Përfshirja e dy fraksioneve të Lëvizjes BESA në Qeveri ka mbetur pezull, për shkak të refuzimit nga ana e partisë shqiptare në pushtet BDI, edhe pse LSDM dhe kryeministri Zoran Zaev janë të interesuar për përfshirjen e tyre.

Siç mëson INA nga burime pranë BDI-së, një pjesë e madhe e strukturave të kësaj partie nuk dëshiron që Lëvizja BESA e udhëhequr nga Afrim Gashi të jetë në Qeveri, duke pasur parasysh luftën e tyre në zgjedhjet e fundit dhe deklaratat e mëparshme kundër tyre.

“Nuk jemi të interesuar sepse kemi numrat e shumicës që janë të siguruara dhe se për ligje që kanë të bëjnë me proceset eurointegruese dhe të interesit të përgjithshëm, voton çdo parti. Ne besojmë se me kohë do të ketë zgjerim të koalicionit dhe se do të bashkëngjiten vetëm deputetë”, theksojnë nga BDI.

Por një krah i kësaj partie ka preferenca që të përfshihet BESA e Bilall Kasamit, duke qenë lidhjet e disa protagonistëve në BDI me krerë të kësaj partie tashmë të ndarë.

Megjithatë edhe kjo përbën problem, pasi që siç thonë në BDI aleati kryesor i Ahmetit, kreu i RDK-së, Vesel Memedi i ka bërë me dije se nuk dëshiron përfshirjen e Fadil Zendelit dhe deputetes tjetër që janë nga ish-RDK. “Këtu bëhet fjalë për çështje pozicionimesh që pastaj mund të reflektohen tek grupet më të vogla partiake”, theksojnë zyrtar të BDI-së. (INA)

Loading...