Gjykimin për rastin “Titanik2” e karakterizoi grindja mes prokurores Fatime Fetai dhe të akuzuarit Bedredin Ibrahimi të cilit të gjithë i kishin faj. Prokuroria po fshihte prova, gjykata ishte e njëanshme, ndërsa po aq të njëanshëm ishin edhe mediat që vraponin vetëm pas spektaklit, ose sjellje së Sasho Mijallkovit nga burgu me polici. Bedredin Ibrahimi dukshëm i nervozuar përsëriste ankesat e njëjta sikurse në seancat e kaluara, dhe ndaj kësaj reagoi prokurorja Fatime Fetai, që i kërkoi gjykatës të mos e lejojë Ibrahimit që ta harxhojë gjithë kohën e gjykimit me gjëra që përsëriten. Ky ishte momenti kur Ibrahimi shpërtheu ndaj prokurores duke i thënë se ajo nuk është mësuar të dëgjojë dikë tjetër të flasë, pos vetes.

Bedredin Ibrahimi, i akuzuar

“Nuk të pëlqen të dëgjosh dikë tjetër të flasë, pos vetes tëndë. Nuk keni punë me njeri nga rruga. Keni punë me një perfeksionist dhe detalist”

Fatime Fetai, prokurore

“Po, po. E pamë se sa detal jeni”

Bedredin Ibrahimi, i akuzuar

“Do e shihni, do e shihni. Ti po fsheh prova të këtij rasti”

Fatime Fetai, prokurore

“Nëse unë fsheh prova, atëherë i akuzuari mund të më paraqesë. Ekzistojnë mekanizma”

Pas nervozizmit të dukshëm të Ibrahimit, ai filloi të kthehet edhe kah gazetarët duke i gjykuar për këndin e tyre të interesit.

Bedredin Ibrahimi, i akuzuar

“U pa se çfarë u intereson gazetarëve, nga ajo se si vrapuan me kamerat e tyre që ta filmojnë zotëriun Mijallkov”

Kjo gjë që nuk është diçka e rrallë tek Ibrahimi. Ai edhe në të kaluarën shpesh ka qortuar gazetarët për shkak të ndonjë këndi të lajmit që e kanë marrë, pasi nuk e kanë dëgjuar sygjerimin e tij.

I akuzuari në këtë rast Sasho Mijallkov, e vonoi gjykimin e sotëm për një orë e 15 minuta, pasi policisë iu desh kohë që ta sjellë nga burgu i Shutkës, ku rifilloi të vuajë paraburim prej 30 ditësh, tani për rastin “Perandoria”. Mijalkov, si javën e kaluar ashtu dhe sot u sollën me një furgon për të dënuar, të shoqëruar nga tre automjete policore të mbushura me policë nga forcat speciale. Mijallkov në rastin “Titanik2”akuzohet se ka ndikuar në mënyrë të paligjshme në votimin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për zgjedhjet lokale të 2013-tës në Strumicë, ndërsa ish anëtarët e KSHZ-së nga PDSH dhe VMRO, akuzohen se kanë votuar për rivotim në Strumicë edhe pse nuk ka patur nevojë për një gjë të tillë dhe kjo nuk ka ndikuar në rezultatin final të zgjedhjeve në këtë qytet.

Loading...