Xhamia e Re e Cërrikut në Elbasan bën pjesë në 5 xhamitë që janë jashtë juridiksionit të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Por imami nuk e pranon këtë etiketim. Sipas tij, Xhamia e Re e Cërrikut është objekt kulti i komunitetit mysliman brenda gjithë parimeve të islamit dhe ligjeve të shtetit shqiptar.

Dy minare të objektit lartësohen 63 m në pjesën perëndimore të qytetit, relativisht larg zonës së banuar. Aty ende punohet. Disa janë ustallarë, të tjerë besimtarë myslimanë që kontribuojnë për përfundimin e objektit.

Xhamia e Re e Cërrikut ende nuk ka përfunduar sipas projektit. Ajo është konceptuar të jetë një qendër kulturore fetare, ku veç riteve të faljes, do të shërbejë edhe si vend ku besimtarët mund të kalojnë kohën e lirë duke organizuar aktivitete dhe duke bashkëjetuar në mënyrë të kulturuar. Këndi i fëmijëve ka përfunduar dhe vazhdon të frekuentohet, raporton Shekulli.

Por për plotësimin e të gjitha ambienteve me pajisjet e planifikuara nevojitet ende punë. Xhamia e Cërrikut, ose më saktë qendra kulturore fetare është projektuar nga një inxhinier kosovar.

Xhamia ka një hapësirë të konsiderueshme, e konceptuar për t’i shërbyer në perspektivë komunitetit të zonës së Cërrikut. Ka përfunduar shtrimi i qilimave, vendosja e rafteve dhe mbushja me librin e Shenjtë të Kuranit. Por mbetet ende punë për krijimin e kushteve optimale për besimtarët.

Diku në kënd ndodhet një kuti ku hidhen kontributet. Ajo hapet me një komision të veçantë dhe gjithçka regjistrohet e më pas investohet për përfundimin e kompleksit. Gjithçka duket se është organizuar për të ndërtuar një objekt me vetë kontributet e besimtarëve, biznesmenëve, filantropëve, bamirësve që besojnë në islam.

Mësojmë se vetëm një nga biznesmenët e Cërrikut ka financuar 15 milion lekë. Këto ditë nuk kanë munguar edhe të “panjohur” që kanë frekuentuar xhaminë. Madje kanë tentuar tu japin edhe të holla në dorë drejtuesve por që më pas janë lutur që këtë kontribut ta hedhin në kutinë e posaçme.

Imami mban një emër “puro” shqiptar. Ai quhet Kreshnik, Kreshnik Çili! Ndërsa përfundon faljen bashkë me besimtarët e tjerë, tregohet mjaft i gatshëm dhe miqësor që të na japë shpjegimet që i kërkojmë. Sjell argumente se si ka nisur investimi, kujt i është trualli, kush financon, çfarë marrëdhëniesh kanë me Myftininë Elbasan dhe KMSH-në, si është konceptuar, çfarë ofron, nëse është një objekt brenda ligjit etj.

Ai gjithashtu tregohet i gatshëm të japë mendimet e tij rreth “konfliktit” të krijuar, se si është proceduar dhe si do veprojnë në të ardhmen, çfarë mendon për sulmet në Francë dhe rreth fenomenit ISIS, pse është krijuar një situatë e tillë në mbarë botën dhe cila është rruga e zgjidhjes. Kohë më parë nën kujdesin e ambasadës amerikane u organizua edhe një takim në Cërrik ku paneli mori shpjegimet rreth hamendësimeve të ngritura rreth kësaj xhamie dhe “radikalistëve” të Cërrikut.

Xhamia e Re e Cërrikut bën pjesë në 5 xhamitë që funksionojnë jashtë juridiksionit të KMSH-së. Pse ndodh një gjë e tillë?

Çili: E vërteta është e tillë; fillimisht janë marrë firmat e banorëve dhe besimtarëve të këtij qyteti. Janë mbi 500 firma të cilat i kemi dorëzuar te bashkia dhe më pas është miratuar ndërtimi i saj e tani ndodhet në legalizim e sipër.

Po përse KMSH ju cilëson jashtë juridiksionit? Cila është procedura e përzgjedhjes së imamëve?

Çili: Realisht jemi ne iniciatorët që i kërkojmë bashkëpunim si Myftinisë Elbasan ashtu edhe KMSH-së. Fillimisht ata e pranuan këtë bashkëpunim. Tani u kemi bërë ftesë për inaugurim dhe ata na kanë premtuar se do të vijnë. Ne jemi të hapur për gjithçka.

A e pranoni ju rregulloren e KMSH-së?

Çili: Ne nuk dalim jashtë kësaj rregulloreje që na përket ne.

A frekuentohet xhamia nga besimtarë?

Çili: Po. Në fakt nuk kemi të bëjmë thjesht me një xhami. Kjo është një qendër kulturore e cila përfshin edhe xhaminë në përbërje të saj. Akoma nuk ka përfunduar e aktualisht ne praktikojmë vetëm faljen e Namazit.

Kur pritet të merrni pronësinë mbi këtë objekt?

Çili: Ne ndodhemi në pritje. Varet kur përfundojnë. Ne kemi vepruar konform gjithë rregullave të shtetit shqiptar.

Si i siguruat fondet për ndërtimin e qendrës kulturore fetare?

Çili: Para se ta nisnim ne u bëmë thirrje besimtarëve të qytetit të Cërrikut për të kontribuar me mundësitë që kishin. Dhe ata kontribuan me sa mundën. Themelet u hodhën vullnetarisht nga vetë besimtarët. Dhe më pas ndërtesa u rrit. Ka pasur mjaft dashamirës që na ndihmuan për ecurinë. Gjej rastin të falënderoj edhe firmat ndërtuese të cilat u vetë-ofruan për të kontribuar pasi këtë kontribut e konsiderojnë si mirësi në emër të Allahut. Ka edhe forma të tjera të cilave ne ua kemi bërë të qartë se për punën e kryer ndodhen në borxh tek ne dhe me mbledhjen e të hollave ne do ti shlyejmë ato. Por kemi rënë në kompromis që këto borxhe të lahet për një afat të gjatë kohe.

Por ndërtimi i xhamive duhet të kontrollohet nga KMSH ose Myftinia apo jo?

Çili: Unë jua thashë më lart. Ne aplikuam, dorëzuam letrat dhe nisëm nga puna pas miratimit nga këshilli bashkiak. Megjithatë dua të bëj një sqarim këtu pasi ka edhe shoqata të tjera në Shqipëri që punojnë për ngritjen e mesazhit islam, ngritjen e mesazhit Hyjnor e kjo nuk do të thotë se ato janë jashtë juridiksionit islam. Përkundrazi kanë ura dhe lidhje bashkëpunimi që i çon ato përpara. Mund t’ju sjell një shembull. Në Shkodër janë ndërtuar 75 xhami dhe vetëm 25% janë nën juridiksionin e KMSH. Pra, në Shqipëri ka shoqata që ecin përpara në shërbim të komunitetit për të hapur fjalën e tyre që punojnë në mënyrë të pavarur. Midis KMSH dhe këtyre shoqatave ka një bashkëpunim dhe marrëdhënie dhe ne jemi si në rastin e tyre që nënkupton se e kemi ndërtuar me kontributin e besimtarëve.

Ju pohuat se jeni në negociata me KMSH-në për të gjitha procedurat. Si do vijohet më tej?

Çili: Mendoj se gjithçka do shkojë shumë mirë.

Do të pranoni çdo zgjidhje apo alternativë që përmban juridiksioni i KMSH-së?

Çili: Ne do të pranojmë këdo imam që është brenda rregullave të fesë islame.

Cili është mendimi juaj rreth fenomenit ISIS?

Çili: Atëherë unë mund t’ju jap një përgjigje shumë përmbledhëse. Kurani Famëlartë, Zoti i Madhënueshëm kanë bërë tolerancën, paqen, mëshirën. Pra islami nuk prodhon dhunë. Islami prodhon paqe, mirëkuptim, vëllazërim dhe afrim me njëri-tjetrin dhe islami e lufton dhunën, padrejtësinë kudo që ndodh ajo.

Kjo nënkupton që jeni kundër akteve të dhunës që ndodhen në Francë dhe kudo tjetër?

Çili: Jo unë. Është fjala e Kuranit që i thërret njerëzit në vëllazëri e mirëkuptim. Islami u ka dhënë të drejta të gjitha feve hyjnore që ato të praktikojnë besimin e tyre pavarësisht këndvështrimit nëse është i drejtë apo jo. Myslimanët bashkëjetuan me ehliqitabët pra me banorët e librit kështu që islami ka bashkëjetuar me kristianët dhe jehudët. Pra Kurani promovon paqe e mirëkuptim dhe i afron njerëzit në vëllazëri. Është kundër çdo lloj terrori, kundër çdo lloj padrejtësie kudo që ajo ndodh qoftë në Francë, në Amerikë, në Kinë, Suedi, Siri, Afganistan dhe kudo.

Keni ndonjë mesazh. Si e parashikoni të ardhmen?

Çili: Mesazhi im është ai i Kuranit. Ngritja e bashkëjetesës mbi bazën e mirëkuptimit, mbi bazat e qytetërimeve, mbi bazën e tolerancës. Ne të gjithë duhet të përpiqemi që ta rregullojmë botën në situatën në të cilën ndodhet në format më të mira. Duke u mirëkuptuar me njëri-tjetrin. Duke i lënë të drejtat që i takojnë çdokujt. Duke mos etiketuar një grup, apo një islam për dikë që e bën veprën e tij. Çdokush që e bën atë vepër, është përgjegjës për atë vepër. Pra nuk janë islami dhe myslimanët fajtorë. Myslimanët nuk mund të mbajnë përgjegjësi pse p.sh muri kinez është i shtrembër. Kjo nuk është reale. Kështu që duhet të jemi të drejtë, pa i bërë padrejtësi në trajtimin e çështjeve të tilla.

Kjo nënkupton respektimin e kulturave reciproke, feve reciproke dhe gjithçka që ka të bëjë me trashëgiminë e popujve apo jo?

Çili: Po. Ekzakt. Siç ju thashë mbi bazën e shpalljes Hyjnore, paqe, harmoni, mirëkuptim.

Loading...