Institucionet demokratike dhe demokracia institucionale

ARGËTIM SALIU, PhD cand.

Vetëdija kolektive dhe kultura politike janë dy elemente të ndërlidhura me njëra-tjetrën, prandaj për të funksionuar mirë vendi, është e domosdoshme që këto dy komponentë të zhvillohen bashkarisht.

Shumë teoricientë nga fusha e administrimit publik dhe shkencave politike, organizatat administrative i konsiderojnë si tërësi njerëzish, ku si element kryesor i strukturës organizative dhe funksionimit të saj paraqitet sjellja shoqërore e njerëzve. Nisur nga ky fakt janë imediate shqyrtimet e sistemit të avancuara të nëpunësve, etika e nëpunësve, organizimi i shërbimeve dhe, në përgjithësi, shqyrtimet mbi politikën e kuadrove administrativ dhe politik.

Vërehet se ekziston një mungesë kulture dhe tradite ndaj qasjes dhe raporteve mes institucioneve të shtetit dhe qytetarëve. Me sjelljet dhe veprimet e pahijshme të disa politikanëve dhe burokratëve në institucionet publike, ata po ofrojnë shembuj të panumërta negative dhe imazh të zymtë mbi vendin. Gjithashtu, ditë e më shumë qytetarët po krijojnë përshtypjen se institucionet shtetërore kanë humbur ndjeshmërinë e tyre në raport me qytetarët dhe se këta institucione nuk janë, madje as që pranojnë të jenë servis i qytetarëve si dhe në shërbim total të tyre, ngjashëm si në tërë botën e mirëfilltë demokratike. Kur të kihet parasysh ky fakt, atëherë me të drejtë shtrohet pyetja se, cila është arsyeja e këtyre raporteve të ftohta institucione shtetërore-qytetarë: mungesa e traditës, kulturës apo mungesa e profesionalizmit?!

Gjatë kësaj periudhe kohore në të cilën po kalon Maqedonia në përgjithësi dhe, shqiptarët si etniteti i dytë më i madh në veçanti, nuk mbeti thuaja se njeri pa debatuar për shtetin, institucionet dhe politikën. Fare lehtë arrihet te përfundimi se ekzistojnë paqartësi të mëdha mbi kuptimin e këtyre tre nocioneve, por edhe qasja ndaj tyre lë për tu mahnitur! Madje edhe vetë politikanët jo rall herë nuk kuptojnë qëllimin dhe rëndësinë e institucioneve dhe politikbërjes. Politikanët sikur kanë kuptuar se ndaj këtyre institucioneve vazhdimisht duhet të shprehin forcë, arrogancë e mospërfillje, ndërsa institucionet shtetërore sikur kanë arritur atë pikën e edukimit në ushtrimin e injorimit, të përçmimit dhe të moskryerjes së punëve të qytetarëve.

Maqedonia si pjesë përbërëse e ish-sistemit socialist në vitin 1991 filloi me demokratizimin e shtetit, por pa traditë të demokracisë institucionale. Por nuk është vetëm shkaku i mungesës së traditës dhe kulturës politike, por edhe prania në skenën politike të disa politikanëve që ishin aktiv gjatë ish-sistemit, ndërsa tani po të njëjtit janë ende aktivë, por me pamje dhe role të ndryshme, e që vazhdojnë të ruajnë me sukses pozitat e tyre autoritative në shoqëri. Ky kallëp politikani edhe më tej përhap dhe e ruan me xhelozi atë sjellje burokratike dhe nonshalante ndaj qytetarëve, gjeneron pasardhës të vetë dhe, prandaj, sot kemi një administratë hibride në mes të asaj socialiste dhe “demokratike”! Fatmirësisht, kjo sjellje nuk vërehet edhe tek nëpunësit shqiptarë që gjenden nëpër institucione të ndryshme të shtetit. Kjo për faktin se nuk kanë kurrfarë përvoje pune nga e kaluara e institucioneve socialiste dhe që në start brumosen me një kulturë pune të denjë për një sistem që në krye të vendit e vë qytetarin.

Kultura institucionale e shqiptarëve të Maqedonisë sikurse dallon nga të tjerët, për arsye të ndryshimeve të sistemeve politike gjatë dekadës së fundit dhe pozitës inferiore gjatë proceseve të politikbërjes. Vetëm pas konfliktit të vitit 2001, shqiptarët filluan të punësohen në përqindje më të lartë. Përpjekja për rritjen e përfaqësimit po vazhdon, por ngadal, gjë për të cilën opinioni nuk i ka të njohura shkaqet dhe arsyet, e madje është e paqartë edhe për vetë zv/kryeministrin përgjegjës për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit! Megjithatë, te ky numër i nëpunësve administrativë shqiptarë është vërejtur edhe një fenomen. Në mungesë të përvojës në këtë lloj aktiviteti dhe, duke u konceptuar si “kërcënim permanent” për kapjen e vendeve të punës që sipas disa koncepteve aparthejdiane i përkasin vetëm “popullit të zgjedhur”, maqedonasëve, edhe sot e kësaj dite nëpunësit shqiptarë margjinalizohen, tubohen në një zyrë, pa kurrfarë paisjesh për punë, madje mbi 2000 të tillë rrijnë nëpër shtëpi, nuk trajnohen, nuk ju shpjegohet puna, keqdrejtohen me qëllim që të dështojnë. Nuk ka pozicion administrativ ku punojnë shqiptarët e që nuk ndjehet ky përçmim komunist ndaj nëpunësve shqiptarë të sotshëm.

Në çdo mundësi që ofrohet shprehen përpjekje të ngulmëta për integrim, ndërsa ekziston një palë tjetër e cila me ngulm refuzon, e pamundëson apo edhe e pengon këtë proces të integrimit. Kjo pastaj ndikon në krijimin e bindjes së paluhatshme se shoqëria jonë është shumë larg krijimit të resurseve njerëzore për ta administruar dhe udhëhequr shtetin! Kjo është problematikë shumë e rëndësishme që duhet kushtuar kujdes! Politikanë dhe nëpunës me standarde të larta profesionale do të ndryshonin bindjet e të tjerëve se ne “nuk kemi” kuadro dhe kapacitete për administrimin e shtetit.

Një fjalë që ka burimin nga populli, thotë: “kultura e nje kombi buron nga zemrat dhe shpirti i njerëzve të saj”! Andaj duhet një herë e përgjithmonë ta kemi të qartë se ekzistojnë tre elemente që ngrisin vetëdijen shoqërore dhe më pastaj rrisin edhe cilësinë e demokarcisë institucionale, ato janë: domethënia e ekzistimit të institucioneve, etika dhe respekti ndaj institucioneve dhe marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i institucioneve me qytetarët. Në lidhje me sjelljen institucionale do të kisha cituar thënien e profesor Eugen Pusiç, i cili thoshte: “vështruar në mënyrë të përgjithshme sjellja e njerëzve varet nga faktorët objektivë të rregullimit ekonomiko-shoqërorë, nga mënyra e shprehjes së atyre faktorëve në ndërgjegjen njerëzore dhe nga mekanizmi i motivimit”.

Pasi që shërbimet administrative dhe politikat publike paraqesin veprimtari shoqërore, ato duhet të realizohen në bazë të rregullave të etikës, prandaj edhe nga nëpunësit, politikanët dhe qytetarët kërkohet një formë kulturore e komunikimit dhe bashkëpunimit. Administrata dhe institucionet janë të domosdoshme jo vetëm për funksionimin normal të sistemit, por edhe për sigurimin e zhvillimit të tij.

Andaj për në fund mendoj se nuk do të mund të shpresojmë në ndryshimin e qasjes dhe raporteve në mes intitucioneve dhe qytetarëve pa ngritjen e vetëdijes kolektive dhe pa kulturë të përgjithshme konstitucionaliste. Vetëdija kolektive dhe kultura politike janë dy elemente të ndërlidhura me njëra-tjetrën, prandaj për të funksionuar mirë vendi, është e domosdoshme që këto dy komponentë të zhvillohen bashkarisht.

Loading...