Një parti me dy kryetarë, kështu flitej në opinionin e gjërë pas shkarkimit të Vesel Memedit nga pozita e kreut të RDK-së, dhe në vend të tij kryesia e lartë e kësaj partie vendosi Fadil Zendelin.  Pse u dëbua Vesel Memedi, çka e dallon RDK-në e Zendelit me atë të Memedit, për koalicionet parazgjedhore, për plotësimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe demokratike ose jo. .,për gjithë këto dhe të tjera, portali Almakos ka intervistuar eksluzivisht kreun aktual të kësaj partie Fadil Zendelin.

Almakos: Kohës fundit kishte tensione, akuza, kundërakuza brenda strukturave partiake të RDK-së, që në fund sollën edhe deri te ndërrimi i kryetarit të kësaj partie. A i keni shqyrtuar paraprakisht të gjitha mundësistë për tejkalimin e krizës brendapartiake, ose problemi ishte i qartë “Vesel Memedi” dhe vetëm Vesel Memedi?

RDK është parti demokratike me struktura të organizuara dhe të dëshmuara dhe kjo na obligon që të gjitha çështjet të trajtohen me përgjegjësi të lartë dhe brenda organeve partiake, duke pasur parasysh dhe reflektimet e jashtme në skenën politike. Ngjarjet e fundit në RDK treguan pjekurinë e strukturave partiake për tu ballafaquar me sfida  nga më të ndryshmet në rrugëtimin e saj demokratik dhe është një vlerë shtesë në procesin e demokratizimit të partive politike. RDK dëshmoi së është e përkushtuar në forcimin e demokracisë së brendshme dhe se askush  nuk mund të jetë mbi organet dhe vendimet partiake dhe se së bashku duhet të punojmë që organet partiake edhe më tej të reflektojnë vullnetin e anëtarësisë së RDK dhe të shqiptarëve në tërësi. Shpesh flitet se në partitë politike nuk ka demokraci të brendshme dhe kjo që ndodhi në RDK është një dëshmi dhe proces në drejtim të demokratizimit të RDK dhe instalimit të një fryme të re menaxhuese ku në rend të parë janë aktivistët, strukturat partiake, liria për të shprehur mendime, procedurat demokratike në vendimmarrjen e brendshme , etj. Vlerat demokratike brenda RDK janë instaluar që nga themelimi i saj dhe në  momentin që ato rrezikoheshin, strukturat partiake treguan pjekuri dhe vendosmëri që ato të rikthehen si pjesë e filozofisë politike të RDK-së.

Almakos: Cilat janë ndryshimet në mënyrën e funksionimit të RDK-së pas shkarkimit të Vesel Memedit, dhe ardhjes suaj në krye të RDK-së? N’fakt çka e dallon këtë RDK me atë të Vesel Memedit?

RDK ka një filozofi të vetë të veprimit politik dhe është një nga partitë opozitare që është sfiduar në skenën politike. Ndryshimet nga Kuvendi Qendrorë kanë të bëjnë vetëm me Kryetarin e partisë dhe jo me strukturat tjera udhëheqëse. Dallimet do të jenë në mënyrat e udhëheqjes dhe koordinimit brenda organeve partiake, respektimi i organeve partiake dhe vendimeve që dalin nga organet, konsultime më të shpeshta me anëtarësine partiake dhe të gjithë ata që janë të intresuar të kontribojnë në skenën politike, komunikim më intenziv dhe bashkëveprues me partitë tjera dhe subjektet tjera që mund të kontribojnë, etj.

Almakos: Sa gjeni mbështetjen e kryetarit të parë të kësaj partie, Rufi Osmanit?

Rufi Osmani është intelektual dhe politikan i verifikuar dhe vlerësuar në skenën politike në Maqedoni por edhe më gjërë. Si themelues dhe kryetar historik i RDK roli dhe vendi i tij mbeten të pakontesueshme brenda RDK-së. Mendimet dhe vlerësimet e tija për politikat e RDK-së nga anëtarësia dhe strukturat partiake do të mbeten të mirëseardhura dhe të domosdoshme.

Almakos: Cili është qëndrimi juaj për Lëvizjen për Reforma në PDSH dhe Zijadin Selën, duke qenë se ai në njëfarë sikurse nuk po e njef legjitimitetin e juaj si kryetar partie, por vazhdon bashkëpunimin me Vesel Memedin?

Udhëheqësia partiake legjitimitetin e merr nga organet partiake dhe anëtarësia dhe jo nga partitë tjera politike. RDK është e interesuar që bashkëpunimi me LR-PDSH të vazhdoj dhe forcohet mëtej por objektivi ynë është që ky koalicion të zgjërohet edhe me parti tjera, siq është Lëvizja BESA, UNITETI, shoqata joqeveritare, intelektualë dhe gjithë ato që janë të interesuar për krijimin e një blloku opozitarë shqiptarë, që do të ishte një alternativë reale ndaj pushtetit të konsumuar dhe të komprometuar BDI – VMRO.Dhe në këtë drejtim ju bëjmë ftesë të gjitha partive politike opozitare që të takohena dhe të fillojmë procesin e bisedimeve  dhe gjetjes së një formule bashkëpunimi dhe unifikimi. Jam i bindur se nëse të gjithë partitë politike kanë vullnet politik për bashkëpunim atëherë kjo edhe mund të realizohet.

Almakos: Ju disa herë jeni deklaruar që objektivi i RDK-së është të bashkëpunojë dhe zgjerojë koalicionin opozitar jo vetëm me partitë tjera opozitare, por edhe me të gjitha shoqatat joqeveritare, intelektualë dhe gjithë ato që janë të interesuar për krijimin e një blloku opozitarë shqiptarë, që do të ishte një alternativë reale ndaj pushtetit të konsumuar dhe të komprometuarBDI – VMRO. Kjo ofertë është e ngjashme, apo thuajse e njëjtë me Këshillin Opozitar. A nënkupton kjo që ju solidarizoheni me këtë Këshill?

Ne vlerësojmë se krijimi i një blloku opozitar shqiptar, duke përfshirë edhe shoqatat joqeveritare, intelektualë dhe gjithë ato që janë të interesuar për ndryshime në skenën politike do të ishte një alternative reale ndaj pushtetit ekzistues  dhe ndryshimeve qe jane te domosdoshme dhe te pashtyeshme. Çështja e krijimit të bllokut opozitar është çështje që është diskutuar dhe aprovuar që me hërët nga strukturat partiake brenda RDK-së dhe një nga sfidat e fundit që ne kaluam me strukturat partiake. Nëse këto ide dhe qëndrime janë të  përafërta ose të ngjashme me Këshillin opozitar, kjo na ofron dhe na obligon që më fuqishëm së bashku të punojmë në realizimin e këtij synimi.

Almakos: Në opinion e më gjërë thuhet që RDK në krye me Fadil Zendelin është gjithnjë e më afër bashkëpunimit, pse jo edhe të listave zgjedhore me Lëvizjen Besa? Dhe kur jemi këtu keni pasur takime me strukturat e kësaj partie?

Ne si RDK jemi të intresuar që të krijohet një bllok opozitare shqiptar ku do të përfshihen të gjitha partitë opozitare shqiptare dhe në këtë proces nënkuptohet që temë e bisedimeve do të jetë çështja e listave te perbashketa zgjedhore. Ne jemi te hapur per bashkepunim dhe në realizimin e këtij synimi mbajmë kontakte me të gjitha partitë tjera opozitare.

Almakos: Si e vlerësoni vendimin e BDI-së për të tërhequr ministrat e tyre nga Qeveria? Pse nuk e ka bërë një gjë të tillë në raste më të volitshme, përshembull pas bombave të Zaevit, ose rastit Monstra, Kumanovës, etj?

Vendimi i BDI-së për shkarkimin e ministrave të korruptuar dhe komprementar është dëshirë e këtij subjekti për të mjegulluar dhe hedhur pluhur syve të votuesve dhe shqiptarëve për gjoja ndryshime dhe reforma në parti. Kriza që e ka kapluar këtë subjekt është shumë e thellë dhe për momentin e pashpresë për shpëtim nga humnera që ata vetë dhe me vetëdije janë futur. Qëllimi i  shkarkimit të ministrave për të cilat opinioni publik që më herët ka qenë i njoftuar  për aferat dhe koorupcionin në nivelet më të larta të këtij subjekti është vetëm një sihariq si me shpëtuar veten dhe s’ka të bëjë me proceset politike dhe asesi me shqiptarët.

Almakos: Nota juaj për punën e Prokurorisë Speciale?

Elementi bazë për funksionimin e një shteti normal demokratik është zbatimi i ligjit dhe sundimi i së drejtës e që tek ne është zbatuar në mënyrë selektive. Duke u nisur nga e kaluara dhe vendimet e gjyqësorit në përgjithësi kemi përvojë të hidhur, por Prokuroria Speciale Publike sikur na ka dhënë një shpresë të paktën në rritjen e shpresës tek qytetarët në përgjithësi. Vlerësoj se është e domosdoshme krijimi i Gjykatës speciale që të mund të procedohen dhe përfundohen lëndët e nisura nga Prokuroria Speciale, dyshoj se në gjendjen aktuale pushteti gjyqësor i cili është nën ndikimin e fuqishëm të pushtetit do të mund të realizonte këtë mision.

Almakos: Dhe kur jemi te zgjedhjet e parakohëshme parlamentare, a vlerësoni se janë përmbushur kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike në Maqedoni, me pastrim të listave zgjedhore dhe reformat në media që të njëjtat të mbahen me 5 qershor?

Gjithnjë  e më tepër jemi dëshmitar se nuk po punohet me intensitetin e duhur në lidhje me pastrimin e listave zgjedhore dhe  për reformat në media, e që është është shumë me rëndësi për zhvillimin normal të zgjedhjeve. Qëndimi ynë është shprehur edhe më herët se nuk është e arsyeshme që me çdo kusht të mbahen zgjedhjet pa u plotësuar kushtet e nevojshme elemntare e që kanë të bëjnë me pastrimin e listës zgjedhore dhe reformen e mediave. Vetëm në këtë mënyrë do ta bëjmë një hap të vogël, por të rëndësishëm në kthimin sistemit të vlerave të vërteta demokratike.Kjo qeveri në përgjithësi e ka humbur kredibilitetin dhe legjitimitetin e saj. E ka larguar vendin prej sistemit të vlerave dhe në këtë mënyrë edhe prej vlerave të vërteta europiane, gjë e cila dëshmohet me miratimin e ligjeve skandaloze, vetëm e vetëm që ta shpëtojnë veten e tyre. RDK përkrah propozimet e ndërmjetësuesit Belg Piter Vanhoute por edhe angazhimet e shoqatës së gazetarëve në maqedoni. Reformat dhe liria e mediave janë parakusht mjaf  i rëndësishëm për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe  veçanërisht për demokratizimin e vendit

Almakos: Cila është oferta konkrete e RDK-së për shqiptarët e Maqedonisë?

RDK   ka programin dhe platformen e veprimit politik që nga themelimi i saj dhe opinioni i gjërë përmes proceseve zgjedhore është i njoftuar. Në kuadër të aleancës për shqiptarët është përpiluar platforma e përbashkët e veprimit politik.  Mirëpo, pasi synimi ynë është krijimi i bllokut opozitar shqiptarë, atëherë nënkuptohet që çështja e ofertës politike dhe juridike për shqiptarët e Maqedonisë duhet të jetë çështje e përbashkët e të gjithë subjekteve që do të përbëjnë bllokun opozitarë.

Loading...