Hyrje | Intervista | Shqipëria dhe Kosova partnerët më të mirë të Maqedonisë

Shqipëria dhe Kosova partnerët më të mirë të Maqedonisë

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Ministri i Mbrojtjes Fatmir Besimi, në një intervistë për “Lajm” flet për sfidat që e presin në këtë institucion, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve edhe në hierarkinë e armatës, për standardet e ARM- së, integrimin në NATO, bashkëpunimin me Shqipërinë dhe Kosovën dhe shumë çështje të tjera.

 

LAJM: Zgjedhja juaj për Ministër të mbrojtjes llogaritet si një moment historik, pasi shqiptarët për herë të parë morën njërën prej “katërshes” së madhe ministrore. A jeni të sigurt se edhe punët dhe projektet që do t’i realizoni gjatë mandatit tuaj në këtë resor do të kenë peshë historike për shqiptarët? Si do ta arrini këtë?

Besimi:Vërtetë është hera e parë që resursin e mbrojtjes ta kenë shqiptarët. Është një institucion që përbën pjesën e sigurisë, boshtin e një shteti, dhe vetë fakti që tani në këtë  resor ka ministër shqiptar është një hap përpara drejt demokracisë dhe mirëbesimit. Për mua personalisht kjo është një sfidë, është një transfer në një sektor tjetër, për dallim nga ajo që kam realizuar në fushën e ekonomisë, në bazë edhe të begrandit tim ekonomik. Ky resor do të këtë nevojë për një angazhim më të madh me qëllim që tu përgjigjemi atyre pritjeve për një menaxhim të suksesshëm të këtij dikasteri. Personalisht një ofertë e tillë për mua ishte një nder, por edhe më shumë një përgjegjësi, pasi pritjet janë shumë të mëdha nga ana  e elektoratit shqiptar, nga ana e ndërkombëtarëve dhe nga komuniteti maqedonas. D.m.th. vëmendja do të jetë e lartë në këtë drejtim, sidomos në periudhën që ndodhet tani Maqedonia  kur anëtarësimi në NATO dhe BE janë prioritet strategjike. Periudha është e rëndësishme dhe sfida është ende më e madhe që në këtë dikaster të jap maksimumin që të ketë rezultate.

 

LAJM: Ju  vetë keni përmendur se deri diku jeni të kënaqur me përfaqësimin e shqiptarëve në ushtri dhe ministri po jo me përfaqësimin në hierarki. Çfarë mund të përmirësohet  në këtë drejtim dhe në çfarë afatesh, a keni ndonjë plan konkret?

Besimi: Do të punojmë që ministria e mbrojtjes dhe Armata e Republikës së Maqedonisë (ARM) të jenë promovuesit e një Maqedonie multietnike që jep kontributin për paqen globale. Vëmendja kryesore është që Maqedonia të jetë  në NATO dhe të promovojmë Maqedoninë si vend i të barabartëve. Çka dua të them me këtë, që të gjithë qytetarët të kenë mundësi të njëjta, të barabarta dhe Maqedonia të jetë anëtare e NATO-s dhe BE-së, ku jemi të barabartë me të tjerët.  Përfaqësimi i drejtë në armatë dhe në ministri është jo vetëm një nga prioritetet, por mund të them është një nga boshtet e funksionimit gjatë këtij mandati. Përfaqësimi i drejtë tani është normë kushtetuese dhe normë ligjore, të parapara edhe në Ligjin për punë  të armatës dhe Ligjin e mbrojtjes. Dua të them se, nëse ARM është institucioni që pasqyron shtetin, ajo duhet edhe ta reflektojë atë  strukturë etnike. Dhe kjo do të bëhet në një mënyrë sistemore duke krijuar një ambient, një  mentalitet brenda institucionit. Një qasje e tillë bëhet, jo vetëm se unë jam ministër shqiptar, por sepse institucioni ka nevojë të reflektojë atë dhe të gjithë do ta respektojnë këtë normë ligjore që do të bëhet me program të veçantë. Nga viti 2001 deri tani ka një avancim të strukturës etnike në aspekt të sasisë, kështu që në nivele të përgjithshëm të armatës kemi rreth 18 për qind. Ushtarë profesional ka 20 për qind, pozicione  oficerësh kemi 10 për qind,  nën oficerë 20 për qind. Ndërsa administrata e Ministrisë së Mbrojtjes 10-të për qind. Qëllimi do të jetë që edhe në hierarki të reflektohet kjo strukturë etnike, mirëpo këtu do ti kemi parasysh standardet. Përfaqësimi, direkt do të jetë një nga normat që do të respektohet në armatë dhe në ministri, mirëpo ushtarët dhe  eprorët ushtarak duhet të jenë ata që duhet ti  përmbushin kriteret. Ky do të jetë një proces afatmesëm, nuk do të jetë proces që do të realizohet brenda një viti, por do të kemi rritje nga një për qind në vit.

 

LAJM: A ka ndryshuar përqindja gjatë këtyre tre muajve sa jeni ju këtu?

Besimi: Sigurisht se po.  Në 100 ditët e mia këtu në nivel  të Ministrisë së Mbrojtjes kam realizuar 7 transfere punësime prej institucioneve të tjera dhe 38 punësime, transfero që vijnë nga sekretariati për Marrëveshjen e Ohrit. Me këto transfere përqindja nga 10 shkon në 16 dhe  ky proces deri në fund të vitit do të përfundojë. Në ARM pranuam tre oficerë të rinj që kishin diplomuar në Shqipëri, po ashtu janë pranuar edhe 23 ushtarë profesional dhe do të pranohen edhe 33 të tjerë ku  përqindja  nga 20 rritet në 21, 6. Edhe viti e ardhshëm do të vazhdojmë me rritjen  e numrit të ushtarëve profesional. Për vitin 2012, përveç rritjes së numrit të ushtarëve do të kemi edhe zëvendësimin e ushtarëve aktual, të cilët ose pensionohen, ose shkojnë në një vend të ri pune. Do të kemi rreth 100 zëvendësime, punësime të reja, të cilat nuk do të jenë të gjithë shqiptar, mirëpo përqindja do të  jetë e konsiderueshme që ta realizojmë programin dhe ta ndryshojmë strukturën. Pa marrë parasysh nëse ministri është apo jo  shqiptar, kjo do të jetë pjesë e inkorporuar e armatës, do të jetë një zgjidhje e qëndrueshme.

 

LAJM: Një pikë e dobët për shqiptarët ka qenë edhe përfaqësimi nëpër njësitë speciale, si është  gjendja aktuale dhe çfarë planifikoni për ta përmirësuar këtë?

Besimi: Në njësitet speciale “renxhera” dhe “ujqër” sidomos të renxherat kemi pas dhe kemi kapiten shqiptar. Në aspekt të përfaqësimit në këto njësi mendojmë të vlejë e njëjta si për këto të tjerat, d.m.th. të ndryshohet struktura, në kuptimin të ketë përfaqësim edhe të shqiptarëve. Nuk duhet harruar se flasim për sektor që punon me kagunear, me ushtrime  të cilat drejtpërdrejtë e rrezikojnë jetën e ushtarëve dhe normal ata që i plotësojnë standardet, në rend të parë për sigurinë e tyre  personale dhe pastaj për kretibilitetin e institucionit ata që do të jenë më të mirët do ta kenë këtë mundësi. Ne do të vendosim që  procedurat të jenë më transparente, më objektive dhe më të hapura që mundësitë të jenë të njëjta për të gjithë.

 

LAJM: Maqedonia i ka plotësuar kushtet ushtarake, Brukseli e ka pranuar. A mendoni se  këto standarde mund të ulen nëse vonesa për  anëtarësim në NATO vazhdon edhe më tej?

Besimi: Përveç plotësimit të standardeve dhe reformave, Maqedonia  jep kontributin e vet të drejtpërdrejtë në operacionet apo misionet ndërkombëtare paqësore. Në atë misione mund të marrin pjesë vetëm ata që janë të gatshëm, për shkak se aksionet që ndërmerren dhe menaxhimi i këtyre situatave nga ana e NATO-s bëhet sipas standardeve të NATO-s. Maqedonia me vetë pjesëmarrjen në misione siguron se i implementon standardet e NATO-s. Ne nuk duhet të ndalemi, ne angazhohemi që këto standarde të avancohen që në vazhdimësi që Maqedonia të jetë edhe de juro anëtare e NATO-s, pasi de fakto jemi .

 

LAJM: Cilat janë  sfidat moderne për Maqedoninë në sferën e mbrojtjes? Më herët kanë qenë ndryshe...

LAJM: Sfida kryesore është që Maqedonia të ketë një armatë, e cila do të jetë efikase, do të jetë sipas standardeve të NATO-s, do të jetë fleksibile në aksionet e saj që mund ti arrij. Në kuadër të NATO-s po promovohet një koncept i ri që quhet “mbrojtje inteligjente”, e cila thotë se vendet e NATO-s  do të sigurojnë që ushtritë e tyre,  të nisen nga tre aspekte: e para specializimi, çdo vend të specializojë armatën e vet në fushën që është më e suksesshme. E dyta, prioriteti. Nuk mundet një shtet që ti ketë prioritet të gjitha fushat dhe e treta qasja apo zgjedhjet ndërkombëtare, nuk mundet një shtet që të ketë qasje individuale, por qasjet do të jenë kolektive.

 

Lajm: A jeni optimist se gjatë mandatit tuaj, Maqedonia do të bëhet anëtare e NATO-s?

Besimi: Jo vetëm që jam optimist se Maqedonia do të bëhet anëtare e NATO-s, por do të punojmë që ajo të bëhet.

 

LAJM: Bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Kosovën... Më herët këto dy vende konsideroheshin si rrezik për mbrojtjen e Maqedonisë, tani si është situata?

Besimi: Nëse dikur dikush e ka konsideruar Shqipërinë dhe Kosovën si rrezik për Maqedoninë sot me përgjegjësi të plotë mund të them se Shqipëria dhe Kosova janë partnerët më të mirë të Maqedonisë në proceset euro-atlantike, në proceset e një miqësie të mirë dhe në krijimin e një baze për një të ardhme të përbashkët.

 

LAJM: Cili është mendimi juaj për situatën në rajon, a ka mundësi të eskalimit të situatës si pasojë e zhvillimeve në veri të Kosovës?

Besimi: Në Kosovë, NATO  ka kompetencat e veta nëpërmjet KFOR-it dhe siguron paqen dhe stabilitetin. Do të përsëris, ruajtja e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe shfrytëzimi i dialogut si mekanizëm për tejkalimin e sfidave është rruga më e sigurt dhe më e arsyeshme për ndërtimin e paqes në rajon. Në këtë drejtim mendoj se proceset janë të menaxhuara në atë pjesë edhe nga autoritetet e vendit edhe nga autoritetet e NATO-s dhe mendoj se në këtë drejtim zgjedhjet optimale do të japin një rezultat që e ka edhe NATO pjesë të misionit të vet.

 

LAJM: A ka gatishmëri ushtria e Maqedonisë të behët pjesë e KFOR-it nëse kërkohet një gjë e tillë?

Besimi: Jo vetëm që ka, por Maqedonia është pjesë e KFOR-it, me logjistikë nga Shkupi. Në kuadër të misioneve me trupat tona ne jemi në Libi, në Afganistan, në Bosnje dhe në Kosovë. Këto janë katër shtetet ku Maqedonia merr pjesë në misionet ndërkombëtare në forma të ndryshme. Në Liban kemi një, i cili është oficer në zyrë, në Afganistan kemi ushtarë dhe mjekë, në Bosnjë kemi mjek dhe në Kosovë kemi logjistikë nga Shkupi që e përkrah KFOR-in. Kjo është forma  që kontribuojmë drejtpërdrejtë në sigurimin e paqes.

 

LAJM: Një krahasim me postin që keni ushtruar më herët ministër i ekonomisë dhe postit aktual?  A është më lehtë, apo më vështirë?

Besimi: Nuk do të thosha është më lehtë apo është më rëndë, që të dyja janë pozicione të rëndësishme. E them me përgjegjësi se në funksionet publike që udhëhiqen në emër të popullit, përgjegjësia është e madhe. Natyra e veprimit dallon, atje ishte sektor civil që kishte të bënte me ekonominë, me biznesin, këtu kemi pjesën e sigurisë, pjesën e armatës. Nëse i shohim nga këndvështrimi i zhvillimit të një shteti, nëse atje duhet të sigurojmë investime, krijimin e vendeve të punës, këtu duhet të sigurojmë stabilitet dhe të jemi garanci e sigurisë dhe paqes që tu krijojmë investitorëve një qetësi që të mund të investojnë në Maqedoni si vend stabël. Të dyja janë të rëndësishme.

 

Lajm: Buxheti për mbrojtje çfarë parasheh?

Besimi: Buxheti i mbrojtjes për dallim të viteve të kaluara ku kishte rënie për disa vjet radhazi këtë vit për herë të parë v bëhet kthesa, buxheti i mbrojtjes rritet për rreth 10-të për qind dhe do të përdoret në drejtim të plotësimit të standardeve të NATO-s, gjegjësisht modernizimi i ARM-së dhe përmirësimi i standardit të ushtarëve dhe pjesëmarrja në misionet paqeruajtëse. Këto janë tre aspektet që do të reflektohen në buxhetin e mbrojtjes për vitin që vjen. Normalisht ne si ministri kemi nevojë për më shumë mjete, mirëpo edhe vendet e tjera të NATO-s, për shkak të krizës kanë reduktuar buxhetin e tyre të mbrojtjes dhe sfida jonë është që të bëjmë racionalizimin e mjeteve.

 

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem shënoni kodin që shikoni në imazh:

  • email Email shokëve
  • print Printo
  • Plain text Vetem tekst
Vlerëso tekstin
0