I jepet lamtumira e fundit humanistit të madh, Sead Ajruli (VIDEO)

Mijëra qytetarë përcollën për në banesën e fundit teologun dhe humanistin e madh, Sead Ajrulin, i cili ndërroi jetë të martën. Me pikëllim në zemër dhe lot në sy, familjarët, miqtë, nxënësit dhe persona të shumtë që kishin njohur hoxhën Sead, i thanë lamtumirën e fundit, duke ndjerë zbrazëtinë nga humbja e një njeriu që gjithnjë i kishte mbushur me optimizëm.

Ashtu edhe siç ishte paralajmëruar nga familjarët, i ndjeri është varrosur në varrezat e fshatit Kamjan, ndërsa namazi i xhenazes i është falur në shtëpinë e tij. Në mesin e të pranishmëve, kishte edhe shumë hoxhallarë nga Maqedonia dhe vendet e rajonit, ndërsa fjalim rasti kishte hoxha nga Prishtina, Husamedin Abazi. Përplot emocione, Abazi mezi arrinte të përfundonte fjalitë, me të cilat porosiste të gjithë ata që kanë ndjekur hoxhën Sead, të vazhdojnë rrugëtimin të cilin e ndoqi i ndjeri.

HUSAMEDIN ABAZI, HOXHË NGA PRISHTINA: “Këta lot, dëshmojnë para fjalëve tona, se me kë kemi pasur të bëjmë. Zakonisht ndoshta është traditë që të themi fjalë të mira kur përcjellim njerëz, por vërtetë nganjëherë fjalët nuk kanë mundësi të përshkruajnë disa njerëz, të vlerësojnë kontributin e tyre, punën e tyre, aktivizimin që e kanë pasur, optimizmin që e kanë mbjellë tek ata që i ka lënë pas vetes, edhe te ata që i kanë pasur më të ri, po edhe te ata që kanë qenë më të vjetër. Edhe te ata që i kanë llogaritur nganjëherë edhe si mësues të tyre. Mendoj se prej tyre ka qenë rahmetliu. Nxënësit e tij, që jo të paktë janë sot këtu me ne, vërtetë kanë pasur fatin çfarë mësuesi kanë pasur”.

Hoxhë Husamedin Abazi gjithashtu tha se aktivistët e ndryshëm nga lëmitë e shumta të veprimit të Sead Ajrulit, janë ndarë nga një njeri që ishte inspirim i fuqishëm dhe optimist i madh, por u shpreh i bindur se mundi i të ndjerit do të vazhdojë të materializohet brenda edhe në të ardhmen.

HUSAMEDIN ABAZI, HOXHË NGA PRISHTINA: “E kanë pasur një hoxhë, një model, një aktivist i cili vërtetë kurrë nuk ka ditur për pesimizëm. Vazhdimisht ka mbjellë optimizëm, vazhdimisht ka shikuar përpara. Ka punuar për një të ardhme më të ndritur të kombit. Për një të ardhme për të cilën kanë punuar shumë para nesh, edhe para rahmetliut. Për një të ardhme për të cilën të gjithë e ëndërrojmë, dhe kemi të drejtë ta ëndërrojmë, por për të cilën jo të gjithë sa duhet jemi duke punuar”.

I pikëlluar nga ndarja me Sead Ajrulin ishte edhe Myftiu i Tetovës, Qani Nesimi, i cili tha se duke marrë parasysh numrin e madh të të pranishmëve, jo vetëm jeta, por edhe vdekja e humanistit Sead Ajruli është shndërruar në një këshillë për njerëzit.

QANI NESIMI, MYFTI I TETOVËS: “Po e përcjellim një njeri që të gjithëve na dhimbet dhe nga djeg në shpirt. E kemi shok, e kemi mësues, e kemi familje, e kemi vëlla, e kemi bir, e kemi xhemat, e kemi mualim, çfarëdo dimensioni që ta kemi, kjo është një nasihat në vete që i lë ky moment i vdekjes, që ne të gjithë duhet të mendojmë: edhe neve kur do të na vijë momenti i vdekjes, athua vallë kështu do t’ju japim një nasihat njerëzve që do të jetojnë pas nesh”.

Sead Ajruli ndërroi jetë të martën në orët e paradites, pasi nuk u mbijetoi lëndimeve të marra nga një aksident rrugor që ndodhi më 15 gusht në Greqi.

Ai lindi më 17 dhjetor të vitit 1974 në fshatin Kamjan të rrethinës së Tetovës. Shkollimin e mesëm e ndoqi në medresenë “Isa Beu” në Shkup, për të vazhduar pastaj studimet në Arabinë Saudite, në fakultetin “Al-Imam” në Riad, të cilin e përfundoi në vitin 2005. Pas përfundimit të studimeve, u kthye në vendlindje për të filluar kontributin e tij për vendin dhe shoqërinë. Së bashku me teologë dhe shokë të tjerë, ai u aktivizua në Shoqatën Kulturore “Vizioni M”, ku jepte kontributin e tij të çmuar në edukimin e gjeneratave të reja. Ajruli njashtu ishte i inkuadruar edhe në aktivitetet humanitare të Organizatës Kulturore Humanitare “Merhamet”, duke u shtrirë dorën skamnorëve dhe nevojtarëve të rajonit të Pollogut dhe më gjerë. Përgjatë kësaj periudhe Sead Ajruli kreu edhe studimet e magjistraturës në Universitetin Shtetëror të Tetovës, duke marrë titullin: “Magjistër i Gjuhës dhe Letërsisë Arabe”.

Në memoriet e nxënësve të tij, banorëve të fshatit Kamjan, por edhe të gjithë atyre që patën rastin ta njohin, Sead Ajruli gjithnjë do të mbetet shembull dhe burim frymëzimi, një njeri i devotshëm, por edhe i sinqertë, i përkushtuar në punë por edhe gazmor, pishtar ndriçues dhe kundërshtar i përbetuar i çfarëdolloj padrejtësie.

Abdulla Berisha /SHENJA/

Loading...