Investimi për përmendoret më i madh se investimi në shëndetin e të gjallëve

Shuma të majme parash janë harxhuar në përmendore, fasada e sheshe me të vetmin qëllim që të përkujtojnë heronjtë apo ata që sipas qeverisë e dhanë jetën për pavarësimin e Maqedonisë. Duke i kujtuar të vdekurit qeveria ka harruar të gjallët. Kur themi ka harruar të gjallët e kemi fjalën se duke investuar në përmendore, ka harruar detyrimet dhe obligimet që ka ndaj qytetarëve.

Sipas një analize të bërë nga prizma.birn.eu.com thuhet se vetëm për ndërtimin e 34 busteve janë harxhuar 33.620.457 euro, duke lënë anash spitalet, mjekët të cilët për çdo ditë po largohen nga vendi duke iu drejtuar vendeve të perëndimit apo spitaleve private.

Për temën në fjalë për gazetën Lajm janë prononcuar ish ministri i shëndetësisë, z Imer Selmani, kirurgu Artan Dika, një paciente, si dhe specialisti Rexhep Memedi.

Për ish ministrin e shëndetësisë Imer Selamanin, kjo është brenga e të gjithë qytetarëve. Kjo çështje, sipas tij, është duke u trajtuar që nga fillimi i projektit Shkupi 2014 domethënë  diku nga fillimi i vitit 2010 apo thënë nga fundi i 2009-tës. Vlerësimi i tij si ish ministër për situatën aktuale për sa i takon sektorit të shëndetësisë, siç thotë vet ai, nuk mund të përshkruhet me fjalë të thjeshta, sepse devijimi nga viti 2008 e këtej ose degradimi i shëndetësisë është bërë në shumë nivele.

“Nuk është vetëm problemi me infrastrukturën. Kur them infrastrukturën e kam fjalën për objektet e shëndetësisë prej nivelit primar deri më atë terciar, nga poliklinika deri në spitale. Por, flas se denivelimi ose degradimi është bërë edhe në aspektin cilësor, në aspektin kadrovik. Në aspektin e asaj që donë të thotë nuk është hapëruar me kohën sa i takon edukimit të mjekëve që të punojnë me mjetet e duhura. Sepse, sa i shohim ata deklarojnë një shumë të madhe të parave të harxhuara për shëndetësi, për mjete pune aparate e teknologji dhe krejt kjo në fund në krahasim me vitin 2008 për disa herë ka rezultuar me shërbime më të ulta, të dobëta në krahasim me kohën kur unë kam qenë ministër. Unë mendoj se nuk qëndron problemi vetëm tek paraja. Unë do të veçoja një çështje, shëndetësia po keq menaxhohet. Keq menaxhohet me ato para të cilët janë të dedikuara për sektorin e shëndetësisë. Jam shumë i sigurt se me këto të holla, me këtë buxhet që i ndahet për çdo vit ministrisë së shëndetësisë dhe fondit shëndetësor, janë të mjaftueshme për tu investuar edhe në objekte” pohoi për gazetën Lajm ish ministri Selmani.

Ai mendon se me ato para edhe objektet të modernizoheshin, në aparatura, mjete të punës dhe në kuadro që është më e rëndësishmja, të investohet në edukimin dhe specializimin e kuadrove dhe në stimulimin dhe pagesën e mjekëve.

“Me paga të cilët do të jenë në nivel me regjionin ose mbi regjionin, dhe të ekipit mjekësore se në sektorin e shëndetësisë nuk janë vetëm mjekët që japin shërbime mjekësore, por janë edhe personeli me shkollë të mesme i cili është shumë i rëndësishëm.
Kjo është sa i takon aty super keqpërdorimit të lartë, se në qoftë se nuk do kishte mjete për sektorin e shëndetësisë për diçka që është shumë elementare për shëndetin tonë. Pse atëherë harxhohen para në ekstra luksoze, i cili nuk është as i nevojshëm, por është mbi të gjitha edhe i dëmshëm për arsye se shtrembëron pasqyrën e realitetit të Republikës së Maqedonisë. E shtrembëron historinë e shtrembëron të kaluarën. Andaj vlerësimi im përfundimtar është se këtu ka  keq menaxhim të sektorit të shëndetësisë në çdo nivel duke filluar nga menaxhimi me kuadrot gjer me keq menaxhimin e financave. Nga ana tjetër, shpërndarja e mjeteve bëhet në mënyrë jo cilësore në nivel të buxhetit shtetëror po edhe ato mjete të cilat janë të ndara nuk e kanë zënë vendin e duhur se edhe aty kemi dyshime me indikacion të lartë për keq menaxhim”, deklaroi për Lajm Selmani.

Unë personalisht mbulojat  i kam marrë nga shtëpia për shkak se në spital ishin të vjetra të grisura, thotë një paciente e cila javë më parë ishte lëshuar nga kurimi prej spitalit kirurgjik.

“Në spitalin kirurgjik kamë qëndruar gati se një javë pasi u desh të operohem. Të them të drejtën mjekët janë kujdesur mirë si për mua edhe të gjithë pacientët e tjerë por ajo që ishte hendikep se spitali kishte enterier të vjetër shtretërit, mbulojat për shtretër. Natën paraqiteshin edhe insekte, ishte trishtuese. Vitrinat që ishin për të mbajtur ushqimin ishin të vjetra. Me një fjalë, posikur paratë e harxhuara në projektin Shkupi 2014 të investoheshin nëpër spitale të përmirësoheshin kushtet mendoj se do ishte më në interes të qytetarëve sesa janë harxhuar miliona në kuaj e gjëra të kota” deklaroi për Lajm një paciente e cila deshi të mbetet anonime për çështje sigurie.

Rexhep Memedi , specialist pediatër pranë Klinikës universitare për fëmijë mendon se ky pushtet në ikje sikur të kishte treguar më shumë interesim për shëndetësinë nuk do të kishim gjendje të mjerueshme çfarë mbretëron sot në institucionet publike shëndetësore.

“Fatkeqësisht kjo klasë politike ishte e interesuar vetëm se si të grabis paratë e qytetarëve, kryesisht përmes projektit Shkupi 2014, e aspak nuk punoi që t’ju siguroj shërbime kualitative shëndetësore edhe pse për çdo muaj qytetarët paguajnë sigurim shëndetësor. Dhe nëse i bëjmë një vështrim sistemit shëndetësore në Maqedoni sot do të shohim se ai gjendet para kolapsit ,  ngase gjithandej në spitalet publike mbretërojnë kushte mizore infrastrukturore, kemi mungesë të shërbimeve cilësore, mungesë të barnave etj. Dhe ajo që është më brengosëse është mungesa e kuadrit profesional, mjekëve specialistë dhe personeli tjetër, të cilët për çdo ditë largohen nga vendi. Ata ndihen të nënçmuar dhe të dezinkurajuar për shkak të pagave të ulta dhe kushteve të këqija në institucionet shëndetësore, gjë që pamundëson ushtrimin e profesionist në mënyre dinjitoze dhe efikase” deklaroi Memedi

Kirurgu Artan Dika thotë se shëndetësia është shërbim i shtrenjtë dhe nuk mund të ketë shëndetësi të mirë pa investime apo me pak investime. Një shtet në të cilin ministri del e fotografohet kur sillet një aparat i ri në ndonjë spital nuk mund të mburret për shëndetësinë e tij, sepse shëndetësia nuk mund të mbahet me politika populiste e reklamime të qeveritarëve.

“Shëndetësia kërkon investime të vazhdueshme, gjë që është evidente se mungojnë në shëndetësinë e Maqedonisë, ku një pjesë e madhe e buxhetit këto vitet e fundit ka shkuar për ndërtime e përmendoreve sllavo-ortodokse, si pjesë e një marrëzie që e ka shndërruar identitetin në një kompleks të një populli. Nuk do shumë mend për ta kuptuar se orientimi i parave të shumta nga hedhja dëm në projekte të tilla të padobishme në investime për nevojat reale të shëndetësisë së një vendi do të kishte qenë diçka që do të ishte ndjerë në përditshmëri nga vet qytetarët e vendit” pohoi Dika.

Dika veçon se në fund të fundit një popull është vet përgjegjës për cilësinë e shërbimeve që merr, përmes pjesës së investimeve që bën në ato shërbime.

“ Nëse kemi parasysh nga njëra anë se vetëm një nga luanët e urave të Shkupit ka kushtuar 1.2 milionë euro, ndërsa nga ana tjetër se vetëm me 100.000 euro Klinika e kirurgjisë plastike do të mund të pajisej me aparatura moderne të domosdoshme por që i mungojnë në vazhdimësi (si mikroskop operator, dermatomë për marrjen e transplanteve të lëkurës, sete për kirurgjinë e dorës dhe instrumente tjera që realisht mungojnë) atëherë nënkuptohet logjikshëm se nëse do të ishte ndërtuar vetëm një luan më pak, duke kursyer 1.2 milion euro nga një luan dhe duke i investuar ato nëpër klinika, qytetarët e këtij vendi do të mund të kishin jo vetëm një klinikë të kirurgjisë plastike të pajisur me aparaturat dhe instrumentet më moderne, por të gjitha klinikat e kirurgjisë pa dallim, me pajisje bashkëkohore të domosdoshme për shërbime shëndetësore cilësore për të gjithë qytetarët e vendit … duke përfshirë edhe urgjencën kirurgjikale ku mungon edhe elektrokauteri për ndalimin e gjakderdhjes që nuk kushton më shumë se 700-800 euro dhe që e ka me vete secili mjek që bën synetime”, përfundoi Dika.

Loading...