Intervista e fundit e Arbën Xhaferrit, realiteti shqiptar

Arbën Xhaferri në një nga intervista e tij të fundit të gushtit të 2012 pasqyron realitetin shqiptar dhe vizionin e tij me mesazhe të kristalta për të ardhmen e shqiptarëve.

Lexojeni intervistën ku politikani emblematik detekton realitetin shqiptar në gjitha trevat.

Kush janë shqiptarët në Maqedoni, sa janë? Ku janë shqiptarët e krishterë atje, a ka të tillë, apo çfarë ishte fati i tyre?

Xhaferri: Shqiptarët, kudo qofshin ata, janë shqiptarë pa marrë parasysh juridiksionin administrativ, besimin, bindjet ideologjike, dialektin, larushinë folklorike etj. Deri më tani kemi funksionuar, në momentet më të vështira historike, si një komb, sidomos gjatë krizës kosovare, kur u arrit një homogjenitet, një kohezion impresiv, pa marrë parasysh dallimet. Jemi një komb, nga që pajtohemi rreth çështjeve më të rëndësishme që formojnë identitetin kombëtar:

 

  • • jemi popull autokton, me origjinë evropiane, pasardhës të ilirëve;

 

  • • jemi ndër evropianët e parë që nga vetë apostujt e pranuam krishterimin;

 

  • • flasim një gjuhë, tashmë edhe të standardizuar, që është njëra nga gjuhët fundamentale evropiane
  • • pranojmë se kemi histori të përbashkët, pa dallime sinjifikante në interpretim;

 

  • • pranojmë se kemi një kulturë;

 

  • • i nderojmë pa dallime personalitetet historike, kulturore kombëtare;

 

  • • kemi gjetur dhe pranuar formulën për tolerancën fetare, atë të Pashko Vasës, që është shndërruar në maksimë obliguese për të gjithë shqiptarët; ”Feja e shqiptaritështë shqiptaria”;

 

  • • dëshirojmë të jetojmë, të veprojmë dhe ta ndërtojmë bashkëardhmërinë tonë, etj.

Këto janë bindje të pamohueshme të çdo shqiptari. Deri më tani nuk kemi opsione të kundërta që do t’i kontestonin këto përcaktime. Natyrisht që ka dallime të ndryshme që krijojnë identite te dytësore apo tretësore, ashtu si në radhët e çdo popullit jetër. Pra, shqiptarët e Maqedonisë janë një pjesë përbërëse e kombit që kanë të njëjtin identitetet (histori, gjuhë, traditë, kulturë) dhe gatishmëri që të frymojnë njësoj si pjesëtarët e tjerë të kombit shqiptar. Nga gjiri i popullit shqiptar të Maqedonisë dolën dy nobelistë: Nëna Terezë dhe Ferid Muradi. Sipas të dhënave të ndryshme, bie fjala, numrit të filloristëve në Maqedoni më së paku 1/3 e popullsisë janë shqiptarë, të cilët vazhdojnë ta ndërtojnë identitetin kombëtar mbi principet e njëjta si në hapësirat e tjera shqiptare. Këtë proces të kombformimit do ta përshpejtojnë dy universitetet që funksionojnë në Tetovë. Në Maqedoni kanë lënë gjurmë të pashlyeshme shqiptarët e krishterëtë ritit katolik, duke filluar nga Pjetër Bogdani deri te Nëna Terezë, pastaj ata të ritit ortodoks që banojnë në rajonin e ashtuquajtur të Rekës, rreth Gostivarit. Ata flasin një gegërishte të pastër, madje sipas disa gjuhëtarëve më të kulluar se gegërishtja e vëllezërve të tyre myslimanë që është një fenomen atipik, i rrallë. Josif Bageri, pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, ka qenë shqiptar ortodoks i këtyre anëve. Në Manastir dhe rrethinë ekzistojnë gjurmët e shqiptarëve protestantë, kryesisht pasardhësit e familjes Qiriazi. Mjerisht, për shkaqe të ndryshme, identitetin kombëtar e kanë ruajtur vetëm të krishterët katolikë. Ata kryesisht jetoj në në Shkup.

 

Këtu, në Ballkan, lindi një shtet i ri, Kosova. Ka shumë të tillë që provojnë ta krijojnë edhe një komb të ri, të quajtur ‘kosovar’ dhe ndoshta edhe një gjuhë të re ‘kosovare’. A është kjo një pasurim, begatim apo një ‘sakatim’ i qenies sonë si shqiptarë?

 

Xhaferri: Edhe me këtë rast do të verifikohet se jemi popull evropian. Evropianët kanë veti që të krijojnë një strumbullar të përbashkët. Në Evropë ndjenjat kombëtare kanë luajtur një rol antagonist, ndërtues dhe rrënues. Ndjenja kombëtare ndikoi që të bashkohen feudet dhe të krijohen shtetet moderne nacionale, siç ishte rasti me Gjermaninë dhe Italinë, po ashtu ndjenjat kombëtare ndikuan që të shformohen perandoritë mbinacionale siç ishte ajo austro-hungareze. Nacionalizmi është rrëfim evropian. Latinët kanë një maksimë që u vërtetua katërçipërisht në Evropë: “Quius lingua eius regio” (“E kujt gjuha – e tij toka”) . Prandaj mendësia evropiane prodhonte koncepte që e përforconin kohezionin e brendshëm, që krijonin identitetin e përbashkët. Ndonëse gjermanishtja, anglishtja, frëngjishtja, italishtja, spanjishtja etj. kanë dialekte të ndryshme, shpeshherë me dallime të thella, megjithatë, për interesa kombëtare, komunikuese, politike këto gjuhë u standardizuan. Sipas teorisë gjuhësore, dialektet kanë qenë të mjaftueshme për komunikim vetëm në periudhën e feudalizmit, kur çdo feud kishte dialektin e vet. Shteti kombëtar, i formuar me bashkimin e feudeve, për nevoja pragmatike, komunikuese, por edhe për interesa kombëtare kërkon dhe detyrimisht e krijon gjuhën standarde. Çdo gjë, në se dëshirohet te ruhet, duhet të normativizohet, të standardizohet. Bie fjala, në bibliotekat moderne respektohen standardet e mikroklimës që e ruajnë librin nga dëmtimet. Kështu është edhe me gjuhën. Në se duam ta rruajmë gjuhën, atë ind të vetëm të përbashkësisë, të unitetit tonë, duhet ta kultivojmë dhe ta respektojmë gjuhën standarde shqipe, ashtu si ruhet anglishtja që përdoret njësoj prej SHBA-ve deri në Australi, prej Afrikës së Jugut deri në Britaninë e Madhe. Kjo vlen edhe për gjuhët e tjera evropiane, pos për gjuhët sllave që shumohen artificialisht, gjithnjë në funksion të ekspansionizmit. Zërat për krijim të kombit të ri dhe gjuhës së re në Kosovë janë joserioze, nga që vijnë nga margjinat e shoqërisë. Deri më tani elita politike dhe shkencore e Kosovës e ka ruajtura të frymë kombëtare të përuruar në periudhën e Rilindjes kombëtare. Për mua, këto ide për komb dhe gjuhë të re janë absurde dhe në funksion të shkërmoqjes së kapaciteteve kombëtare të shqiptarëve.

 

U bënë 130 vjet nga Lidhja e Prizrenit, a i kanë arritur shqiptarët synimet e veta si popull, apo duhet të presim edhe 130 vjet të tjera?

Xhaferri: Disa thonë se shqiptarët vonë paskan krijuar vetëdijen kombëtare. Edhe pse për këtë tezë mund të gjenden argumente të shumta, megjithatë mendoj se rasti shqiptar është një raritet historik. Të gjithë popujt e lashtë, shqiptarët janë popull i lashtë, janë zhdukur, ose janë asimiluar. Po ashtu të gjitha gjuhët e lashta janë të vdekura, pos shqipes. Së këndejmi, shqiptarët, si popull atipik, pa sponsorë të fuqishëm, arritën çuditërisht të mbijetojnë në rajonin më frekuent të botës, ku dyndeshin fise aziatike, ku përplaseshin interesa, kultura, qytetërime nga më të ndryshmet. Mbijetesa e shqiptarëve është njëmrekulli hyjnore. Ky proces i mbijetesës dhe i kombformimit vazhdon. Lidhja e Prizrenit, Konferenca e Londrës, Konferenca e Rambujesë apo kjo e fundit e Vjenës, janë shkallë që kujdesshëm na shpijnë drejt përfundimit të procesit të shtetformimit dhe kombformimit të shqiptarëve. Ky proces zhvillohet në Evropë dhe këtë fakt s’duhet të harrojmë asnjë herë. Vetëm me interiorizim të vlerave dhe të standardeve evropiane mund ta përfundojmë suksesshëm këtë proces.

 

Të gjithë ata që flasin shqip, a janë një komb? A e kemi të njëjtin identitet të gjithë, kur i kemi parasysh divergjencat dhe dallimet brenda përbrenda, në kulturë, në gjuhë, në të shprehur, në të menduar, në religjion?

Xhaferri: Është krijuar një konfuzion i madh lidhur me semantikën (domethënien) e nocioneve etni, popull, komb, identitet. Të gjithë ata që flasin shqip politikisht mund të jenë një komb, në kuptim të pjesëtarit, të qytetarit, të bartësit të nënshtetësisë të një shteti, të cilët janë të barabartë para ligjit. Këtë interpretim e përuruan francezët. Ata ishin të parët që e krijuan shtetin nacional, pra kombëtar. Mirëpo, ky nocion kishte në thelb konotacionin politik dhe jo etnik. Të gjithë qytetarët e Francës që e kanë nënshtetësinë franceze, trajtoheshin si francezë, pa marrë parasysh etninë, racën, besimin. Ky përcaktim ishte revolucionar për atë kohë, nga që qytetari nuk trajtohej më si pronë e një feudali, konti, princi apo mbretit, por qytetar i lirë që gëzonte të drejtat e njëjta si të gjithë të tjerët. Maksima e kësaj risie revolucionare ishte: ”Egalite, fraternite, liberte” (“Barazi, vëllazërim, liri”) . Te gjermanët situata ishte ndryshe. Ata, të ndarë në feude të ndryshme (në Evropë në shekullin XV kishte afër 500 shtete) e shfrytëzuan përkatësinë etnike, origjinën e njëjtë për ta krijuar shtetin e tyre të përbashkët. Së këndejmi, në Evropë zhvillohen dy procese kombformuese. I pari mbi parimet politike, sipas modelit jakobin francez (të gjithë shtetasit Francës janë francez) dhe i dyti mbi parimet etnike, prejardhjes së njëjtë (koncepti gjerman). Shqiptarët e formojnë identitetin e tyre kombëtar mbi baza të përkatësisë etnike, nga që për ta do të ishte radikalisht e papranueshme që shqiptarët e Maqedonisë të quhen maqedonas, ata të Serbisë serbë dhe ata të Malit të Zi, malazez. Krijimi i identitetit kombëtar mbi baza politike është i huaj për këtë pjesë të Europës, ndonëse ka edhe përjashtime nga ky parim. Bie fjala, në Shqipëri për një periudhë kohore ka funksionuar edhe koncepti politik i kombformimit, kështu që ndodhnin keqkuptime indinjuese, kur ata i quanin shqiptarët e Maqedonisë , “maqedonsa”. Po kështu qëndron puna me iden-titetin. Një njeri mund të ketë identitete të ndryshme, si dhe lirinë që ta spikatë një identitet në dëm të tjetrit. Por në nivel shtetëror, në funksion të interesit kombëtar, duhet të spikaten ato vlera që e forcojnë unitetin kombëtar, kohezionin e brendshëm, si bie fjala gjuha, tradita e përbashkët, interpretimi i njëjtë i proceseve dhe personazheve historike, toleranca fetare, inklinimi në sistemin e vlerave evropiane, minimizimi i dallimeve rajonale, adeteve, besimeve etj. Ose dallimet duhet trajtuar si begati dhe jo si faktor për përçarje…

 

Ismail Kadare kërkon nga shqiptarët të mendojnë edhe një herë për identitetin e tyre, e në veçanti të mendohen mirë se çfarë identiteti fetar do të kenë. Shkon aq larg sa kërkon që shqiptarët t’i kthehen origjinës, besimit të vet të krishterë. Çfarë ju mendoni?

Xhaferri: Nuk di saktësisht çka ka thënë shkrimtari ynë i madh, prandaj nuk mund ta komentoj qëndrimin e tij. Sa kam dijeni, ai flet me shumë kujdes për këto çështje dhe gjithmonë është shprehur për identitetin evropian të shqiptarëve. Siç dihet, qytetërimi evropian nuk është në përputhje të plotë me një religjion dhe është ndërtuar mbi parimet e laicizmit. Kjo u vërtetua edhe me rastine hartimit të Kushtetutës së UE-së. Mendoj se ky orientim i qytetërimit evropian është modeli shpëtimtar për shqiptarët, formula që në zanafille i eviton fërkimet. Çështja e besimit është, mbase çështja më komplekse, më e ndjeshme në jetën e njeriut. Besimiështë mapa orientuese në jetën enjerëzve. Secili mendon se mapa e tijështë më e saktë. Mirëpo, këto bindjenuk duhet të politizohen, por të trajtohensi vlerë e intimes së tyre. Besimi buron nga shpirti i njeriut, atë nuk mund ta gjesh në objekte. Qytetërimi evropian e kultivon këtë qasje dhe në këtë mënyrë i eviton fërkimet fetare. Karakteristikë kryesore e qytetërimit euro-perëndimor është mendësia inkluzive, pranuese dhe jo përjashtuese. Prandaj, të gjithë marksistë-leninistët dikur dhe gjithë fundamentalistët sot kanë kërkuar strehim në Evropë dhe jo në shtetet komuniste apo në shtetete ashtuquajtura islamike. Pas pranimit të konventave ndërkombëtare që garantojnë liritë dhe të drejtat e njeriut, apostazia, proselitizmi, konvertimi, kam përshtypjen se janë fenomene të së kaluarës. Natyrisht se këto procese do të vazhdojnë edhe më tutje, në trajta të buta, si e drejtë e patjetërsueshme e njeriut. Konvertimet spektakulare janë të dëmshme dhe gjithmonë kanë shkaktuar efekt të kundërt. Sipas njohurive të mia, edhe Vatikani është kundër konvertimeve pompoze, që për bazë e kanë interesinv etjak, apo politik. Për Vatikanin besimi është gjëja më serioze në jetën e njeriut dhe çdo keqpërdorim, instrumentalizim i tij për qëllime jofetare, është i palejueshëm. Në sistemin perëndimor të vlerave për të gjitha shqetësimet e për dilemat tona, gjenden zgjidhje të pranueshme. Të gjitha besimet monoteiste kanë një substancë teologjike, kanë një burim dhe ofrojnë të njëjtën rrugëdalje për ta gjetur kuptimin e jetës. Problemet nuk shfaqen, pra në planin teologjik, por te shfrytëzimi i religjionit si përçues i vlerave nacionale dhe kulturore të popujve të tjerë, përkatësisht të interesave të tyre të ngushta. Feja islame ndryshe praktikohet nga turqit, ndryshe nga arabët, apo pakistanezët, afganistanezët, kaukazianët apo iranianët. Detyrimisht ndryshe do të duhej të praktikohej edhe nga shqiptarët evropianë, pa e lënduar substancën, dogmën që është në funksion të aksiomës në sistemin religjioz. Natyrisht se kundër këtij qëndrimi do të jenë integralistët orientimesh të ndryshme, që përpiqen të imponojnë një unitet që nuk ka ekzistuar as në kohën e profetit Muhamed. Në kohën e globalizmit, ku paralelishtg lobalizohet e mira dhe e keqja, çdo spektakël konvertues do të krijonte probleme të pazgjidhshme për popullin tonë dhe do të ishte prelud për shthurje mbi baza religjioze. Toleranca fetare nuk është produkt aktual politik, por një vlerë substanciale e traditës sonë, një vlerë që e përcakton identitetin tonë kombëtar. Etnologu serb, Vuk Karaxhiqi sugjeron që serbët, përkatësisht sllavët e jugut, ta kopjojnë modelin shqiptar: “Arnautët… për ne janë më të afërt se gjermanët dhe hungarezët. Ka të tillë që i takojnë ritit roman, diçka edhe ritit grek, por të gjithë quhen arnautë, mund të ndodhë që ata ta urrejnë nga pak njëri-tjetrin, por kundruall të tjerëve sillen si vëllezër, sikur të ishin të njëjtit besim. Ka ndodhur që njëri prej tyre, i besimit turk të vrasë dhjetë turq të vërtetë për një arnaut, cilit do rit krishterë, ashtu si një arnaut i ritit roman të vrasë dhjetë italianë për një arnaut të ritit turk”. Ndonëse ky pohim është vulgar, megjithatë e përmenda për të kuptuar se kjo harmoni ndërfetare është e trashëguar dhe nuk është floskulë retorike politike.

 

Ku e kanë shtëpinë’ shqiptarët, në Orient apo në Oksident? Apo dëshirojnë të mbesin urëlidhës mes këtyre të dyjave, e vetë të mbesin jashtë?

Xhaferri: Pa dyshim në Oksident. Shqiptarët nuk kanë forcë, kapacitete, që të luajnë rolin e faktorit ndërlidhës, as që dikush kërkon nga ata ta luajnë këtë rol. Ne gjendemi në Evropë dhe do të ishte fatale për mbijetesën tonë, po qe se do të zgjidhnim pozitën skizofrenike. Kur flas për Evropën, e kam parasysh qytetërimin evropian, atë sistem të vlerave që garanton të drejtat njeriut sipas standardeve më të larta, stabilitetin shoqëror, barazinë në shoqëri, mirëqenien e qytetarëve, pa marrë parasysh dallimet.

 

Shqipëria është anëtare e Konferencës Islamike? Unë si shqiptar katolik rrëqethem kur më bien ndër mend një gjë e tillë. Them me vete: “Në se shqiptarët e kanë vendin në atë konferencë, unë nuk kam dëshirë të jem shqiptar”. A e ka Shqipëria vendin aty?

Xhaferri: Pyetje e vështirë. Zakonisht kur duhet të jap vlerësimin për çështje kaq komplekse dhe të ndjeshme, përpiqem të jem sa më racional. Organizata e Konferencës Islamike (Munazzamat al-mu’tamaral-islami) është formuar më 22 shtator 1969 në kryeqytetin e Marokos, Rabat. Selia aktuale gjendet në Xheda, në Arabinë Saudite. Ka 57 anëtare të rregullta dhe pesë me status monitorues, siç është Bosnja dhe Hercegovina (1994), Rusia ( 2005). Shqipëria u bë anëtare më 1992. Shkas për themelimin e kësaj organizate ishte djegia e xhamisë Al Aksa në Jerusalem, më 21 gusht1969, nga ana e një ekstremisti protestant nga Australia. Qëllimi i kësaj organizate është përforcimi i solidaritetit mes anëtarëve të saj, përforcimi i bashkëpunimit në të gjitha planet, çrrënjosja e diskriminimit racor dhe i kolonializmit, përforcimi I paqes dhe sigurisë në botë, organizimi për mbrojtje të vendeve të shenjta, mbështetja popullit palestinez, mbështetja të gjithë myslimanëve të botës që luftojnë për ruajtjen e dinjitetit dhe arritjen e pavarësisë, etj. Së pari, në se merret parasysh lufta shteruese dhe tragjike irakoiraniane, lufta qytetare në Liban, në Afganistan, okupimi i Kuvajtit nga Iraku, përdorimi i armëve biologjike kundër kurdëve, bashkëpunimi (solidarizimi) me regjimin e Millosheviqit, hezitimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës, pastaj ngufatja e të drejtave dhe lirive të njeriut, pozita e gruas në këto shoqëri etj. Dëshmojnë se kjo organizatë nuk ka kapacitete për ta kryer misionin që ia ka parashtruar vetes. Kjo organizatë nuk është instancë më e lartë, mbishtetërore, me kompetenca vendimmarrëse, që mund t’u imponohen shteteve anëtare, por një lidhje formale, një vend ku rrihet uji në havan.Së dyti, vetë emërtimi i organizatës në vete ngërthen një notë diskriminuese, nga që merr përsipër t’i mbrojë interesat vetëm të një segmenti të njerëzimit, që mund të krijojë probleme shteteve multikonfesionale. Organizatat e ngjashme në botë themelohen mbi parime universale dhe jo segreguese, kështu që nuk ekzistojnë shembuj të ngjashëm të organizatave që mbrojnë interesat e budistëve, të krishterëve apo të racave të ndryshme etj. Së treti, kjo organizatë nuk ka strukturë stabile. Ka shtete që e suspendojnë anëtarësimin, në varësi nga teket e liderëve të ndryshëm që nuk pajtohen me vendimet që merr kjo organizatë. Bie fjala, Afganistani e suspendoi anëtarësinë prej 1980-1989, Egjipti prej 1979-1984, ndërkaq më 1993 Zanzibari u çregjistrua tërësisht. Së katërti si Shqipëria, ashtu edhe Kosova me kushtetutë janë përkufizuar si shtete laike që do të thotë se nuk mund cilësohen me epitete fetare. Kjo është e qartë, veçmas në se merret parasysh gjeografia. Shqipëria nuk ka forcë për misione të mëdha, kështu që ajo nuk mund të luajë rolin e avokates së Evropës në këtë organizatë dhe as të kësaj në institucionet evropiane. Përfundimisht, kjo organizatë është politike, po të ishte ndryshe atëherë ajo, pa vonuar, do të duhej “en bloc” ta njihte pavarësinë e Kosovës. Kjo, siç dimë nuk ndodhi. Me shumë shtete, anëtare të kësaj organizate dirigjojnës htete të tjera, Rusia veçmas. Nisur nga këto konstatime, nga keqpërdorimi i fesë për qëllime politike, sidomos në se merret parasysh se vendimet e këtilla mund të nxisin përçarje mbi baza fetare, atëherë bëhet e qartë se duhet të kemi kujdes, që duke rregulluar vetullën të mos e nxjerrim syrin.

 

A duhet të gjithë shqiptarët të jetojnë në një shtet, të flasinnjë gjuhë, të kenë një identitet, të jetojnë nën një flamur, të këndojnë një himn të vetëm? A është kjo dëshirë e pamoralshme e jona, apo s’kemi guxim ta themi këtë?

Xhaferri: Kosovarët thonë: s’kemi kaçik. Gjatë historisë së njerëzimit është vërtetuar se shtetet nacionale janë më stabile se ato heterogjene, multietnike. Kur këto të fundit hasin në vështirësi, si pasojë e padrejtësive mbi baza etnike, atëherë fillojnë pak nga pak të happen dhe krijohen çështjet etnike. Ky është një proces i pandalshëm historik. Shtetet kombëtare gjithmonë formohen kur shpërbëhen perandoritë, federatat, apo konfederatat. Por, natyrisht se çdo popull që i ka takuar një formacioni të këtillë shoqëror, nuk fiton me automatizëm të drejtën për shtet. Këtë të drejtë fitojnë popuj që kanë vetëdije të lartë kombëtare, zhvillim kulturor, ekonomik, arsimor, teknologjik, marrëdhënie të mira me faktorët relevantë në botë, që kanë një udhëheqësi të aftë për vendime historike. Në rastin shqiptar nuk kemi të bëjmë me dëshirën apo vullnetin që të jetohet në një shtet, por me mënyrën se si të realizohet ky përcaktim. Shqiptarët e mbetur jashtë kufijve kanë vetëdije të lartë kombëtare. Ata më nuk mund të asimilohen. Sa ata do të kenë probleme me shtetet ku ata jetojnë, aq më shumë këto shtete do të kenë kokëçarje me ta. Mbase me anëtarësimin e këtyre shteteve në UE do të zbuten këto tensione…

Loading...