Mjesiq: Miqësia me shqiptarët nisi në burg
“Miqësia nuk mund të zgjidhet sipas përkatësisë nacionale apo sipas fesë e ku ta dijë unë cfarë. Miqësia lidhet në një mënyrë të caktua,r në atë mënyrë njerëzore. Miqësia ime me shqiptarët ka filluar në burg”, tha ish presidenti Mjesiq
Cilët janë përshtypjet e para, pas shpalljes së Qytetarit të Nderit të Tetovës dhe Doctor Honoris Causa në UEJL?
Këta mirënjohje vijnë në kohën kur tashmë u bënë më shumë se dy vjet që Ju jeni tërhequr nga skena politike?
Unë në Maqedoni kam qenë disa herë por edhe në Tetovë kam qenë. Këtu më kanë pranuar shumë mirë. Por tash kam ardhur për shkaqe krejtësisht të ndryshme dhe kjo është shpallja e Qytetarit të Nderit të Tetovës. Kjo për mua paraqet një nder të veçantë dhe atë që thatë ju, kjo ndodh pas dy viteve pasi jam tërhequr nga funksioni. Domethënë, në aspektin politik, tashmë askush nga unë nuk pret asgjë. Kjo paraqet një mirënjohje për atë që unë kam bërë gjatë viteve dhe kjo për mua është një nder i veçantë.
Në Kroaci jetojnë dhe punojnë një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve të këtyre trevave. Si janë të involvuara ata në jetën shoqërore kroate dhe sa kontribuojnë ata në mirëqenien ekonomike të Kroacisë?
Me shqiptarët në Kroaci më lidh një miqësi e gjatë, kurse miqësia ime me shqiptarët ka filluar në burg, për shkak se edhe ata edhe unë kemi qenë në burg për mendime politike, në kohën kur për mendim politik bartej përgjegjësi dhe prej atëherë me përfaqësuesit e bashkësisë shqiptare kam qenë në një lidhje të ngushtë miqësore.
Sa u përket atyre që jetojnë e veprojnë në Kroaci,unë gjithmonë e kam thënë: ne i krahasojmë njerëzit sipas zellshmërisë dhe gjithmonë thonë i zellshëm si japonez,kurse në fakt kjo është gabim dhe duhet thënë i zellshëm si shqiptarë. Ngase shqiptarët tek ne janë mjaft mirë të organizuar dhe fundja çdo gjë që kanë arritur e kanë bërë me punën dhe mendjen e tyre. Ata kujdes të veçantë i kushtojnë familjes së tyre dhe sjellin zhvillim edhe Kroacisë. Por atë që dua ta theksoj është se gjatë kohës së luftës në Kroaci,kur ishim të ekspozuar ndaj një agresioni brutal,asnjë shqiptarë nuk kaloi në anën e armikut.
Gjithmonë keni ushqyer simpati ndaj shqiptarëve. Kjo ka ndodhur edhe në kohën kur keni qenë Kryetar I Kryesisë së ish-Jugosllavisë?
Miqësia nuk mund të zgjidhet sipas përkatësisë nacionale apo sipas fesë e ku ta dijë unë çfarë. Miqësia lidhet në një mënyrë të caktuar në atë mënyrë njerëzore. Shqiptarët kanë qenë mirë me mua gjatë shërbimit ushtarak. Gjatë kryerjes së ushtrisë kam patur disa shokë të mirë shqiptarë pikërisht nga Maqedonia dhe siç thashë kemi qenë bashkë në burg por gjithmonë këtë e kam pranuar si një marrëdhënie të shëndoshë njerëzore. Ata janë njerëz punëtore që mbajnë llogari jo vetëm për vete por edhe për të tjerët dhe në këtë mënyrë shumë pak shqiptarë do të shihni të konfrontuar por gjithnjë do të mund ti gjeni si pjesëmarrës në aksione të ndryshme të karakterit human.
Z. Mesiq pak ndoshta e keni tejkaluar kufirin e një miqësie të rëndomtë. Njerëzit që kanë ndjekur zhvillimet politike në ish-Jugosllavi ju mbajnë mend me debatet historike me Borisllav Joviqin duke mbrojtur shqiptarët?
Unë kur mora funksionin e Kryetarit të Kryesisë së ish-Jugosllavisë dija për një aferë ku ishin gjykuar një grup të rinjsh shqiptarë që kishin qenë shokë me ushtarin Aziz Kelmendi, i cili siç e dimë kishte humbur nervat dhe vrau disa kolegë të tij. Ai nuk zgjodhi kush ishin ata që vrau .Pse ka qenë ai i provokuar,pse ai ka humbur nervat unë këtë nuk e dijë,por ishte e vërtetë se diçka kishte ndodhur. Këtu nuk kishte aspak politikë. Mirëpo ata njerëz të cilët ishin shokë me të,të gjithë shqiptarë,morën dënime të mëdha prej 15-20 vite burg edhe atë për asgjë vetëm e vetëm se ishin shokë të tij dhe bashkëvendës.
Nga shkaku se e dija se për çka bëhej fjalë dhe se kjo ishte një gjykim politik unë i propozova Borisllav Joviqit që Kryesia ti amnistojë ata djem dhe të shihet një qasje e re në marrëdhëniet ndëretnike. Ai më tha se këtë nuk mund ta bëjë dhe se duhet të bisedoj me Sllobodan Millosheviqin. Millosheviqi më tha që kjo nuk vjen parasysh dhe se unë jam shumë sentimental me shqiptarët .Shqiptarët kuptojnë vetëm atëherë kur i godet me grusht në fytyrë. Ja e shihni si ka qenë qasja ndaj shqiptarëve dhe nuk më lejuan që ti amnistojë.
E dimë të gjithë se çfarë ndodhi me të ashtuquajturën ëndërr “të gjithë serbët në një shtet”.Mendoni se edhe sot ekzistojnë njerëz dhe politikanë që kanë të njëjtin mendim?
Unë mendoj se ka dhe kjo për ne paraqet një problem të madh. Ndryshe, shihni Gjermaninë. Populli gjerman para Luftës së Dytë Botërore ishte populli më i arsimuar. Në Gjermani para Luftës së Dytë Botërore nuk kishte asnjë analfabet dhe ky popull mori rrugën e ideve që për ta ishte e realizueshme,idenë që populli gjerman të sundojë botën dhe të gjithë të tjerët duhet ti shërbejnë këtij populli. Kjo ishte e parealizueshme. Por në realizimin e një plani të tillë,miliona njerëz vdiqën dhe populli gjerman e kuptoi si një kolektivitet intelektual se kjo ishte një mashtrim dhe ata përjetuan,do të thosha,një katarzë dhe sot Gjermania është e para në Evropë në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe në demokratizimin në Evropën e bashkuar.
Nëse shikojmë Serbinë edhe Serbia filloi me realizimin e qëllimeve që janë të parealizueshme-krijimin e Serbisë së Madhe apo idenë “të gjithë serbët në një shtet” gjë që paraqet diçka që nuk mund të realizohej.
Në vend që të luftojnë që qytetarët në çdo shtet të jenë të barabartë,pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo fetare ata deshën që në gërmadhat e ish-Jugosllavisë të krijojnë Serbinë e Madhe.Shkaktuan gjithë ato luftëra të përgjakshme që në fund përfunduan në Kosovë. Dua të them se serbët nuk përjetuan katarzën dhe ka ende individë të caktuar apo grupe të njohurish të cilët angazhohen të realizojnë të pamundurën.
Ka një detaj mjaft interesant sa i përket aksionit ushtarak kroat “Stuhia”.Ushtria kroate thjesht shëtiti në këto veprime ushtarake pa hasur rezistencë. Mos ishte ky një plan i Millosheviqit që popullatën e atjeshme serbe ta transferojë në Kosovë. A kishte një plan të tillë?
Është shumë e vështirë të dihet se a ka ekzistuar ndonjë plan i tillë në formë të shkruar. Por,ne e dimë se çfarë ndodhi atje. Përndryshe Kroacia me çdo kusht donte që kjo çështje e okupimit të një pjese të territorit të saj të zgjidhet me mjete paqësore, me dialog. Ne tentuam gjithçka që kjo çështje të zgjidhet nëpërmjet bisedimeve ngase ¼ e territorit kroat ishte nën okupim dhe ne duhej që këtë çështje ta zgjidhim ose me bisedime ose me aksion ushtarako-policor. Duke marrë parasysh se bisedimet nuk patën sukses dhe aty kishte forca paraushtarake dhe një parashtet në territor kroat,ne me një aksion të rrufeshëm e zgjidhëm këtë, ku në 240 drejtime e sulmuam këtë “parashtet” dhe për 36 orë kjo u zgjodh. Por gjatë realizimit të të këtij aksioni me emrin “Stuhia” shihej qartë se ata njerëz ishin të organizuar në tërheqje d.m.th ata para përfundimit të aksionit ishin rrugës për në Serbi. Mua më duket se plani i Millosheviqit ishte që këta serbë të Kroacisë ti angazhojë për krijimin e Serbisë së Madhe dhe nëse ky plan nuk arrin të realizohet atëherë të kthejë çështjen në drejtim tjetër,të shpërngulë shqiptarët nga Kosova dhe në Kosovë të sjellë një masë të madhe serbësh nga Kroacia. Por atë që unë e dijë është se serbët e Kroacisë nuk kanë pranuar të shkojnë në Kosovë kurse nga ana tjetër Kosova u përgjigj me një rezistencë ushtarake dhe plani për realizimin e Serbisë së Madhe nuk u realizua.
Z.Mesiq a pajtoheni me thëniet se sezoni I luftërave në Ballkan ka përfunduar, por hartat akoma nuk janë vendosur nëpër arkiva?
Pasi e njoh mirë situatën, mund t`ju them se në rajonin tonë por edhe në Evropë, puna e kufijve tashmë ka përfunduar. Kufijtë më nuk do të ndryshohen,as kufiri i Kosovës,asnjë kufi nuk do të pësojë ndryshime. E vetmja gjë që do të ndodhë është se kufijtë do të hapen edhe atë kufijtë e Evropës së Bashkuar. Në këtë Evropë të bashkuar shtetet do të mbeten ata që janë,Franca do të mbetet Francë,Gjermania-Gjermani,Maqedonia do të mbetet Maqedoni,Kosova-Kosovë,Shqipëria-Shqipëri,por çka do të fitojmë?Atë që shumë njerëz nuk e kuptojnë.
Në Evropën e bashkuar secili popull pa marrë parasysh kufijtë do të jetojë në korpusin e tij kulturor. D.m.th të gjithë francezët do të jetojnë në hapësirën e tyre të përgjithshme kulturore. Pa marrë parasysh kufijtë që do jenë të hapura, kështu që të gjithë shqiptarët do të jetojnë në hapësirën e tyre të përgjithshme kulturore si ata në Shqipëri,Maqedoni,
Mal të Zi e Greqi të gjithë këta me kufijtë e hapur do të jetojnë në hapësirën e tyre kulturore dhe kjo për zhvillimin e një populli është e një rëndësie të veçantë kurse për botën dhe Evropën do të ketë edhe më shumë rëndësi ngase nuk do të ketë motive dhe shkaqe për luftëra. Por edhe rregullorja ligjore do të jetë evropiane. D.m.th nuk do të ketë shkaqe të pushtohen territore të huaja kur ato territore do të jenë kompakte.
Jeni takuar me përfaqësues të partive politike shqiptare në Maqedoni. Çka ju thanë ata? Si mendoni?Prej çka është i frustruar një qytetar i rëndomtë shqiptar në Maqedoni?
Unë mendoj se udhëheqësit e partive politike shqiptare me të cilët kam biseduar janë të vetëdijshëm që shqiptarët paraqesin një bashkësi të madhe njerëzish në Maqedoni dhe se Maqedonia pa këtë bashkësi të shqiptarëve praktikisht nuk mund të ekzistojë.
D.m.th të gjithë problemet duhet të zgjidhen me konsensus me marrëveshje dhe kjo është e vetmja mënyrë për prosperitetin e Maqedonisë.
Nëse në Maqedoni do të shkohej me një nacionalizëm të sforcuar kjo mund ti sjellë dëm vetë Maqedonisë,por nëse shkohet me një patriotizëm,kjo do të thotë që cdokush të ndjehet qytetar I Maqedonisë dhe të pranojë këtë si shtet të vetin atëherë edhe Maqedonia do të ketë një pozicion më të fortë ndaj Greqisë,ku siç e dimë për shkak të kontestit rreth emrit nuk e lejon Maqedoninë që me hapa të shpejtë të hapërojë në UE. Për shqiptarët dhe maqedonasit në Maqedoni kryesorja është që sa më parë ta kthejnë Maqedoninë kah integrimi evropian,kurse grekët duhet të kuptojnë se kjo për ta është një çështje politike dhe se ata kanë mjaft probleme të tyre që janë të një rëndësie të veçantë siç janë financat,ekonomia etj dhe duhet të kuptojnë se edhe për ta lehtësohen këto çështje jetike nëse çështjet politike janë të zgjidhura.
Mendoni se me pavarësinë e Kosovës është zgjidhur çështja shqiptare në Ballkan?
Unë mendoj se po. Jo vetëm se është zgjidhur çështja shqiptare por është zgjidhur edhe çështja kroate sepse edhe kroatët nuk jetojnë të gjithë në Kroaci-disa jetojnë në Bosnjë e Hercegovinë,Vojvodinë,të tjerët në Hungari,Austri por edhe në Kosovë kemi kroatë.
Çështja kombëtare tashmë është zgjidhur por edhe çështja e kufijve është zgjidhur. Pikërisht atë që thashë,nuk ka më motive për ndryshimin e kufijve.
Për fat të keq këtë në Serbi disa nuk e kanë kuptuar.
Unë ua kam dërguar një mesazh kroatëve të Bosnjës. Atdheu juaj është Bosnja e Hercegovina,kryeqyteti juaj është Sarajeva,politikën tuaj bëjeni në Sarajevë.
Në Serbi,në kreun e shtetit,ende askush nuk u ka thënë serbëve të Kosovës se atdheu juaj është Kosova,kryeqyteti juaj është Prishtinë dhe politikën tuaj bëjeni në Prishtinë.
Por tek shqiptarët mendoj se ky procese ka shkuar shumë përpara në kuptim që shqiptarët janë të vetëdijshëm për fuqinë dhe ekzistencën e tyre,janë të vetëdijshëm që jetojnë në disa shtete dhe e drejta e tyre është të jetojnë në korpusin e tyre kulturor me kufij të hapur dhe për këtë shkak mendoj se tek shqiptarët ky proces ka shkuar më përpara – mos ndryshimi i kufijve por hapja e kufijve.
(Intervistoi: Rean Saiti, Tvart – Tetovë)



Facebook
Furl
Digg
Myspace
Windows Live
Yahoo MyWeb
Publikoni komentin tuaj