Ilaçet në listën pozitive, qytetarët: i gjejmë vetëm në fillim të muajit

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, procedura aktuale me të cilën shtohet apo zvogëlohet lista pozitive e ilaçeve, është joefikase. Deri më 10 qershor duhet të jetë gati propozim ligji për sigurim shëndetësor që do t’u mundësojë pacientëve të kenë qasje edhe deri tek ilaçet e tjera më të shtrenjta që aktualisht i blejnë vetë.

Që nga viti 2012, lista e ilaçeve vërtetohej nga 14 komisione të ndryshme të formuara nga Qeveria, një vendim që u arsyetua me faktin se 17 anëtarët e secilit prej këtyre komisioneve, që ishin mjekë specialistë në fushën e tyre, mund të përcaktonin më qartë se cilat ilaçe duhet të hynin në listën pozitive.

Këto komisione aktualisht nuk funksionojnë. Lista pozitive ka kohë që nuk është rinovuar dhe kjo shkakton probleme për pacientët.

Ata kërkojnë edhe që ilaçet me recetë të jenë në dispozicion të tyre gjithë muajin, e jo të mbarojnë si deri tani, në mes të muajit.

“Duhet me t’i paguajmë me para. Kur shkoj me recetë nuk ka, vetëm privat. Për djalin më duhet 2000 denarë, por nuk i japin me recetë”,- theksoi një qytetar.

“Privat, nuk i japin me recetë, se nuk ka. Ndonjë është ndonjë nuk është, i blejmë, po u fikëm, me një pension nuk mundemi edhe me i ble, por po i blej prej hallit”,- tha një qytetar.

“Më shumë me para, deri në të tretin apo katërtin ka, pastaj nuk ka”,- theksoi një qytetar.

“Ndonjëherë i gjejmë, ndonjëherë jo. Kur nuk i gjejmë me recetë, i marrim me para”,- tha një qytetar.

Me propozim-ndryshimet e reja, përzgjedhjen e ilaçeve që do të hyjnë në listën pozitive duhet ta bëjë vetëm një komision. Mjekët përshëndetësin thjeshtësimin e procedurës dhe shtimin e ilaçeve që mbulohen nga Fondi.

“Para dy muajsh realisht u bë një ndryshim i vogël në rritjen lineare të të gjitha barnatoreve për sasi prej 19 mijë denarëve për numrin e barnave që shkojnë në llogari të fondit, por kjo gjithsesi nuk mjafton dhe ka nevojë për korrigjime të vlerave të kuotave dhe analizave më të mira për këtë çështje. Në bashkëpunim mes Odës së mjekëve dhe Fondit Shëndetësor është duke u punuar në sistemin e recetës elektronike dhe në këtë mënyrë fillimisht do të kemi evidencë më të mirë të barnave dhe sasive që kanë nevojë qytetarët tanë”,- tha zëvendëskryetari i Oda e Mjekeve, Ilber Besimi.

Nga një prilli çmimet e ilaçeve janë zvogëluar dhe me kursimin prej 2.4 milionë euro në nivel vjetor, Ministria e Shëndetësisë parashikon zgjerimin e listës pozitive dhe mundësi për terapi të reja për pacientët. (Gyltene Sinani, TVM2)

Loading...