Ipeshkvia e Kosovës do të organizojë një meshë këtë të diele për viktimat e sulmit në Aeroportin e Stambollit.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Ipeshkvia përmes një komunikate për media, duke e cilësuar ngjarjen e mbrëmshme si “shëmti që ka tronditur botën e qytetëruar dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë”.

“Ipeshkvia e Kosovës solidarizohet me dhimbjen e popullit turk, është e bashkuar në lutje për viktimat e kësaj të keqeje dhe për familjarët e tyre, që Zoti t’iu jep të gjithëve forcë dhe ngushëllim. Lusim Zotin që kjo e keqe kundër njeriut dhe popujve, me përmasa ndërkombëtare, të ndalet sa më shpejt, duke i kthyer zemrat e njerëzve që të kuptojnë se e ardhmja e njerëzimit nuk ndërtohet me dhunë e vrasje, por në vëllazëri, në paqe, në dashuri dhe me respekt ndaj tjetrit vëlla dhe motër”, thuhet në komunikatë.

“Për shpirtin e të ndjerëve të rënë në këtë tragjedi dhe për paqe në botë, Ipeshkvia e Kosovës do të kremtojë meshë të dielën e ardhshme – 3 korrik 2016 – në të gjitha kishat e saja”, thuhet në fund të komunikatës.

Mbrëmë në Aerportin e Stambollit humbën jetën së paku 36 njerëz dhe dhjeëtra të tjerë u lënduan si pasojë e tri sulmeve vetëvrasëse.

Sulmi është dënuar edhe nga liderët e Kosovës./Insajderi.com

Loading...