në të.
Kësaj gjendjeje ende nuk i është gjetur emri.

Loading...