Lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, në një intervistë ekskluzive për portalin TetovaSot flet për aktivitetet e fundit politike të Lëvizjes Besa, përgatitjen e kësaj Lëvizje për zgjedhjet e ardhshme, raportin e saj me partitë jashtë parlamentare, si dhe komenton ngjarjet e fundit aktuale politike.

Sipas Bilall Kasamit në Republikën e Maqedonisë nuk të shkon gjithmonë kungulli përmbi ujë, prandaj edhe do të vije një moment kur ato që kanë kryer vepra penale të përballen me ligjin.

I pyetur rreth punës së Prokurorisë Speciale dhe mos bashkëpunimit të Gjykatave në Republikën e Maqedonisë, Kasami thotë se Maqedonisë i nevojitet edhe një Gjykatë Speciale.

Kasami sqaron se pa u pastruar puna me RDK-në brenda RDK-së ata do të kanë të vështirë që të futen në Aleancën për Shqiptarët dhe kjo nuk d.m.th se ato janë kundër bashkëpunimit me partitë jashtë parlamentare shqiptare.

Ai mohon se si Lëvizje kanë dorë në ngjarjet e fundit në RDK.

 TetovaSot: Zgjedhjet e parakohshme të caktuara për me 5 qershor të këtij viti po afrohen. Në ndërkohë, po shohim në terren disa lëvizje nga Lëvizja Besa. A mendoni se do të jeni të gatëm për këto zgjedhje, duke e pasur parasysh krizën politike që mbretëroi në Republikën e Maqedonisë gjatë viteve të fundit dhe kohën e shkurtër të konsolidimit të Lëvizjes Tuaj?

 Bilall Kasami: Ne jemi të gatshëm të dalin në zgjedhje që nesër dhe këtë e kemi thënë disa herë. Kur e shohim pritjen që e ka Lëvizja BESA gjithkund ku qëndron, por edhe hulumtimet e opinionit publik, si dhe trandjet që i kanë pësuar dy partitë e deritanishme shqiptare, paraqitja ne zgjedhje për ne është vetëm legjitimin i fuqisë tonë reale politike dhe një histori tjetër për shqiptarët e Maqedonisë. Ju mund të krahasoni tubimet që i organizojnë dy partitë shqiptare në pushtet dhe tubimet që i organizon BESA dhe kjo ju mjafton për të parë se ku është populli shqiptar sot.

Por, këtu nuk përfundon çështja. Sepse ne nuk duam të marrim pjesë në ato zgjedhje, në të cilat legjitimohet mashtrimi, manipulimi dhe abuzimi i vullnetit të qytetarëve, por edhe ku nëpërkëmbet demokracia. Ne kemi thënë se do të marrim pjesë vetëm në ato zgjedhje, për të cilat bashkësia ndërkombëtare garanton se janë përmbushur kushtet që zgjedhjet të jenë të drejta, korrekte dhe demokratike.

TetovaSot:Ndodhi një tronditje e thellë në RDK. Vesel Memedi ish kryetar i RDK-së u përballë me ish kryetarin tjetër Rufi Osmani, duke e akuzuar të njëjtin se po i bën puç për shkak të Lëvizjes Besa. Sipas Memedit, atë si kryetar partie e ka zgjedhur kryesia e RDK-së, e jo kryesia e Lëvizjes Besa. Në opinion dolën zëra se Lëvizja Besa ka dorë në ngjarjet e fundit në RDK. Ju si i komentoni këto ngjarje?

 Bilall Kasami:Për këtë çështje jemi deklaruar publikisht dhe nuk kam çfarë të shtoj më shumë. BESA nuk ka asnjë lidhje me ato zhvillime dhe insinuatat e personit që ju e përmendni nuk janë më çështje me të cilat merremi ne. Një gjë edhe ju e dini: secila akuzë që nuk verifikohet, është vetëm shpifje. Ndërsa ata që e bëjnë një gjë të tillë atributin e kanë me këtë rrënjë.

 TetovaSot: Disa herë në debate televizive, lideri i LR-PDSH, Ziadin Sela ju ka akuzuar se ju nuk dëshironi që të futeni në koalicion me RDK-në dhe LR-PDSH-në. Gati se në të njëjtën kohë kur u themelua koalicioni Aleanca për shqiptarët, doli në opinion edhe Këshilli Mbipartiak i propozuar nga ana Juaj. Çfarë raporte keni me Lëvizjen për reforma në PDSH dhe a mund që të ju shohim bashkë në një koalicion gjatë këtyre zgjedhjeve parlamentare?

 Bilall Kasami: Edhe për këtë temë jemi deklaruar shumë herë. Askund nuk do të gjeni asnjë deklaratë tonën se ne nuk duam bashkëpunim opozitar dhe do të gjeni plot deklarata të eksponentëve të atyre partive se nuk duan bashkëpunim me BESËN, madje edhe akuza e shpifje nga më të ndryshmet. Për neve nuk është më interes se çfarë thonë dhe çfarë mendojnë ata. Kemi punët tona dhe po merremi me terrenin tonë. Sepse, për bindjen tonë, secila zënkë ndëropozitare, i shërben BDI-së. Ndërkaq fokusi jonë i betejës nuk është me partitë që ju i përmendët, por me ata që e kanë dëmtuar kaq rëndë indin shqiptar në Maqedoni dhe që quhen BDI. Gjithkush që dëshiron të jetë opozitë dhe nuk merret me këtë, duhet ta rishqyrtojë pozicionin e tij.

Derisa nuk pastrohet puna brenda RDK-së, ne nuk mund të flasim për bashkëpunim opozitar. Vetëm pasi të përfundojë kjo, mund të flasim në këtë temë.

TetovaSot: Në opinion u paraqit një skandal ku deputetja Ermira Mehmeti, dëgjohet me ish zëvendës kryeministrin, Musa Xhaferi në një bisedë të përgjuar telefonike. Nga dy palët, incizimi u kualifikua si montazh dhe u hap një lëndë në Prokurorinë Themelore të Marko Zvrlevskit. Në anën tjetër, Prokuroria Speciale Publike e gjykoi nxjerrjen në opinion të bisedave private. Nga ana e përfaqësuesve të Lëvizjes tuaj u reagua ashpër në opinion, qysh në momentin e parë, ende pa u zbardhur mirë rasti. Komenti Juaj në këtë drejtim?

 Bilall Kasami: Unë nuk e di çfarë pritni të zbardhet. Në të vërtetë, ne nuk jemi marrë fare me personat e apostrofuar, bile ata askund nuk i kemi përmendur. Disa nga eksponentët e BESËS janë deklaruar vetëm për fenomenin e amoralitetit në partinë shqiptare në pushtet, për çka tashmë ekzistojnë më shumë se një provë dhe ajo ka qenë thirrje për personat që nuk e tipizojnë veten si të tillë në atë parti, ndërsa ne e dimë se ka shumë të tillë edhe atje, që të distancohet nga subjekti që standard të veprimit e ka bërë amoralitetin.

Përveç kësaj, ato përgjime ishin shpjegimi se pse shqiptarët gjatë krejt këtyre viteve nuk kanë mundur të avancojnë me të drejtat e tyre. Pra, fenomeni i kapjes për të cilin ne kemi folur dhe flasim vazhdimisht, u përdëftua dhe tash të gjithë e dimë se pse ajo parti – edhe pse me 20 deputetë – nuk arrin të ndryshojë as dy emra shkollash.

TetovaSot:BDI-ja para disa ditësh i largoi ministrat, zëvendës ministrat dhe zëvendës kryeministrat nga Qeveria për t`i zëvendësuar me emra të rinj. Dalja në opinion e emrave të rinj, kryesisht nga Forumi Rinor i BDI-së u komentua në mënyra të ndryshme. Disa këtë gjë e panë si tepër pozitive, pasi që në këtë mënyrë po i jepet hapësirë një zëri të ri të përfaqësimit në qeveri. Disa të tjerë e komentuan tërësisht në anën e kundërt. Cili është komenti i Juaj në këtë drejtim?

 Bilall Kasami:Shihni, gënjeshtarit dhe mashtruesit – edhe nëse e thotë të vërtetën – nuk i beson askush. Kjo i ndodhë kësaj partie. Ajo mendon se me këto kuadro e ka mbuluar turpin dhe dështimin e saj, por tashmë të gjithë e dimë se ky është një makijazh që nuk e mbulon fytyrën e vërtetë të dështimit, turpit, kapjes dhe korrupsionit. Ajo është në vdekje klinike dhe vetëm priten zgjedhjet që të konstatohet vdekja. Është një qenie që nuk ngrihet në këmbë me asgjë, sepse kanceri i krimit, korrupsionit, skandaleve dhe abuzimeve e ka bjerrë secilën mundësi për rivitalizim të saj.

TetovaSot: Lëvizja Besa, kryesisht një lëvizje e re në opinion, duket se qëndron mirë me mjetet financiare. Nga i merrni paratë për të zhvilluar aktivitetet politike? Ndërsa në opinion po ju akuzojnë se keni lidhje me AK Partinë e Rexhep Taip Erdoganit. Cili është qëndrimi i juaj në lidhje me këtë?

 Bilall Kasami:Në këtë pyetje jemi përgjigjur dhjetëra herë dhe nuk kemi çfarë të shtojmë. Është një shpifje tipike e kuzhinës enveriste, e cila synon diskreditimin e të gjithë atyre që nuk kanë afera si “Magjar telefon”, “Sopot”, “Monstra”, vrasje, amoralitet, skandale seksuale, korrupsion, partizim të shtetit, abuzim me pozitën, dështim në përfaqësimin e shqiptarëve etj. Dhe, sipas logjikës enveriste, “nëse nuk e ka një bisht, shtoja”, ata gjatë gjithë kohës merren më këso shpifje. Duke e ditur se cila kuzhinë i ka prodhuar ato dhe duke i pasur parasysh arsyet, për shkak të panikut që i ka kapur nga suksesi i BESËS, konsiderojmë se kjo pyetje tashmë është e qartë për secilin dhe nuk ia vlen më as të përgjigjemi.

Në vend të kësaj, mbase më interesant është të pyetemi se çfarë po ndodhë me rastin “Magjar telekom”, të merremi me pasuritë milionëshe të funksionarëve të pushtetit, të cilët “hynë në politikë pa çorape dhe sot po dalin prej si milionerë”. Ose, do të ishte edhe më me interes të pyeteshit si është financuar e si financohet edhe tash partia shqiptare në pushtet.

Sa i takon BESËS, gjithçka është transparente, e keni në ueb-faqen tonë, aty është plani jonë financiar, janë të dhënat e të hyrave për vitin e kaluar, në fund të këtij viti do ta keni edhe raportin e këtij viti dhe asgjë më shumë se kaq nuk mund të shtojmë. Këtë deri tash nuk e ka bërë asnjë parti politike në Maqedoni.

TetovaSot:Prokuroria Speciale Publike tashmë në opinion publikoi tre lëndë, “Titaniku”,”Tortura” dhe “Fortesa”. Kjo prokurori paralajmëroi edhe pres konferenca të reja ku do të nxjerr në shesh edhe raste të reja. A pritet që të ketë përfundim juridik të drejt për secilin rast veç e veç, duke e pasur parasysh se Gjykatat në Maqedoni nuk po bashkëpunojnë me Prokurorinë Speciale, apo ndoshta do të ishte e nevojshme themelimi i një Gjykate Speciale?

 Bilall Kasami: Siç e di tashmë opinioni, BESA është partia e vetme në Maqedoni që qysh në marsin e vitit të kaluar kërkoi që, përveç Prokurorisë Speciale, të themelohet edhe Gjykatë Speciale. Ne e dimë se kush i kontrollon gjykatat në Maqedoni dhe nuk kemi iluzion se ato do të bashkëpunojnë në mënyrë korrekte me Prokurorinë Speciale. Megjithatë, kam shpresë se me ndryshimin e këtij pushteti, edhe funksionarët e rasteve që ju i përmendët, por edhe ato të rasteve si “Magjar Telekom”, “Sopot” e “Monstra”, do ta marrin përgjigjen e tyre nga drejtësia. Sepse nuk shkon gjithnjë kungulli përmbi ujë. Nëse një Sanader shkoi në burg, askush nuk është më i paprekshëm.

Me rënien e regjimit VMRO-BDI kujtoj se bie edhe miti për paprekshmërinë e këtyre njerëzve dhe atëherë fillon një epokë e re për vendin.

 TetovaSot: Maqedonia si duket nga kriza politike do të futet në një krizë të thellë financiare dhe ekonomike. Në këtë drejtim kemi paralajmërime nga Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë si dhe nga zëvendës ministri i financave, Kire Naumov. A mendoni se kriza financiare dhe ekonomike do të jetë më e rëndë për Maqedoninë sesa kriza politike dhe cila do të jetë zgjidhja e kësaj krize që po paralajmërohet?

 Bilall Kasami: Shihni, kur dihet se Maqedonia ka hyrë në borxhe marramendëse, duke i futur në borxh edhe dy-tre gjenerata, është iluzore të besohet se kjo nuk do të ketë refleksionin e saj edhe si krizë ekonomike. Madje, mendoj se këtu qëndron thelbi i çështjes. Kur të harxhohet paratë, edhe vjedhësit dorëzohen.

TetovaSot:Kryetari i Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan po akuzohet nga opozita se po vepron kundër lirisë së mediave duke vendosur një diktaturë të paparë. Kohët e fundit po e shohim shumë aktiv edhe në zhvillimet ushtarake në Siri, si dhe në përballje me kurdët. Si e shihni politikën e liderit turk, Rexhep Tajip Erdogan në Turqi dhe në raport me shqiptarët?

 Bilall Kasami: Për pjesën e parë nuk e konsideroj veten se mund të përgjigjem. Janë çështje të brendshme të shtetit turk dhe nuk jam mjaftueshëm i informuar për zhvillimet atje. Duke mos pasur informacion të saktë, do ta kursej veten nga kualifikime paushall. Por, mendoj se kjo pyetje më e rëndësishme është të shtrohet për në Maqedoni. Unë e di se dyshja Gruevski-Ahmeti i kanë uzurpuar mediat, sidomos e kanë partizuar servisin publik, ndërsa i shantazhojnë edhe mediat private dhe për këtë është dëshmi fakti se ato nuk lëshojnë pe për pikën e reformave në media, siç propozoi ndërmjetësi belg Van Hojt. Për këtë mund t’ju flasë me kompetencë, sepse edhe të gjitha raportet ndërkombëtare flasin se në Maqedoni nuk kemi liri të mediave.

Ndërkaq për pjesën e relacionit të shtetit turk me shqiptarët, konsideroj se kryeministri shqiptar Rama dhe, tashmë, presidenti i Kosovës, Thaçi, disa herë e kanë deklaruar publikisht se te Turqia shohin një shtet mik të shqiptarëve. Kjo më mjafton të them se shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës e kanë aleat këtë shtet dhe të shtoj se ata që kanë dilemë në këtë aleancë, zgjidhjen e kanë në aleancën vertikale ruse, serbe dhe greke.  

Loading...