Intervistë ekskluzive: Profesor Ismail Bardhi flet për veprën e tij të fundit

Para pak kohe doli nga botimi vepra “Sajfet e përkthimit dhe tefsirit të Kur’anit në shqip”. Gazeta Lajm ka zhvilluar një intervistë me profesor Bardhin lidhur me veprën e tij më të re. Çka e motivoi ta shkruajë këtë vepër? Si është gjendja e intelektualëve shqiptarë në Maqedoni? Këto janë vetëm disa nga pyetjet që ia parashtruam profesor Ismail Bardhit.

Lajm: A mundeni pak të tregoni se kush është Profesor Bardhi?

Bardhi: I lindur në Kaçanik, i rritur në Shkup, i shkolluar në Shkup, në Prishtinë, në Sarajevë dhe në Ankara; punëtor shkencor dhe “disident” institucional fetar, po në Shkup.

Lajm: Çfarë ju motivoi ta shkruani veprën Sajfet e përkthimit dhe tefsirit të Kur’anit në shqip?

Bardhi: Ishte një kërkesë nga Universiteti i Ankarasë që kishin filluar me botimin e një serie me titull “Qasje akademike të tefsirit”, me nismëtarë dy punëtorë shkencorë: Mehmet Akif Koç dhe Ismail Albajrak. Natyrisht kjo qasje akademike nuk guxonte të mbetej edhe pa historikun, zhvillimet e tefsirit ndër shqiptarët. Faktikisht edhe ky botim është bërë me lejen e tyre, sepse i njëjti punim përpos në këtë seri, do të botohet edhe në revistën shkencore të Fakultetit Teologjik të Universitetit të Ankarasë.

Lajm: Profesor i nderuar, si e shihni fushën e botimeve fetare në shqip?

Bardhi: Si mund të jemi të kënaqur me botimet që e kanë tejkaluar atë dimensionin e lezetshëm që duhet ta ketë vetë botimi. E gjithë bota është duke u ankuar, respektivisht është duke përjetuar një krizë të madhe të leximit dhe librit. E ç’të themi për shqiptarët të cilët janë ende midis qiellit dhe tokës; asnjë shtet nuk është duke e dëshmuar seriozitetin e duhur; jemi shndërruar në lypsarët dhe puthadorësit më (post)modernë. Politika fare nuk merret me krizën e shkencës, krizën e botimit, përmirësimin e gjendjes së botimit, pa marrë parasysh në cilën fushë. E në anën tjetër kemi rrethin intelektual, i cili nuk ka qenë i përgatitur për një gjë të tillë; punëtorët shkencorë janë shndërruar në një mendësi që në kohët e mëparshme e kanë pasur tregtarët e vegjël.
Sa iu përket botimeve fetare, nuk mund të themi se ato nuk janë të mira, por disa herë duket sikur bëhen në kohën apo vendin e gabuar. Këtu është me rëndësi që t’i largohemi “dëshirës” për të botuar, nga e cila për fat të keq botuesit nganjëherë janë të dënuar, apo të them më mirë “të poshtëruar”. Nuk mjafton vetëm “dëshira” për botim. Pastaj, në këtë kohë duket se kemi shumë tituj të mirë të librave, por pa shije dhe vitamina.

Lajm:: Si e shikoni gjendjen fetare të muslimanëve të Ballkanit, veçanërisht të shqiptarëve?

Bardhi: Një ndër fjalët që e flasim kur jemi kokë më kokë, është se “e humbëm shansin”; dhe neve si duket kjo humbje e shansit po na përsëritet në forma të ndryshme. Një ndër lëshimet, respektivisht gabimet më të mëdha ka qenë dhe mbetet ajo se ne çështjen fetare e shohim përmes prizmit të politikës, kurse çështja fetare në thelb nuk ka të bëjë fare me vijimësinë e këtillë, ajo duhet ta kapërcejë këtë fazë, nuk guxon të lihet në këtë përballje. Sidomos një popull që mëton se është shumë i lashtë dhe se ka histori “të lashtë”, “të plotësuar”, “me kulturë dhe në kulturë”, fenomenin e fesë, respektivisht fenë, nuk guxon ta lërë kështu siç është duke e lënë. Islamin as që na e ka sjellë Perandoria Osmane, e natyrisht as ky Perëndim pjesërisht i Lindjes e pjesërisht i Perëndimit as që është duke na e marrë; edhe njëra edhe tjetra kanë lënë zbrazëtitë e tyre në dimensionin kulturor fetar.
Mos mendoni se e harroj gjendjen aktuale të muslimanëve. Ky ballafaqim i vështirë dhe i rrezikshëm që është duke iu bërë muslimanëve, është sprovë e madhe e feve qiellore. Fetë qiellore duhet ta ndihmojnë dhe ta plotësojnë njëra-tjetrën, jo me armiqësi, por me mirëkuptim dhe mësime nga Fjala e Shenjtë, pse jo edhe mësime teologjike. Ju e shihni sot se shumica e të krishterëve thonë se i besojnë Një Zoti, por kjo nuk mjafton. Po ashtu, ne, muslimanët, i kemi mbrojtur çifutët nga një tmerr i paharruar i Evropës moderne kur i digjte nëpër furra, diçka që nuk i është bërë as kafshëve. Ne gëzohemi që edhe muslimanët shqiptarë, kanë strehuar familje çifute. E sot e shohim Krishterimin dhe Judaizmin që janë duke heshtur ndaj një të pavërtete të madhe që i bëhet Islamit dhe muslimanëve.
Muslimanët shqiptarë, në vend që të mburren se i takojnë një feje monoteiste, politika është duke i ngjyrosur me ngjyrën e armiqësisë dhe një “shkatërrimi” të ardhshëm. Institucionet fetare ekzistuese te ne akoma janë të rënduara me çallëmet, ose me fazën e pubertetit.

Lajm: Çfarë amaneti dëshironi të bartni tek ne të rinjtë?

Bardhi: Amanetin më i mirë që na është lënë neve është thënia e Pejgamberit s.a.v.s.: Keni Librin (Kur’anin) dhe Sunnetin tim. Mundohuni që këto dy amanete t’i ruani dhe zhvilloni në përputhshmëri me gjuhën e duhur të shkencës, letërsisë, artit, respektivisht kulturës në përgjithësi. Mos kini frikë nga botimet që janë bërë dhe bëhen në hapësirën e Perëndimit; filozofia e Perëndimit është mjaft e fortë dhe plotëson zbrazëti të mëdha në fjalorin tonë edhe të krizës që ekziston brenda të kuptuarit të këtyre dy themeleve më të thella dhe më të nevojshme për të gjitha kohërat. Kur’ani dhe Sunneti nuk janë vetëm tonët, por janë TONËT!
Duhet të mendoni dhe të shikoni se si ka mundësi të ndryshojë kjo gjendje, ky vakum te ne dhe më gjerë. Ky qindvjeçar pandërprerë është duke e përdorur një term: “fundi i botës”, ndërsa krizën më të asaj është duke ia sjellë teknologjia, natyrisht me ndihmën e politikës. Mundohuni të bëheni një gjeneratë që do të dijë t’i lexojë këto shenja të kohës dhe ta marrë guximin e ndryshimeve të mëdha, ta luftojë këtë çmenduri të kapitalizmit të pisët pa shpirt, dhe të demokracisë që është duke na bërë rezil dita-ditës. Për një gjë të tillë kërkohet një pjekuri dhe një organizim shumë i mirë. Ky kapitalizëm dhe kjo demokraci kanë krijuar fundamentalizmin dhe terrorizmin e sotëm; ju duhet ta prishni këtë “platformë” të pisët, që ta shpëtoni njeriun, dhe të krijoni një botë që do të zbresë në tokë, ku do të kishte drejtësi e asgjë tjetër. Shikoni se sa janë duke na mashtruar!? Kush është duke kërkuar lirinë nga kjo fëlliqësirë e madhe kapitalizëm/demokraci që ata mundohen të na e japin? Ata mundohen të na e japin/marrin atë që e kemi tashmë.

Loading...