Hyrje | Intervista | Canovski: Torbeshët janë më të afërt me shqiptarët se me maqedonasit

Canovski: Torbeshët janë më të afërt me shqiptarët se me maqedonasit

image

“Shihni sa shumë martesa të përbashkëta kemi! Madje edhe vet unë jam nga nëna pastër shqiptare. Vetëm ai që nuk ka sy dhe mendje të shëndoshë nuk mund ta shef këtë realitet”, thotë drejtori i universitetit FON Sefer Canoski, në një intervistë për gazetën “Lajm” dhe portalin “Almakos”

 

Torbeshët janë më të afërt me shqiptarët se sa me maqedonasit, mirëpo hapin e parë për një bashkëpunim të ndërsjellë mes tyre duhet ta bëjnë shqiptarët vlerëson Sefer Canoski, drejtor i universitetit FON, në një intervistë për gazetën “Lajm” dhe portalin “Almakos”. Në këtë intervistë ai i demanton zërat se si kandidat i mundshëm për kryetar Struge, është shkaku për prishjen e koalicionit LSDM-PDSH.  

 

Z. Canoski, a mbajnë akuzat se ju  jeni shkaku për prishjen e koalicionit PDSH-LSDM?

 

Nuk e mbivlerësojë veten gjer në atë nivel sa të them se kam aq ndikim sa të prish koalicione në mes partive të mëdha politike siç janë LDSM dhe PDSH. Aq më pak jam anëtar i këtyre dy partive apo i ndonjë partie tjetër politike, andaj nuk besoj se jam shkak i prishjes së ndonjë koalicionimi. Kohë më parë në disa mediume u pat përmendur emri im për kandidat të mundshëm për kryetar të Strugës në zgjedhjet e ardhshme lokale, por në fakt unë as që kisha biseduar me ndonjë parti politike për një çështje të tillë. Para një muaj pata shkruar një kolumnë nga e cila mund të kenë qenë provokuar biseda të tipit të tillë, por unë në fakt atë e pata shkruar vetëm për atë se jam strugan, i cili si çdo qytetar tjetër i këtij qyteti me bukuri të rrallë natyrore, me siguri se është i brengosur me atë që i ndodhë qytetit me aq shpirt dhe potencial që i ka falë Zoti. Me të vërtetë dhemb shumë kur para syve shembet ajo që e ka falë natyra atje, kurse ndokush pamëshirshëm atë e shkatërron dhe shkelë. Për fat të keq Strugën e udhëheqin njerëz që nuk kanë ide se çka i duhet këtij qyteti dhe rrethinës, njerëz që nuk mund të kuptojnë shpirtin e Strugës, e as të kuptojnë nevojat e qytetarëve të saj, e të mos flasim për ndonjë ideal njerëzor apo për kapacitet mental të mjaftueshëm që të kuptojë se kanë përgjegjësi së paku morale para njerëzve të zakonshëm. Vënia e Strugës në shërbim të xhepit personal apo interesave të disa personave me vlera të dyshimta paraqet nënçmim për qytetarët e Strugës dhe gjithë rrethinës. Prej këtu, shpresojë në ndërgjegjen e liderëve partiak që kur të propozojnë kandidatë për njeri të parë të qytetit tim së paku të kenë parasysh se çka nxjerrin dhe të mos nënçmojnë qytetarët e kësaj ane, e as të nënvlerësojnë inteligjencën e tyre.

 

Pas “divorcit” PDSH – LSDM a ka gjasa që ju sërish të kandidoheni për kryetar të komunës së Strugës? 

 

Thash se s’kam ambicie për një gjë të tillë. Unë tani disa vite jetojë dhe veprojë në Shkup edhe pse zemrën e kam në Strugë. Tani disa vite jam fokusuar në Universitetin FON i cili tani më është shndërruar në universitet me standarde evropiane. Do të duhej shumëçka të flijoi nga prezenca ime në ekipin menaxhues të këtij universiteti që të merrem me udhëheqjen e komunës së Strugës. Herë pas here më rrotullohet në kokë se megjithatë duhet gjithçka flijuar që të dëshmohet se sa shumë mundet Struga. Ajo me pozitën që ka dukshëm e tejkalon Ohrin. Eventualisht do të kisha menduar edhe për këso flijimi nëse do të isha përkrahur së paku nga ndonjë parti politike shqiptare, duke pasur parasysh realitetin multietnik dhe multikulturor të qytetit tim. Përndryshe mendojë se ne akoma nuk kemi mbërri deri aty që të përkrahim individ e jo struktura të imponuara partiake, të cilëve në të shumtën e rasteve po t’ua heqësh uniformën partiake do të shohësh një zbrazëtirë të madhe. Nëse vazhdojmë me logjikën e xhepit personal atëherë do të ndërtojmë një praktikë djallëzore bazuar në logjikën “të pasurojmë dy tri njerëz duke varfërua të gjithë njerëzit tjerë”. Këtë nuk e lejon as morali, as ndërgjegjja e as Zoti.

 

A ka gjasa që sërish për kreun e Strugës të kandidojë i ati juaj, Fijat Canoski?  

 

Për këtë më mirë ta pyetni personalisht im at. Unë nuk dua që të ndërhyjë në vizionet dhe planet e tij, pasi ai për mua gjithherë do të mbetet baba nga i cili duhet të marrë këshilla, por jo edhe t’i jap këshilla. Në këtë drejtim si duket akoma jam konservativ. Madje, siç thash pak më parë, unë as që jam anëtar as i Partisë për Ardhmërinë Evropiane. 

 

Pse PAE deri tani nuk ka koalicionuar me ndonjërën prej partive shqiptare, por vetëm me VMRO-DPMNE-në dhe LSDM-në? 

 

Këtu fajin nuk duhet lypur vetëm te njëra palë. Mendojë se një hap të tillë më normale do të ishte ta bëjë ai që ndjehet më i madh. Më duket se partitë shqiptare në luftën interne të tyre për apetite të mëdha, harrojnë interesat strategjike. Duheshe të vjen kryeministri turk këtu që t’ua përkujtoj atë që edhe duke fjetur duhej vet ta dinë. Megjithatë, pajtohem se faji është te të dy palët. Duhet përkujtuar se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2008 PAE pat iniciuar që të koalicionohet me partinë më të madhe shqiptare. Nëse më pyetni mua, unë do të kisha thënë se PAE dhe Torbeshët kanë shumëçka që i lidhë me Shqiptarët. Zoti ka dashtë që këta bashkësi të jetojnë bashkë dhe vetëm si të tillë mund t’i realizojnë qëllimet dhe idealet e tyre. Njerëzve nuk u duhet ndasi, por unitet që të kenë një jetë më të mirë, arsim më kualitativ, shëndetësi më humane, ekonomi më të zhvilluar, punësim më adekuat. Përndryshe s’kemi nevojë për pushtet nëse këto komponenta nuk plotësohen. Aq më pak nëse pushteti ekziston vetëm për vetveten.

 

Cili është mendimi juaj për torbeshët në aspektin etnik janë më të afërt me shqiptarët apo me maqedonasit? 

 

Nuk jam historian që të definojë këtë çështje tejet të ndjeshme. Studimet objektive shkencore lidhur me etnogjenezën e Torbeshëve janë në fazën fillestare. Por, marrë në tërësi fakt është se bëhet fjalë për identitete tejet të përafërta në shumë segmente me Shqiptarët dhe Turqit. Këto njerëz në bindjet e tyre të zakonshme nuk shoh që ndjenjë ndonjë animuzitet ndaj njëri tjetrit. Përkundrazi që të dy palët kanë ndjenjë të afërsisë. Këtë duhet edhe më tepër ta avancojmë. Shini sa shumë martesa të përbashkëta kemi! Madje edhe vet unë jam nga nëna pastër shqiptare. Vetëm ai që nuk ka sy dhe mendje të shëndoshë nuk mund ta shef dhe ndjej këtë realitet. 

 

Jeni dëshmuar si menaxhues i mirë i universitetit FON, duke e radhitur ndër universitetet më prestigjioze në Maqedoni. Ç’far risi planifikoni për të ardhmen në këtë universitet?  Çka mendoni për arsimin në Maqedoni?

 

Universiteti FON këtë vit feston dhjetë vjetorin jubilar të punës së vet. Qëllimin parësor tani më e kemi realizuar. Ai ishte që FON të shndërrohet në institucion jo vetëm rajonal, por edhe evropian dhe më gjerë. Tani këtë universitet e njeh edhe elita e arsimit dhe shkencës evropiane. FON tani më ka lidhë marrëveshje të shumta për bashkëpunim me mbi 40 universitete dhe asociacione të brendshme dhe ndërkombëtare arsimore e shkencore, siç janë për shembull – Aliansa e universiteteve të Evropës qendrore dhe Lindore, International Universities Council (IUC), Girne American University North Cyprus, Euro-Mediterrean University dhe shumë e shumë të tjerë. Tani vazhdojmë me qëllimin e dytë - që nënkupton FON të shndërrohet në universitet që do të jetë i konsumueshëm për shumë brende kompanish të jashtme dhe të brendshme. Jemi në kohën e globalizimit të hovshëm, ku çdo segment në çdo moment është i lidhur për kualitetit të arsimit cilësor. Ajo që tani ndodhë partiakisht së shpejti do të vdesë. Ne u themi studentëve – dëshironi të jeni të nënshtruar nga partitë politike për 250 euro apo do të donit të aftësoheni për brende që do ta vlerësojnë diturinë tuaj në mijëra eurosh? Nga ana tjetër, ne jemi një universitet multietnik i cili tani më është shembull se si duhet të ndërtohet vetëdija dhe mentaliteti evropian i cili bazohet në përgjegjësi, punë dhe dije. Vetëm kështu mundemi fëmijëve tanë t’ua ndërtojmë ardhmërinë e shëndoshë. Nuk mund të pajtohem me disa veprime dhe strategji të cilat udhëhiqen në shtetin tone, qoftë si arsim apo si trajtim i përgjithshëm. Pushteti në vend që të ndihmon shoqërinë në baza të parimeve të iniciativës së lirë dhe konkurrencës së shëndoshë, ai disperzon arsimin e lartë duke e degraduar dhe devalvuar të njëjtin. Çmimin e një gabimi të tillë shtrenjtë do ta paguajmë në të ardhmen e afërt. Në vend që të hedhim mjete për disperzim të studimeve nga Tetova në Shkup e Kumanovë, apo nga Shtipi në Koçan, me ato mjete kemi mundur t’i kreditojmë studentët që të shkollohen atje ku e kanë vendin. Poashtu pjesë të këtyre mjeteve duhej të investohen në projekte të rëndësishme hulumtuese e shkencore. Neve akoma nuk kemi qendër serioze hulumtuese në shtet që është një absurd i madh. Për shembull, disa kompani të jashtme që kanë investuar këtu kanë qenë të detyruara që inzhenjerët e shkolluar në Maqedoni, ti dërgojnë në aftësim në vendet e jashtme. Ne jemi duke ecur drejtë Evropës dhe nëse nuk ndryshojmë shumëçka tepër do të dëshpërohemi kur të shohim standardet e tyre. Duhet pasur parasysh se ne jemi një vend me resurse të kufizuara, pa dalje në det. S’kemi alternativë tjetër për të mbijetuar pos arsimit kualitativ. Nëse shiqojmë nga histroria e afërt apo e largët, do të shohim se të gjitha ato shtete që kanë investuar në arsim dhe shkencë kualitative janë shndërruar në amperi zhvillimore. Arsimi i improvizuar do të na dëmtojë shumë. Neve shpesh na thonë se jemi universitet i shtrenjtë, kurse ne mendojmë se arsimi më i shtrenjtë është ai që është më i lirë. Ai paguhet gjithë jetën.

 

 

 

Subscribe to comments feed Komente (6 publikuar):

në 08/02/2013 19:54:27
avatar
Nuk duhet humbur kohe sa u perket tobeshe-ve. Ne asnje menyre nuk munden te jene te tjere pervecse SHQIPTARE. Torbeshet ne fillim jane islamizuar, sllavizuar dhe tashe aty-ketu turqizuar. Me vjene shume keq nga TORBESHET pse nuk e vendosin nje here e pergjithmone-te kthehen shqiptare, duke e ditur ata vet se ne Ball(e)kan(e)ka vetem shqiptare. Turp eshte nese rrine neutral apo ti mbeshteten ndonje kombi tjeter dhe s,mundet se nuk u perkasin te tjereve perce SHQIPTAREVE. Me nderime nga nje krijues letrare...
Thumbs Up Thumbs Down
1
B.meta në 29/01/2013 22:34:09
avatar
Edhe un e ndaj mendimin e njejte qe duhej me kohe ta kishin hekur ate ski te mbiemri edhe deri tash duhej ta kishin mesuar shqipen sikur disa nga ato por skan vullnet.
Thumbs Up Thumbs Down
2
naser në 26/01/2013 09:39:14
avatar
Kam takuar mie person me Elton rafet shkreli por me tha se esht i Novi pazarit dhe e ndjen vehten si musliman boshnjak kurse ne realitet me tha se Jam shqiptar. Ne gjermani
Thumbs Up Thumbs Down
2
qemali në 26/12/2012 14:51:58
avatar
Tërbeshët janë shqiptar të slavizuar në gjuhë. Kjo është vetëm kështu. Prandaj jo që janë më të afërt me shqiptarët, por janë shqiptar. Kjo mund dikujt të mos i pëlqejë, po realiteti është i tillë. Kjo vlenë edhe për shumë të quaturit makedonski muslimani dhe për shqiptarët e Novi Pazarit të dekalaruar kohë më parë si boshnjak.
Thumbs Up Thumbs Down
3
ana në 20/11/2012 20:03:23
avatar
Jam dakord me kete qe thua Z.Sefer ne vertet jemi te afert por per te qene kjo e vertete ju hiqeni ate Ski-ne qe ti jepni me shume hijeshi emrit dhe pamjes tuaj,sepse ski-ne e keni te imponuar
Thumbs Up Thumbs Down
4
Ana në 20/11/2012 19:57:31
avatar
Jam dakord me kete qe thua Z.Sefer ne vertet jemi ta afert por per te qene kjo e vertete ju hiqeni ate Ski-ne qe ti jepni me shume hijeshi emrit dhe pamjes tuaj,sepse ski-ne e keni te imponuar
Thumbs Up Thumbs Down
1
total: 6 | Treguar: 1 - 6

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem shënoni kodin që shikoni në imazh:

  • email Email shokëve
  • print Printo
  • Plain text Vetem tekst