Ambasadat të sigurojnë që dëshmitari i rrezikuar do të flasë pa sufler
Rasti “Monstra” për të cilin prokuroria mezi arriti të ngre aktakuzë, vetëm pak orë pas skadimit të afatit të fundit ligjor të mbajtjes në paraburgim të të dyshuarve është ndër rastet më eklatante ku shkelen të gjitha ligjet ekzistues. Gjashtë shqiptarë akuzohen për terrorizëm, akuzohen se kanë vrarë pesë të rinj maqedonas në afërsi të liqenit Smillkovcë.
Në intervistën për “Lajm” avokati i të akuzuarve për rastin “Monstra”, Naser Raufi, flet për mënyrën e trajtimit të këtij rasti nga ana e gjykatës dhe prokurorisë, dëshmitë dhe dëshmitarët. Ai thotë se deri më tani është thyer ligji disa herë.
LAJM: Jeni avokat i të akuzuarve për rastin “Monstra”, si po shkon ky proces?
Avokati Raufi: Të enjten mora përgjigje nga Gjykata, e cila nuk e ka pranuar ankesën time me arsyetimin se kanë prova të mjaftueshme për të dëshmuar akuzën. Ne e prisnim një gjë të tillë, pasi deri më tani Ligji është thyer disa herë. Të akuzuarit kanë qenë pa mbrojtës gjatë marrjes së dëshmive nga dëshmitarët. Në bazë të Ligjit për procedurë penale duhet që edhe mbrojtësi të jetë aty.
LAJM: Pse mendoni se nuk ka bazë akuza?
Avokati Raufi: Nuka ka asnjë bazë, është një aktakuzë paushale. Dyshimet për këta persona kanë lindur në bazë të koncesionit të tokës që ka njëri prej të akuzuarve, jo te liqeni, po afër liqenit, ndërsa koncesioner i liqenit është një maqedonas që i është kërcënuar disa herë peshkatarëve që të mos zënë peshk aty. Ndërsa Fejziu ka pas në koncesion tokën dhe jo liqenin.
Dëshmitë janë të gjitha të pabaza, nuk ka prova biologjike, nuk ka asgjë. Asnjëri prej dëshmitarëve nuk ka qenë aty kur është bërë delikti. Vetëm dëshmitari i mbrojtur ka qenë aty 2 orë para se të ndodhë vrasja.
Dëshmitarët e tjerë ishin kontradiktor me njëri tjetrin. Njëri thotë kam parë një, tjetri thotë tre, tjetri katër. Shumë janë kontradiktore, krejt dëshmitë janë kontradiktore. Dhe në bazë të dëshmive nuk mund të sillet aktvendimi, edhe pse as që ka dëshmi aty.
LAJM: Po tek bisedat telefonike a ka bazë për dëshmi?
Avokati Raufi: Jo, nuk ka asgjë. Transkiptat janë muhabete familjare të përditshme, asgjë më tepër.
LAJM: Ministrja e brendshme Gordana Jankullovska deklaroi se personat e akuzuar kanë marrë pjesë në aksione terroriste në Avganistan dhe Irak, gjë që nuk u vërtetua. A mund të paditet Jankullovska për shpifje dhe kur mund të ngrihet padi ndaj saj?
Avokati Raufi: Mund të paditet kur do të ketë aktvendim prej gjyqit. Të gjitha ato që ka thënë ajo kanë qenë të pabazuara.
LAJM: Keni deklaruar se ky rast është një rast i montuar politik që ngjan shumë me rastin e Sopotit. Ku i shihni ngjashmëritë?
Avokati Raufi: Ky rast është një montim i pastër dhe ngjan shumë me rastet e montuara. Te rasti i Sopotit në mungesë të dëshmive dolën dëshmitarë të rrezikuar, edhe këtu njëjtë. Dëshmitari i “Monstrës, as nuk e meriton statutin dëshmitar i rrezikuar, sepse nuk ka parë asgjë dhe nuk ka qenë në vendin e ngjarjes kur ka ndodhur vrasja. Këtë e kanë bërë me qëllim që të duket se kanë prova.
Dëshmitari i rrezikuar nuk ka qenë prezent në kohën e vrasjes, ka qenë një orë e gjysmë përpara vrasjes, dhe thotë se gjoja ka parë dikë me armë. Vetëm dëshmitari i rrezikuar thotë se e ka parë Fejziun dhe Agimin, një orë e gjysmë para ngjarjes. Unë mendoj se edhe ai është mësuar që ta thotë atë.
LAJM: A mendoni se mund të vazhdohet edhe më tej me montime?
Avokati Raufi: Unë kam frikë se mund të vazhdojnë akoma me montim. Mendoj se në momentin kur dëshmitari i rrezikuar do të japë deklaratë bashkë me të do të ketë edhe ndonjë person tjetër, i cili do t’ia diktojë përgjigjet. S’jam i bindur se gjykimi do të jetë korrekt, pasi deri më tani asgjë nuk ka qenë korrekte.
LAJM: Mund të ndodhë që dëshmitari i rrezikuar të këtë ndonjë person aty në momentin që do të deklarohet?
Avokati Raufi: Po, mundet. Gjithçka mund të ndodhë.
LAJM: A mundet dikush t’ju sigurojë që dëshmitari i rrezikuar të jetë vetë në momentin që do të flasë?
Avokotai Raufi: Ka interes të madh nga ambasadat. Do të kërkoj që ata të më sigurojnë që në momentin kur dëshmitari i rrezikuar të japë dëshmi, të jetë vetëm. Pasi nëse do të ketë dikë që do ta mësojë se si të përgjigjet nuk është mirë. Besoj se mund të më ndihmojnë në këtë drejtim.
LAJM: Dy herë resht Gjykata themelore Shkup 1, kërkon që mediat të kenë kujdes, kur informojnë për këtë rast. A mendoni se me këto paralajmërime, Gjykata kërkon ti pengojë mediat?
Avokati Raufi: Mediat deri më tani nuk kanë informuar për pjesën ku kanë qenë masat e veçanta, nuk ka pas asnjë informatë të tillë. Meqë është rast senzitiv, ku është gabuar që në fillim me deklaratat e ministres dhe të prokurorit publik, mendoj se ajo është arsyeja që ata dalin ke kërkesa të tilla.
LAJM: Kur mund të nisë procesi dhe sa mund të zgjasë?
Avokati Raufi: Gjykimi do të nisë në dhjetor dhe mund të zgjasë tre muaj. Sigurisht se do të ketë 12 - 13 seanca.
LAJM: Çfarë epilogu mund të ketë? A do të dalë e drejta në shesh?
Avokati Raufi: Besoj se po. Jam i bindur se këta nuk janë autorët e vrasjes.
LAJM: Meqë tani janë komplikuar shumë gjëra, ministrja e Punëve të Brendshme i akuzoi si terroristë islamikë, pastaj prokurori shqiptoi dënimin me burg të përjetshëm akoma pa nis hetimet…u bë një vorbull…
Avokati Raufi: Të gjitha këto na shkojnë në favor. Unë vetëm nuk e di se në cilën gradë do ta arrijmë suksesin, tek Gjykata supreme, apo do r në Strasburg, sepse shkallët e para dihet. Është predikuar kjo puna e prokurorit publik, i cili tha se janë fajtor pa pas gjykim. Kjo është shkelje e atij institucioni, e fajëson dikë pa nis hetimin. Madje prokurori shkeli Ligjin, caktoi burg të përjetshëm.
Box1: Dëshmitarët me deklarata kontradiktore
“Dëshmitarët që kanë sjellë janë rom, dhe flasin krejt ndryshe - ndryshe, nuk i kanë mësuar as të flasin mirë. Krejt është hauz”, tha avokati.
Box 2: Terroristë që nuk kanë lidhje me terrorizmin
“Terrorizmi është organizatë që është e organizuar me hierarki, që ka detyrat e veta, armët e veta. Këtu , nuk ka as plan, as detyra, as është gjet organizata, as armët, asgjë, asgjë, gjithçka është kot. I kanë nxjerrë motivet e vrasjes pa e gjetur fajtorin”, thotë avokati.



Facebook
Furl
Digg
Myspace
Windows Live
Yahoo MyWeb
Publikoni komentin tuaj