Sopranoja e njohur shqiptare, Inva Mula, ka marrë vlerësime maksimale e duartrokitje të forta nga publiku serb përderisa me interpretimin e saj ka tejkaluar nivelin e perfomancave që janë dhënë deri më tani në skenën e Teatrit Kombëtar të Serbisë, shkruan sot Koha Ditore.

Mula, të mërkurën, mbrëma ka interpretuar në rolin e Mimit në operën “La Boheme” të Giacomo Puccinit, e shoqëruar nga Kori dhe Orkestra e Teatrit Kombëtar të Serbisë, nën dirigjimin e Dejan Saviqit.

“Publiku shpesh e ka përshëndetur me duartrokitje të shumta gjatë interpretimit dhe me thirrjet ‘bravo’”, është përshkrimi që vetë nikoqiri i ka bërë interpretimit të saj në këtë koncert e i cili është i pari në kuadër të memorandumit që ka nënshkruar ky institucion me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit të Shqipërisë. Pasi ka zbritur nga skena, Mula është rrethuar nga fansat. E vetë ajo ka thënë se publiku ia ka dhënë vlerësimin më të mirë.

“Jam liruar pasi duartrokitjet e publikut janë përgjigjja më e mirë që mund të kemi ne artistët”, shprehet Inva”, ka thënë sopranoja e njohur botërisht, e që bëhet artistja e parë pas shtatë dekadash që ngjitet në skenën e këtij Teatri. Më 1945 pikërisht në rolin e Mimit, aty interpretoi Tefta Tasho-Koço.

Dirigjenti Saviq ka qenë ai që ka vlerësuar se ardhja e Mulës në Beograd është fort e rëndësishme. Ka folur për nivelin artistik.
“Ne kemi vetëm fjalë të mira për të si artiste dhe natyrisht jemi të lumtur pasi performanca e saj tejkalon nivelin e zakonshëm që jemi mësuar këtu në Teatrin Kombëtar”, ka thënë Saviq, njëherësh drejtor i Teatrit Kombëtar të Serbisë.

E përditshmja “Danas”, edhe të enjten e ka ripërsëritur se interesimi i medieve serbe për interpretimin e saj ka shpërthyer tek pasi atë e priti mandatari i Qeverisë serbe Aleksandar Vuçiq, edhe pse ardhja e saj ishte paralajmëruar edhe para nënshkrimit të memorandumit midis dy institucioneve shtetërore, në prill. Mula u prit nga Vuçiqi, të mërkurën, një ditë para koncertit dhe siç kanë raportuar mediet, në atë takim koncerti ishte vlerësuar se interpretimi i saj në kryeqytetin serb “është parakusht për fuqizimin e bashkëpunimit kulturor midis Serbisë e Shqipërisë dhe në masë të madhe kontribuon në promovimin dhe avancimin e marrëdhënieve bilaterale”. Sopranoja shqiptare ka shkuar edhe më tej, kur në një intervistë për “Danas” ka thënë se një ngjarje e tillë shënjon një epokë të re për të dyja vendet.

“Mendoj se ka shumë rëndësi të jesh e para por megjithatë unë s’jam këngëtarja e parë operistike nga Shqipëria që kam interpretuar në këtë skenë. Ajo ishte Tefta Tashko-Koço, e cila para 71 vjetësh në Beograd po ashtu ka interpretuar në ‘La Boheme’. Por megjithatë, ardhja ime shënjon një epokë të re për vendet tona. Është shumë e rëndësishme që jam këtu. Jam e sigurt që do të shkëmbehen shumë artistë të njohur midis Beogradit e Tiranës, sepse arti e muzika janë rruga më e mirë për bashkëpunimin e vendeve tona”, citohet të ketë thënë Mula.
Ajo ka thënë se ka qenë dirigjenti Saviq ai që e kishte bindur të shkonte në Beograd.

“Jam takuar me maestron Dejan Saviq vitin e kaluar në Tiranë. Më bindi që të vijë dhe s’ka qenë fort zor, sepse unë e dëshiroja një gjë të tillë. Kam kënduar në krejt botën dhe pyesja veten se përse nuk kam qenë në Beograd. Maestroja më dërgoi repertorin e Teatrit Kombëtar në Beograd dhe bashkërisht kemi përzgjedhur ‘La Boheme”, një vepër gjithmonë e bukur dhe tërheqëse të cilën e kam interpretuar anekënd botës. Është një produksion i bukur klasik dhe ja ku jam. Për mua krejt kjo është emocionuese”, ka thënë Mula.

Loading...