Njeriu që kishte dhënë gjithçka për Kosovën, Adem Demaçi, është varrosur të shtunën në Velani të Prishtinës. Kryemiftiu Naim Tërnava ia ka falur xhenazen atij duke u bazuar në ritet islame. Ndërkohë, sot, në Katedralen “Nëna Terezë” mbahet meshë për te. Demaçi sa ishte gjallë ishte përmendur se ka fe tjetër prej islamit. Madje, një hoxhë i pati kërkuar Demaçit të deklarohej se a ishte mysliman a jo. E Demaçi pati thënë se është mirë që së pari hoxha të deklarohet nëse është vërtetë mysliman për faktin se përzihet në çështje individuale të njerëzve.
Në janar të vitit 2013, Adem Demaçi pati nxitur debate kur në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës ishte nisur t’i vizitonte kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë.
Atëkohë, Demaçi kishte thënë se me këtë veprim po i tregonte botës për cilësitë e shqiptarëve si tolerantë dhe të gatshëm për bashkëjetesë me pjesëtarët e feve dhe komuniteteve tjera.
Madje, kishte thënë se krishtlindjet ortodokse janë edhe të shqiptarëve.
“Kjo është një iniciativë me të cilën dëshirojmë t’i tregojmë botës se ne jemi për bashkëjetesë edhe me serbët edhe me gjithë të tjerët. Unë në cilësinë e kryetarit të Lidhjes se Shkrimtarëve të Kosovës kam vendosur sot që t’i vizitojë kishat ortodokse në Prizren, Deçan dhe në Graçanicë për t’i uruar për këtë festë”, kishte thënë Demaçi, në Ditën e Krishtëlindjeve Ortodokse.
Pas kësaj, kishte pasur reagime lidhur me përkatësinë fetare të ikonës së shqiptarëve.
Një hoxhë nga Maqedonia, i pat kërkuar Demaçit të deklarohej lidhur me përkatësinë e tij fetare.
Atëkohë, Demaçi pati reaguar ndaj kësaj kërkesë të hoxhës, duke pyetur nëse i njëjti prijës fetar është mysliman për faktin se po interesohet për çështje personale të njerëzve.
“Kush është ai që unë t’i deklarohem cilës fe i përkase a shkoj në xhami apo jo”, kishte Demaçi për Express.
“Ti qe po shkon në Xhami e që po u falshe, a je i sigurt që je mysliman edhe që i beson Zotit me të vërtetë”, i është drejtuar Demaçi hoxhës nga Maqedonia që mban ligjërata të shpeshta para xhematit të Kosovës.
Në anën tjetër, Demaçi ka qenë i ashpër me radikalizmit fetarë për të cilët kishte thënë se po financohen prej Serbisë.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Demaçi, në prill të vitit 2014, pati thënë se faji është te ndërkombëtarët që po i lejojnë fryma të tilla të vijnë në Kosovë.
Sidoqoftë, varrimi i Demaçit përveç me ceremoni shtetërore, u organizuar edhe një ceremoni e vogël fetare. Aty, Kryemyfiu i Kosovës, Naim Tërnava, ia ka falur xhenazen Demaçit sipas riteve fetare islame. Nuk dihet nëse Protokolli i Shteti ka paraparë një ceremoni të tillë. Afër myftiut nuk ishin as familjarët e ngushtë të Demaçit.
Në anën tjetër, sot, në Katedralen “Nëna Terezë” është duke u mbajtur një meshë për nder të Demaçit.

Loading...