Bashkimin kombëtar do ta realizojmë në bashkëpunim me miqtë perëndimor
Informacioni se në Maqedoni kanë filluar përgatitjet për realizimin e referendumit mbarëshqiptar që inicioi Aleanca Kuq e Zi në Shqipëri, pati jehonë të madhe si në Maqedoni, poashtu edhe në Shqipëri dhe Kosovë. Kryetari i “Illyricum Libertas”, shoqatë që në Maqedoni funksionon si përfaqësi e Aleancës Kuq e Zi (AKZ) në një intervistë ekskluzive për “Lajm” thotë se bashkimi i shqiparëve të Maqedonisë me Shqipërinë do të diskutohet pasi të realizohet bashkimi Shqipëri-Kosovë. Ai thotë se ky bashkim do të realizohet në mënyrë paqësore dhe në bashkërenditje me shtetet e njohura mike të Shqiptarvëe, si SHB-të, Britaia, Gjermania, e kështu me radhë.
LAJM: Në një deklaratë pikërisht për Lajm njoftuat se po bëhen përgatitje për referendum mbarëshqiptar edhe në Maqedoni. A mundeni me më tepër detaje të na sqaroni këtë iniciativë? A ka ndonjë moment të ri?
Kurtishi: Çështja kombëtare si një kauzë e drejtë dhe humane e një kombi të ndarë është arsyeja themelore e daljes në skenë së Aleancës Kuq e Zi. Siç e dini ajo në fakt lindi si një ide për të bashkuar dhe organizuar në një formë konkrete, shqetësimin dhe reagimin e shqiptarëve ndaj përpjekjeve për shtimin artificial të numrit të disa minoriteteve në Shqipëri, para regjistrimit të popullsisë. Me kalimin e kohës ishte e arsyeshme që kjo iniciativë të evoluojë në diçka më serioze dhe më të organizuar me qëllim të përmbushjes së një boshllëku të lënë nga tranzicioni i tejzgjatur shqiptar. Këto dekada nuk e dërguan Shqipërinë aty ku duan shqiptarët. Në këto dy dekada, kauza jonë nacionale nuk u mor asnjëherë seriozisht nga qeveritë e ndryshme apo partitë politike në skenën politike në Tiranë. Shikuar nga ky këndvështrim, Aleanca Kuq e Zi, është subjekti i parë politik, i regjistruar dhe legal në Shqipëri që jo vetëm ka në platformën e saj bashkimin e kombit të ndarë, por ka ndërmarrë edhe hapa konkretë në këtë drejtim.
Siç e dini tashmë, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, më 28 nëntor 2012, nga pika kufitare e Morinës që falë ndërhyrjes së NATO dhe përpjekjeve të shqiptarëve, që nga viti 1999 është shndërruar në një kufi të panevojshëm shqiptaro-shqiptar, Aleanca Kuq e Zi ndërmori iniciativën për organizimin e referendumit popullor për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Kjo kërkesë është bazuar në “nenin 150, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku populli nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote ka të drejtën t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë. Peticioni është firmosur deri më tani nga mijëra qytetarë shqiptarë me të drejtë vote në Republikën e Shqipërisë.
Aleanca Kuq e Zi, e ka vlerësuar që referendumi për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën është hapi i parë, më i arsyeshëm, më i realizueshëm dhe më praktiku në drejtim të bashkimit të kombit të ndarë. Realizimi i një projekti të këtillë do të bashkonte shumicën e kombit në një shtet demokratik shqiptar. Realizimi i referendumit në pjesët e mbetur të kombit, pra në pjesë tjera të territoreve ku shqiptarët janë shumicë e popullsisë, mund të realizohet pas përfundimit të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, në mënyrë tërësisht paqësore, pa dëmtuar askënd, në frymë europiane dhe në bashkëpunim të plotë me aleatët strategjikë SHBA dhe vendet kryesore të BE si Britania e Madhe, Franca, RFGJ etj.
Para bashkimit të dy shteteve shqiptare dhe pa ardhjen në pushtet të faktorit të ri politik në Tiranë por edhe në Prishtinë, nuk mund të organizohen referendume serioze, të mirëplanikfikuara dhe të bashkërenduara me miqtë ndërkombëtare këtu tek ne.
LAJM: A e keni diksutuar këtë temë me përfaqesues të partive shqiptare? Cilat janë reagimet e tyre?
Kurtishi: Udhëheqësit e Aleancës Kuq e Zi në Tiranë kanë hapur temën e mundësisë së realizimit të projektit të bashkimit në çdo takim formal dhe informal që ata kanë pasur me politikanët tanë andej e këndej kufirit. Në secilin rast, është argumentuar ratio/arsyeja dhe domosdoshmëria së pari ekonomike dhe pastaj edhe politike e bashkimit të energjive kombëtare në një shtet të pavarur, sovran dhe të europianizuar. Megjithatë, është qëndrim i AKZ që forcat e vjetra politike që tashmë 20 vite janë prezentë në skenën tonë, me politikën e tyre retrogade të mbajtjes së pushtetit më çdo kusht dhe në çdo mënyrë, të korruptuara dhe të shantazhuara nga tjerët nuk janë në gjendje dhe nuk kanë sesi të mbrojnë kauzën kolektive të shqiptarëve, si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj. Për këto arsye, takimet me forcat politike shqiptare sidomos në Tiranë kanë qenë në funkson të informimit të tyre, njohjes së ndërsjellë si dhe kërkimit të pikave të përbashkëta ku mund të bashkëpunohet. Realisht, reagimet e tyre nuk janë pozitive dhe as serioze dhe as që ka nevojë të komentohen.
LAJM: A ka ndonjë reagim deri te ju nga përfaqësues të bashkësisë ndërkombetare lidhur me paralajmërimin për referendum mbarëkombëtar?
Kurtishi: AKZ në Tiranë ka një bashkëpunim korrekt, në baza ditore dhe shumë të frytshëm me ambasadorët e shteteve mike, pra të BE dhe SHBA. Në çdo takim janë marrë parasysh raportet rajonale të forcës, marrëdhëniet dypalëshe dh shumëpalëshe, vullneti i fuqive të mëdha, pra i atyre që në një mënyrë kanë ndikim në fatet e Shqipërisë dhe rajonit në përgjithësi. Sipas informacioneve që ne kemi, në çdo takim, përfaqësuesit e shteteve mike kanë shprehur mirëkuptim për formën më demokratike të vetëvendosjes -referendumin. Kuptohet që politikat agresive, ata që kërkojnë dëmtimin e tjerëve nuk përkrahen as nga shqiptarët dhe as nga të huajt. Por më duhet të them, asnjë përfaqësues i huaj nuk është shprehur kundër referendumit demokratik, të lirë që nuk dëmton tjerët në Ballkan.
Në këtë vijë, është keqinterpretuar shumë nga media të caktuara edhe deklarata e shkëlqesisë së tij, ambasadorit amerikan në Tiranë, z.Arvizu, që AKZ të qëndrojë larg retorikave dhe aktiviteteve nacionaliste dhe të bëjë më shumë në luftën kundër korrupsionit dhe sfidave tjera me të cilat përballen shqiptarët në vend. Por, shikuar realisht, ambasadori Arvizu ka përshëndetur aktivitetin e Aleancës, ka qenë prezent personalisht në disa organizime madhore të saj si dhe është shprehur vazhdimisht pro të rinjve në politikë, për demokratizim, për respektim të shqiptarëve si të barabartë në Ballkan dhe më tepër. Pra, në fakt, qëndrimet e AKZ duke qenë progresiste, paqësore dhe reformuese janë përshëndetur nga përfaqësuesit diplomatikë në Tiranë.
Kritikat kryesore kanë qenë nga qarqe që nuk ua duan të mirën shqiptarëve të cilët krijuan edhe asociacione të rrezikshme dhe tërësisht të padrejta me parti të tipit Agimi i Artë, që s’kanë asgjë të përbashkët as me programin, as me aktivitetin dhe as me filozofinë politike të AK.
LAJM: Kur mund të presim formimin zyrtarë të AKZ-së në Maqedoni si forcë politike? A ka gjasa te paraqiteni ne zgjedhjet e ardhshme lokale ne ndonjë forme, si përfaqësi e AK-se ne Maqedoni?
Kurtishi: Aleanca Kuq e Zi është parti politike e formuar, regjistruar dhe me aktivitet në territorin e Republikës së Shqipërisë. Pra, të jemi të qartë, AKZ vepron si subjekt politik vetëm në shtetin shqiptar ku ka degë të formuara dhe shumë aktive. Në rajon dhe në diasporë ajo funksionon si bashkime aktivistësh vullnetarë apo si grupe joformale të qytetarëve tanë të cilët janë përkrahës të programit dhe ideve të kësaj partie me seli në Tiranë. Këtu në IRJ të Maqedonisë, Aleanca është thjesht një grupim qytetarësh që mendojnë se është në interesin e shqiptarëve këtu dhe më gjerë që ajo të jetë në pushtet në Tiranë. Në këtë drejtim, ne si Shoqatë për mbrojtjen dhe afirmimin e identitetit kombëtar, Illyricum Libertas, e kemi mbështetur, e mbështesim dhe do ta mbështesim AKZ dhe jo vetëm.
Sa i takon pjesës së dytë të pyetjes dhe për të qenë më të drejtpërdrejtë. Aleanca nuk e ka në plan që jashtë Shqipërisë të rritet në organizëm politik dhe me këtë edhe të paraqitet në çfarëdolloj zgjedhjesh qoftë, lokale apo të përgjithshme parlamentare.
LAJM: Ju me disa aktivistë morët një dënim me kusht për vizatimin e hartës së Shqipërisë Etnike në Tetovë? A keni pasur presione tjera në ndërkohë?
Kurtishi: Ndodhi që Gjykata Themelore - Tetovë solli një vendim solomonik dhe të padrejtë duke na shpallur fajtorë për një vepër të paqenë dhe duke na dënuar me kusht njëkohësisht. Neve ky vendim nuk na duket i drejtë, pasi siç e kemi shpjeguar vazhdimisht, Gjykata ka bërë përpjekje të vazhdueshme, konstante që gjithë çështjen në fjalë ta reduktojë nga njëra anë në punë grafitesh e vizatimesh që bëhen gjithkund nëpër rrugë dhe nga ana tjetër ti japë kësaj një konotacion shumë të rrezikshëm, si nxitje të urrejtjes ndëretnike, racore e fetare, ndarjes dhe mosdurimit në shoqëri. Pra nga njëra jemi fyer në vazhdimësi me akuza të tipit " disa çuna të rinj që e vizatuan atë grafitin", kurse nga ana tjetër vepra për këtë "grafitin" ishte penale dhe e rëndë kurse sanksioni i paraparë shumë i lartë. Gjykata nuk është fare me aktivitetet e tjera të ditës në fjalë (28 nëntor 2011), por është koncentruar në një grafit që është vizatuar nga disa të rinj në kuadër të grupit në mënyrë shumë publike.
Tani së fundmi dhe në një zhvillim krejt të papritur, Prokuroria është ankuar në vendimin e gjykatës duke e interpretuar atë si joadekuat me shkallën e rrezikshmërisë së veprës. Pra siç shihet presioni ndaj nesh vazhdon dhe s’dihet si do të përfundojë kjo as pas 1 viti e gjysmë proces.
Shikuar realisht, prapa këtyre gjykimeve e dënimeve qëndron një plan konkret i qeverisë së këtij vendi, ku më duhet të them fatkeqësisht bashkëpunojnë edhe qarqe të caktuara të themi kushtimisht "shqiptare", që të mbytet zëri qytetar, zëri alternativ, kritika konstruktive kurse sektori civil shqiptar të reduktohet në dy lloj speciesh. Të parët në shërbëtorë të strukturave partiake dhe të dytët në shërbëtorë të gjithfarë qarqeve të dyshimta nga jashtë. Me këso lloj strategjish të mbrapshta është arritur qëllimi dhe një pjesë e sektorit civil shqiptar është heshtur. Ne si "Illyricum Libertas", edhe pse në kushte të rënda përpiqemi të veprojmë në kuadër të rrethanave dhe mundësive si të pavarur. Nuk jemi përzier me struktura partiake dhe jemi të hapur për bashkëpunim me gjithë ata që punën vullnetare dhe aktivizimin pozitiv civil në shoqërori e kanë me seriozitet dhe pa qëllime tjera. Tjetër gjë pastaj sa dhe si kjo veprimtari pasqyrohet në akëcilën media.
Lajm: Si mendoni se do te kaloje AK ne zgjedhjet e ardhshme parlamentare ne Shqipëri?
Kurtishi: Është përshtypje e përgjithshme që Aleanca është pranuar tashmë nga pjesë të gjera dhe sidomos tek moshat më të reja dhe më të vetëdijshme të shoqërisë shqiptare si forca reale e ndryshimit, si diçka ndryshe, si diç më cilësore, më e sinqertë dhe më pozitive në skenën politike atje. Eshtë fenomeni i njëjtë që ndodh edhe me lëvizjen tjetër progresiste në Prishtinë, me Vetëvendosjen. Edhe hulumtimet e fundit të opinionit si dhe anketimet e realizuara nga agjenci të ndryshme flasin për një interes gjithnjë e në ritje të qytetarëve për të votuar Aleancën në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri.
Duke u bazuar në këto anketime, por mbi të gjitha në informacionet që vijnë nga Tirana, AKZ duket të jetë etabluar si forcë e madhe e tretë politike në Shqipëri, që për një lëvizje të formuar një vit më parë është sukses real dhe për tu admiruar.
Ne mendojmë dhe jemi të sigurt që Aleanca Kuq e Zi, duke qenë një forcë rinore me plot elan, energji dhe vullnet do të jetë e aftë të bëjë ndryshimet e duhura po të jetë në ekzekutivin e vendit. Shpresojmë që kjo të ndodh sa më parë në interesin më të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve na trojet e tyre në rajon e më gjerë. Një Shqipëri stabile, demokratike, me institucione serioze ku respektohen standardet europiane është një aset për stabilitetin ballkanik. Jemi të sigurt që forca e re progresiste, Aleanca Kuq e Zi, do të jetë në gjendje të japë kontribut madhor në këtë drejtim.



Facebook
Furl
Digg
Myspace
Windows Live
Yahoo MyWeb
Ai ndodh për qdo ditë NATYRSHEM...
Publikoni komentin tuaj