Maqedonia 10 vite pas 2001-shit mbetet shtet mono-etnik
Prorektori për hulumtime në Universitetin e Evropës Juglindore, Blerim Reka, në intervistën për gazetën Lajm, tha se Marrëveshja e Ohrit shuajti konfliktin, por nuk shuajti edhe burimet e këtij konflikti. Sipas tij kjo marrëveshje paqesore, ruajti sovranitetin dhe integritetrin territorial të Maqedonisë, por nuk ruajti integritetin kombëtar të qytetarëve që nuk i përkisnin shumicës. ” MO përjashtoi zgjidhjet territoriale të problemeve etnike, mirëpo ruajtja e karakterit unitar të shtetit, nuk u përcoll edhe me implementimin përkatës të masave, me të cilat të gjithë qytetarët e këtij shteti unitar, do të jenë barabratë të trajtuar. Lufta në Maqedonia, ishte rasti i vetëm nga luftërat në ish Jugosllavi, e cila nuk ishte zhvilluar për teritore, por për status shtet-formues të qytetarëve të barabartë të këtij shteti”, tha Reka. Ai shtoi se edhe pse fryma e MO ishte ndërtimi i shtetit qytetar, Maqedonia edhe pas një dekade nga inaugurimi i kesaj filosofie pajtuese, funksionon ende si shtet mono-etnik.
LAJM: 10 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, si e shihni sot këtë dokument?
Blerim Reka : Rrëfimi për dhjetëvjetorin e MO, i ngjan gotës jo plotësisht të mbushur. Për dike ajo eshtë gotë gjysmë e mbushur, për të tjerët vetëm gotë gjysmë e zbrazët. Vlerësime të ngjashme për këto dhjetë vite pati edhe procesin e implementimit të kësaj marrëveshjeje.
Dioptira: bardh e zi, shkonte nga ekstremi në ekstrem: ose, se MO është plotësisht e implementuar, (bindje kjo, që ende dominon tek maqedonasit); deri tek vlerësimi se kjo marrëveshje aspak nuk është implementuar, (qëndrim ky i shqiptarëve).
Pa marë rolin e arbitrit midis këtyre dy perceptimeve të ndara etnikisht, do të mundohem, të ofroj faktet se sa për këtë dekadë ishte implementuar, përkatësisht nuk ishte implementuar MO. Pra askush nuk e mohon implementimin solid te kesaj marrevshje me te gjitha vonesat dhe ngecjet qe ndodhen, por per te qene real duhet konstatuar se ka ende pune per tu bere ne implementimin e ketij dokumenti. Pra nuk eshte qellimi ketu qe te fajesojme dike apo per te kerkuar pergjegjesi per vonesat por vetem per te konstatuar se cka u implmentua e cka jo pas 10 vitesh.
Fakti nismëtar dhe i pakontestueshëm, për analizë serioze shkencore të MO është: vonesa 7 vjeçare e mospimplementimit të tërësishëm të kësaj marrëveshje. Sikunder dihet, procesi i saj implementues duhej të përmbyllej në vitin 2004, ndërkaq sot po hymë në gjysmëne dytë të vitit 2011 dhe ne ende tash e 7 vite e konstatojmë mosimplementimin e plotë të saj.
Për të qenë i paanshëm, analizën time do ta nisi me një vlerësim zyrtar politik të Unionit Evropian, i dhënë nga Këshilli për SA, në vitin 2002, i cili ngjarjen e vitit 2001 e kishte vlerësuar si: ”krizë shumë serioze politike”. Unioni Evropian, pra një vit pas nënshkrimit të MO, priste që elita politike e vendit, të merrej me shkaqet e shpërthimit të kësaj krize serioze politike dhe mbi bazën e reflektimit të ftohtë dhe objektiv, të pamundësohej përsëritja e një krize të re.
Prandaj jo pa arësye, qe nga fillimi, bashkësia ndërkombëtare kishte përkrahur MO si një filosofi të re politike, e cila duhej të inauguronte një model të ri për funksionimin e shtetit multi-etnik.
LAJM: Sa është realizuar kjo Marrëveshje? Keni vlerësuar se kanë ngelur edhe katër pika të rëndësishme të Marrëveshjes së Ohrit që duhet zbatuar me doemos? Cilat janë ata?
Blerim Reka: Marrëveshja e Ohrit shuajti konfliktin, por nuk shuajti edhe burimet e këtij konflikti. Kjo marrëveshje paqesore, ruajti sovranitetin dhe integritetrin territorial të Maqedonisë, por nuk ruajti integritetin kombëtar të qytetarëve që nuk i përkisnin shumicës.
MO përjashtoi zgjidhjet territoriale të problemeve etnike, mirëpo ruajtja e karakterit unitar të shtetit, nuk u përcoll edhe me implementimin përkatës të masave, me të cilat të gjithë qytetarët e këtij shteti unitar, do të jenë barabratë të trajtuar.
Lufta në Maqedonia, ishte rasti i vetëm nga luftërat në ish Jugosllavi, e cila nuk ishte zhvilluar për teritore, por për status shtet-formues të qytetarëve të barabartë të këtij shteti. UÇK, (që nga komunikata nr.6) e kishte bërë të qartë se qëllimi i luftës, nuk ishte ndarja e Maqedonisë, por një Maqedoni demokratike unike- e qytetarëve të saj të barabartë. Fatëkeqesisht, ndarjen e shtetit atëbotë, e kishte kërkuar institucioni më i lartë shkencor i këtij shteti: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë.
Pritej, pra, qe gjatë këtyre dhjetë viteve, MO të inauguronte një filosofi të re politike për funksionimin e shtetit multi-etnik, me të cilën do te eliminohej filosofia e vjetër e shtetit mono-etnik. Pritej, poashtu që gjatë kësaj dekade përmes MO, të eliminohej çfardo formë e monopolizmit një-etnik; pastaj e demokracisë së dozuar etnikisht dhe aq më pak, e pronësisë një-etnike mbi shtetin, mentalitet ky i elites politike deri ne vitin 2001.
Edhe pes fryma e MO ishte ndërtimi i shtetit qytetar, Maqedonia edhe pas një dekade nga inaugurimi i kesaj filosofie pajtuese, funksionon ende si shtet mono-etnik.
Përkundër pronësisë së proklamuar të të gjithë qytetarëve, shumica në këtë shtet pretendon se ka pronësinë absolute mbi shtetin.
Përkundër përpjekjes së promovimit të një demokracie konsensuale edhe mëtutje shumica vazhdon të përcaktoj se sa të drejta u takojnë komuniteteve jo- shumicë.
Konsideroj se edhe pas dhjetë vitesh mbetën katër pika problematike, ku ende nuk është implementuar MO, të cilat i kam emëruar si: mosimplementimi përfaqësues, mosimplementimi zyrtar gjuhësor, mos-implementimi i ndërtimit të besimit dhe mos-implementimi buxhetor.
LAJM: Mendoni se është koha që shqiptarët të jenë më të përfaqësues në sistemin politik dhe në institucionet e shtetit dhe sa ka vullnet tek pala maqedonase për një gjë të tillë?
Blerim Reka: Konsideroj se një nga instrumentet, jo aq fatlume që u inaugurua me MO ishte i ashtuqujaturi çelës 20 për qind, për fitimin e të drejtave përfaqësuese për qytetarët që nuk i përkasin shumicsë. Me këtë 20 për qindësh, MO gjatë kësaj dekade, në vend të një dokumenti filosofiko- politik, u redukua në një ushtrimore statistikore të numërimit permanent etnik: sa jemi dhe sa do të jemi? Pasoja e kësaj përqindje absurde edhe krijoi nga shqiptarët e Maqedonisë, një kategori të re sociologjike- deri tash të panjohur kombin 20 për qindësh! Pse u dashka që shqiptarët të numërohen në se janë kaq dhe pastaj t u lejohet fitimi i të drejtave të caktuara kolektive? Kush duhet ta bëjë këtë numërim statistikor dhe pastaj kush është ai që duhet tua lejoj këto të drejta shqiptarëve? A qenkan kështu shqiptarët, pjesa e popullit të këtij shteti që nuk qenka sovrane dhe nuk po vendoska si 80 për qindëshi tjetër i tij? Absurditeti i këtij çelësi 20 për qindësh shihet më së miri te njeri segment i implementimit të MO- përfaqësimin siç thuhet adekuat të jo- shumicës. Pse adekuat? Pse jo përfaqësim të barabartë të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. Si pasojë, gjatë këtyre 10 viteve u dëshmua se ky objektiv i 20 për qind ishte implementuar vetëm, apo kryesisht tek ministritë që i udhëhiqnin ministrat shqiptarë. Ose, të jem edhe më i dejtëpërdrejtë, paska në këtë shtet multi-etnik, poste kyqe të rezervuara vetëm për ata që nuk i përkasin këtij 20%, si: Presidenti i shtetit, Kryetari i Kuvendit, KM, ZVKM për Integrime Evropiane, ZVKM për financa, MPJ, Ministri i Mbrojtjes, MPB, kurse për postet tjera kyqe shtetërore mund tu lejohen edhe qytetarëve 20 për qind. Pse për këto 10 vite të implementimit të MO, asnjëri nga këto 9 poste më të larta shtetërore kurrë nuk u ushtrua nga qytetarët shqiptarë?
LAJM: Keni vlerësuar se ligji i vitit 2008 nuk e zyrtarizon sa duhet gjuhën shqipe, ndërsa edhe kthimi i mirëbesimit nuk është në nivel duke marrë parasysh se Ligji për amnisti nuk është zbatuar si duhet?
Blerim Reka: Implementimi tjetër gjysmak i MO është Mos-Zyrtarizimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në RM konform amendamentit V të Kushtetues së Republikës së Maqedonisë, sepse Ligji i v.2008 nuk e zyrtarizoi gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në nivel shteti, së paku jo bie fjala siç shteti më i ri në botë Republika e Kosovë, e kishte zyrtarizuar gjuhën serbe edhepse atje serbët, janë pesë fish më pak se sa që janë shqiptarët në Maqedoni. Nga u prodhua artificilaisht, kjo frikë se me zyrtarizimin e gjuhës shqipe, Maqedonia do të bëhet më pak shtet apo shtet më i dobët? A na qenkan Belgjika, apo Zvicra, shtete me pak të dobëta edhepse kanë 4 gjuhe zyrtare? Përkundrazi, pikerisht filosofia e MO, në vitin 2001 inauguroi modelin e një komunikimi multi-etnik si faktor pajtimi, ku zyrtarizimi edhe i gjuhës shqipe përcaktohej, por as pas një dekade nuk u arrit të implementohej.
Mos-Implementimi i plotë i Anexit C (masat për ndërtimin e mirëbesimit) dhe rrespektimi i ligjit për Amnestinë, është një tjetër mangësi e procesit implementues 10 vjeçar. Madje, kthimi për tu proceduar në gjykatat e vendit, të 4 rasteve të Hagës, jo qe nuk i ndihmon krijimit të mirëbesimit, por është edhe në kundërshtim me Ligjin për Amnestinë (Gz.Z. nr.18/02, 07.03.2002)
LAJM: Sa dhe si mund të arrihet barazia buxhetore apo shpërndarja e fondeve financiare në pjesët shqiptare?
Blerim Reka: Përfundimisht, nggecje apo mosimplementim te plote te MO ka tek komponenta mos-implementuese buxhetore. Pa marre kompetencen e eksperteve ekonomik nga UEJL, te cilet gjate konferences se fundit paraqiten fakte per kete pa-barazi ne shperndarjen buxhetore, vetem do te shtoja se ky diskriminimi i derdhjës së mjeteve fiskale mbi baza etnike, si ne investime kapitale, si ne fusha te caktuara e sidomos ne kulture ishte me perqindje nje-shifrore.
LAJM: Pse ka interpretime të ndryshme të këtij dokumenti dhe të dispozitave kushtetuese që janë inkorporuar në aktin më të lartë juridik nga Marrëveshja e Ohrit?
Blerim Reka: Pikërisht kështu. Ne edhe pas 10 viteve nga nënshkrimi i MO debatojmë për vonesën ne implementimin e saj 7 vjeçar, ndërkohe që fryma dhe norma e saj është konstitucionalizuar me amendamentet ne Kushtetutën e RM qe nga viti 2002. Andaj nuk kërkojmë asgjë tjetër pos që të respektohet dhe te implementohet drejte akti më i lartë juridik i këtij shteti. MO nuk është meny restorani, për të zgjedhur çka na pëlqen e çka nuk na pëlqen, por një dokument i garantuar ndërkombëtarisht, me obligime të qarta juridike, me bartës konkret dhe me afate të sakta implementuese. Fundja pas amendamenteve kushtetuese, MO ka edhe fuqinë konstitucionale. Andaj, implementimi apo mosimplementimi i saj dëshmon për ekzistencën apo mosekzistencën e vullnetit politik për të ndërtuar një Maqedoni të re evro-atlantike. Andaj, MO nuk duhet ti lihet interpretimeve të lira, por implementimit të plotë- si të shpirtit ashtu edhe të normës së saj.
LAJM: Cilët faktorë kanë ndikuar negativisht në mos zbatimin e këtij dokumenti? A është pala maqedonase ajo që mezi lëshon pe, apo janë shqiptarët që nuk dinë si të arrijnë të marrin atë që duhet?
Blerim Reka: Qe te dyja. E para nga droja se implementimi i plotë i MO do të mund t’i kushtonte në proceset elektorale, për shkak të disponimit dominues tek popullata maqedonase se MO ishte diçka e imponuar. Ndërkaq pala shqiptare, sepse nuk pati fuqi politike te shtynte përpara implementimin e plotë të kësaj marrëveshje. Në opozitë partitë shqiptare kritikonin mosimplementimin e saj, por në pozite jo edhe aq. Andaj e kam thëne edhe me herët ndoshta zgjidhja me e mire do te ishte emërimi i një zyrtari maqedonas në krye të Sekretariatit për Implementimin e MO, në mënyrë që të provohet vullneti i sinqertë për implementimin e saj.
LAJM: Kur mund të pritet implementimi i plotë i kësaj marrëveshje?
Blerim Reka: Pas një dekade nga mosimplementimi i plote i saj vështirë është të jepet ndonjë përgjigje serioze në këtë pyetje. Besoj se, së paku sot, pas 10 vitesh, është kuptuar më në fund se kjo marrëveshje ishte dokument pajtimi dhe kompromisi, që ruajti ekzistencën e këtij shteti. Prandaj - pas viti 2001, Maqedonia, nuk mund të vazhdoj të funksionoj si para këtij viti. Si shtet multi-etnik, ajo nuk mund të funksionoj me norma mono-etnike. Maqedonia mund të ekzistoj vetëm si shtet shumë-etnik dhe demokratik, i bashkë-pronarëve të barabartë dhe sovran.
- “Amnistohen” dhjetëra “kodoshë” të shpallur
- Tetova shënoi “Ditën e dallimeve”
- Nuk ka Evropë, as OKB me “kebab diplomacy”!
- Pastruesi shqiptar diplomon në Universitetin Columbia
- BDI kërkon respektim të shqipes, PDSH vend për “marrëveshjen e re”
- Komandanti i tradhtuar dhe i harruar
- Tregu shqiptar dhe (inter) nacionalizmi ekonomik
- Pjetro Bogdano Macedono (72)
- O të mjerë dilni nga ai koalicioni qeveritar që burgos e vret shqiptar! (59)
- Pse tani Rufi Osmani? (56)
- Dashuria e ndaluar e Agron Buxhakut dhe shkupjanes Meri (53)
- Si ta mbrosh “Abazin” nga Ali Ahmeti (47)
- Partia e shtatë… ! (47)
- Politikanet shqiptar te terur nga pushteti maqedonas (46)
- Shujni-shujni se po fle zv.kryeministri! (45)
- Partia e spiunëve apo spiunët e partisë (44)
- Harun Aliu, viktima e katërt në incident (41)


Facebook
Furl
Digg
Myspace
Windows Live
Yahoo MyWeb
Publikoni komentin tuaj