Shkëndija, të shtunën (ora 17:00) , në Tetovë, në kuadrin e javës së parë të kampionatit të ri, e pret Vardarin e Shkupit.  Në prag të derbit të madh, ka folur për Lajm, sulmuesi më i rrezikshëm i kampionëve të vendit, Besart Ibraimi.

“Duke ditur që jemi në formë garuese shkaku i pjesëmarrjes në eliminatoret e Champions League, është e qartë se Shkëndija është e gatshme për fillimin e sezonit të ri. Nisim në shtëpi kundër Vardarit dhe në mes të paraqitjeve europiane të cilat si vendas i luajmë në Shkup, që nënkupton moment ideal për t’u takuar me publikun tonë në Tetovë. Premtojmë të japim më të mirën nga vetja për të kënaqur spektatorët e pranishëm dhe me një lojë cilësore të nisim sezonin e ri me fitore. Dihet se Shkëndija ka ambicie titullin e kampionit dhe tre pikët e para do të ishin udhërrëfim ideal për një tjetër kampanjë të suksesshme”, deklaroi Besart Ibraimi për gazetën Lajm.

 

Loading...