Himarë: Sekuestrohet plazhi me vlerë 9 milionë euro i 100-vjeçarit

Një hapësirë toke prej 45 hektarësh në plazhin e Llamanit, me vlerë 9 milionë euro, është sekuestruar dje nga Prokuroria e Vlorës, pasi pronari i saj 100-vjeçar dyshohet se ka falsifikuar dokumentet e pronësisë. Për këtë çështje, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, kishte kërkuar inspektim për gjyqtarin Astrit Shema që i kaloi tokën e bregdetit si kullotë shtetasit Jani Qirici.
Skandali i plazhit

Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se në Hipotekën e Vlorës, në emër të shtetasit Jani Qirici, i datëlindjes 1915, është regjistruar një pronë në regjistrin hipotekor në datën 3 shkurt 2015. Sipas prokurorisë, vendimi i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë, është marrë pa u bazuar në ndonjë dokument konkret pronësie. Nga administrimi i dosjes gjyqësore, rezulton se paditësi Jani Qirici e ka justifikuar pronësinë e tij me disa dokumente. Ndër to përmendet vendimi i 9 korrikut 1998 i Gjykatës së Vlorës, me anë të të cilit është vendosur vërtetimi i faktit juridik të pronësisë për shtetasin Jani Qirici. Prokuroria thotë se në bazë të nenit 193 të Kodit Civil, vendimet gjyqësore për vërtetimin e faktit juridik nuk mundet që të regjistrohen dhe si rrjedhim nuk mundet që të shërbëjnë si titull pronësie. Më tej, 100-vjeçari kishte paraqitur një dokument “Vërtetim”, i shkruar me shkrim dore, i nënshkruar nga shtetasi Anesti Dhimojani, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Himarës, datë 4 qershor 1998, sipas të cilit shtetasi Jani Qirici ka pronësinë e kullotës së hedhur në skicë. Një tjetër dokument “Vërtetim” që ai ka paraqitur është më 7 korrik 1998, i nënshkruar nga shtetasi Anesti Dhimojani në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Himarës, sipas të cilit shtetasi Jani Qirici ka pasur në pronësi sipërfaqen kullotë prej 29.28 ha. Në këtë dokument përshkruhet se ky vërtetim bazohet në pretendimin e kërkuesit dhe të ish-pronarëve kufizues, të cilët kanë nënshkruar procesverbalin e mbajtur për këtë qëllim. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se dy vërtetimet e përshkruara si më sipër janë përdorur nga shtetasi Jani Qirici edhe në gjykimin e zhvilluar në vitin 1998, me objekt vërtetimi i faktit juridik. Po kështu, dy dokumentet e mësipërme janë depozituar në vitin 2014 dhe në Hipotekën e Vlorës, me qëllim për të justifikuar kryerjen e regjistrimit në regjistrin hipotekor. Prokuroria thotë se gjatë hetimeve paraprake është kërkuar informacion nga Bashkia e Himarës lidhur me përmbajtjen e dy vërtetimeve, si dhe dokumentacionit shoqërues të tyre, procesverbalet përkatëse të mbajtur, ku këto dy vërtetime nuk përmbajnë numra protokolli apo datë protokolli të Bashkisë së Himarës. Me një shkresë të 2 nëntorit 2015 të Bashkisë së Himarës, prokuroria është informuar se në arshivën e kësaj bashkie nuk gjendet asnjë dokument që të konfirmojë përmbajtjen e dy vërtetimeve të mësipërme, apo ndonjë procesverbal të mbajtur. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se në dosjen gjyqësore është i administruar edhe një dokument “Vërtetim” i 29 qershorit 1998, i Këshillit të Rrethit Vlorë, sipas të cilit rezulton se në emër të shtetasit Jani Qirici nuk ka të regjistruar prona në Himarë në formën e kullotave, sipas dokumenteve të vjetra. Në përfundim të hetimeve, prokuroria thotë se të dyja janë dokumente të falsifikuar në përmbajtjen e tyre.

Sekuestroja dhe gjyqtari

Pasuria e paluajtshme e llojit kullotë me sipërfaqe 29.28 ha, në zonën me emër “Sinavar” 6.44 ha, “Agrimith” 8.24 ha, “Skllavarozhe” 12.4 ha dhe “Llogar” 2.2 ha, dyshohet se përbën produkt të veprës penale “falsifikimi i dokumenteve”. Kështu, Gjykata e Vlorës, me vendimin e datës 6 nëntor 2015, mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” lidhur me sipërfaqen e tokës prej 29.28 ha, në Himarë, e regjistruar në regjistrin hipotekor në emër të shtetasit Jani Qirici. Pasuria është e regjistruar si tokë kullotë, por ndodhet në vijën bregdetare duke u kufizuar me detin dhe një pjesë e saj shfrytëzohet për qëllime tregtare. Çmimi në atë zonë është 4350 lekë për m² (31 euro) dhe vlera e kësaj pasurie të paluajtshme është në total në masën 9 milionë e 76 mijë e 800 euro. Gjykatësi Astrit Shema ka dhënë vendimin në favor të kërkuesit, duke i dhënë pronën 100-vjeçarit. Për të gjitha veprimet në lidhje me dosjen e tjetërsimit të kësaj prone më 22 prill 2015, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, kërkoi të inspektoheshin procedurat e gjyqtarit Astrit Shema. Pak muaj më pas, më 25 shtator, Naço kërkoi shkarkimin e gjyqtarit për shkelje të rënda dhe mosrespektim ligji, por kjo kërkesë ende po shqyrtohet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Loading...