Në luftën speciale që bëhet për krijimin e perceptimeve tek opinionin publik, rol fundamental ka media si entitet. Kjo tashmë është e padiskutueshme. Në shoqërinë tonë, akuzat që i adresohen këtij entiteti kanë të bëjnë kryesisht me standardet e dyfishta që ajo përdorë karshi bashkësive, grupeve dhe komuniteteve të caktuara. Këto standarde, nuk mund të jenë të rastësishme. Në këtë kuadër, islamofobia e shndërruar në përmasat e një dukurie, besohet se është ndihmuar mjaft nga ajo (media).

1.Nocionet

 Islamofobia është neologjizëm. Ndonëse term mjaft i përhapur në diskursin gazetaresk dhe atë publik, atë nuk mund ta gjesh në fjalorët standard shqip, të cilët kanë mbetur të papërditësuar që nga vitet 70-ta të shekullit të kaluar. Nocioni është togfjalësh, përkatësisht formohet nga bashkimi i fjalës ‘islam’ dhe ‘fobi’ (fobi greq. frikë). Pra me fjalë të tjera nënkupton frikën, urrejtjen dhe paragjykimin që individët ose grupet e caktuara e kultivojnë ndaj muslimanëve apo botëkuptimit islam. Duke e parë islamin si një forcë gjeopolitike që rrezikon të përmbysë vlerat e pretenduara perëndimore, ose si burim terrorizmi, provohet të eliminohen të gjitha elementet që ndërlidhet me të. E kur kjo në një shoqëri me synime demokratike është vështirë e realizueshme, atëherë investohet në propagandë sistematike kundër këtij botëkuptimi.

Termi propagandë, nga ana tjetër, ka origjinë mesjetare. Për të parën herë e hasim në vitin 1623, në shprehjet e Këshillit të Kardinalëve, i themeluar  nga Papa Urbani VIII në Romë, institucion ky që ndër të tjera kishte për detyrë mbikëqyrjen e punës së misionarëve të kishës. Fraza latine Congregatio De Propaganda Fide, në kuptimin literal do të thotë: Këshill Për Përhapjen e Besimit. Por sot këtij nocioni i është dhënë konotacion më i gjerë. Ajo nënkupton të gjitha llojet e manipulimit. Prandaj mund të themi që edhe ndjellja e urrejtjes ndaj islamit, muslimanëve, s’është veçse një ndër  llojet e propagandës/manipulimit.

Këshu ta zëmë, nuk është çudi që një jo-musliman si Arben Çokaj, islamin e sheh si arkaik, të rrezikshëm dhe në përgjithësi një botë të cilës nuk mund t’ia atribuosh ndonjë vlere civilizuese (A. Çokaj: Islami dhe shqiptarët; Gazeta Express. 27 korrik 2014). Një fragment i shkëputur nga një artikull i shkruajtur nga ky autor, e ilustron këtë më së miri:

Kurse tani problemi më i madh vjen nga islami, pasi ai ecën me psikologjinë sociale të shekullit të 7-të. Nëse marrim parasysh faktin se Magna Carta – karta e parë e të drejtave të fisnikëve anglezë, u firmos nga mbreti anglez me 15 qershor 1215, merret me mend tani se sa të drejta ka patur njeriu në shekullin e 7-të, kur u shkrua Kur’ani. E përderisa Kur’ani që në atë kohë është i pandryshueshëm, dhe tenton edhe sot të bëhet model shoqëror, atëherë nuk ka dyshim që shoqëritë që ndjekin Kur’anin janë të destinuara të mbesin prapa. Shoqëritë islame i lënë edhe gratë pa punë, pa kontribut në të ardhurat publike. Dhe duke mbajtur mbi gjysmën e popullsisë pa kontribut në sektorin publik, shoqëria do të mbetet padyshim e prapambetur. Prandaj, mos u habisni shumë shqiptarë të nderuar, dhe sidomos ju që dashuroni islamin, se pse ne jemi kombi më i përçarë dhe më i prapambetur në Evropë. Ja ku e keni shkakun dhe përgjigjen.

Gjithsesi besimtarët muslimanë një shkrim i tillë nuk do t’i nxiste, nuk do t’i provokonte, thjesht, në vend të artikullit të këtij autori do ta lexonin atë të Umberto Ecos: “Dante Aligeri dhe Feja Islame”, për ta kuptuar me të vërtetë se ç’nënkupton islami për një perëndimor.

  1. A kultivohet islamofobia në mediat tona?

Nuk ka dilema se islamofobia kultivohet dendur në mjediset tona opinion-formuese, por duhet gjetur shembuj që e ilustrojnë atë. Kjo është një punë e lehtë, megjithatë paraprakisht duhet ta shpjegojmë kontekstin në të cilin vijon të përhapet dukuria. Kështu, kthehemi vetëm dy vite prapa deri në Drenoc të Malishevës, përkatësisht te rasti i mësueses së matematikës me shami. Pati një mori artikujsh – pro dhe kundër; të cilët legjitimonin ose demonizonin personin duke e marrë si shkas shaminë si simbolikë islame, ndërsa anashkalohej ajo që në këtë mes do të duhej të ishte më qenësore – përgatitja profesionale e vet mësimdhënëses. Duke luajtur me këtë simbol, një kor i orkestruar nxënësish e prindërish, detyroi mësuesen Fatmire Bujupi, që ta ndërronte vendin e punës (ani që KLMDNJ e cilësoi rastin si shkelje e të drejtave të njeriut). Por vëmendje kaq të madhe, nuk do të fitonte një rast vërtetë shokues, edhe nëse do të bëhej fjalë për një mësuese që ushtron dhunë fizike ndaj një nxënësi (edhe pse rastet të tilla, në të vërtetë kanë ndodhur).

Ja diçka edhe më e freskët: pjesëtarë të shoqërisë civile u organizuan për të parandaluar rrënimin e Ish shtëpisë së mallrave ‘Gërmisë’, duke e cilësuar atë si njërën prej ndërtesave “më ikonike”, që i takon periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore. Duke e shfrytëzuar një të drejtë ligjore, këta pjesëtarë, detyruan institucionet përkatëse që objektin në fjalë ta fusin në listën e përkohshme të monumenteve të mbrojtura me ligj. Por fjala vjen, Xhamia e Çarshisë, restaurimi i së cilës ka filluar gati qe një gjysmë dekade, është lënë në harresë, ndërkaq të njëjtat institucione nuk i kanë marrë parasysh kërkesat e bashkësisë më të madhe fetare në vend. Vlerat e xhamisë dhe vlerat e objektit të ‘Gërmisë’, nuk mund të krahasohen, prandaj këtu bëhet fjalë për një klimë standardesh të dyfishta.

Duke e shfrytëzuar pikërisht këtë klimë, mediat e kanë pasur më të lehtë prodhimin e propagandës, ndërsa synim qenësor i saj ka qenë nën-renditja e vlerave civilizuese islame. E si është ndërtuar kjo propagandë? Ja disa modele konkrete:

Duke i demonizuar myslimanët direkt. Artikulli me titull: “Digjet një pronë katolike në Llapushnik – shkaqet ende të paqarta” është një shembull tipik i kësaj propagande (Gazeta Express: 6 korrik, i vitit 2015). Tendenca për manipulim, siç shihet, hetohet që në titull. Madje ajo e shtynë gazetarin që të bëjë edhe një gabim logjik, krejt në funksion të ndërtimit të skemës propagandistike (sepse është më se e kuptueshme që prona nuk mund të ketë përkatësi fetare). Pra synim i tekstit është që duke e vënë “pronën katolike” në rrezik, mozaiku të plotësohet duke e nënkuptuar vetvetiu armikun, që në këtë rast është muslimani/islami.

Së dyti duke e vënë theksin te karakteristikat më të këqija që mund t’i gjesh te shoqëritë me shumicë muslimane. Artikujt që e plotësojnë këtë kriter, janë të panumërt. Në këta lloj artikujsh, duke i ilustruar anomalitë e shoqërive muslimane, ndikon në krijimin e perceptimit negativ (se ato janë shoqëri të prapambetura, se aty ka shkelje flagrante të të drejtave të gruas, se nuk ato nuk janë aspak tolerante etj, etj). Ja disa tituj: “Gruaja myslimane dënohet me 20 vjet burg vetëm për një gjest”; “Gruaja myslimane indiferente ndaj kufomave në sulmin e Londrës, zbulohet kush fshihet pas fotos që tronditi rrjetin”; “Dijetari islam: Ja rregullat si duhet rrahur gruaja”; “Gruaja myslimane gjobitet se ‘ndoti’ pishinën, pasi u fut me burka”; etj.

Pastaj një teknikë mjaft efikase është përdorimi i videove ose fotografive të caktuara ku shihen xhamitë, gratë me mbulesë, ose burra me mjekërr, te artikujt ku flitet për çfarëdo lloj akti terrorist, të kudo-shfaqur apo kudo ndodhur në rruzullim. Madje, madje, ngarendja për t’i kualifikuar fajtorë muslimanët për akte të tilla, ende pa u kryer mirë hetimet nga autoritetet,  vjen shpeshherë e paketuar brenda këtyre lloj artikujve.

Një model tjetër është t’ua atribuosh muslimanëve një gjë që ata nuk e kanë bërë etj.

  1. Turkofobia, Osmanofobia si nënlloje të islamofobisë

Togfjalëshat “hordhitë osmane”; “hordhitë turke” , janë mjaft të përdorur në diskursin publicistik. Këtë e tregon vet makina kërkuese Google. Vet shpjegimet të cilat i ofrojnë fjalorët (duke i përfshirë edhe ata elektronikë), për nocionin hordhi, janë shokuese:

“ hist. Emri i njërit prej bashkimeve shtetërore që u krijuan pas copëtimit të shtetit mongol të Çengiskanit; emri i bashkimit shtetëror të fiseve endacake turke në mesjetën e hershme; ushtria e madhe barbare e këtyre shteteve. Hordhia e Artë. Hordhitë mongole. Hordhitë turke.

fig. Ushtri e madhe e mizore e pushtuesit; bandë e egër gjakatare. Hordhitë osmane. Hordhitë fashiste (naziste). Hordhitë e armikut”.

Në fakt togfjalëshat e tillë, me këtë konotacion negativ, janë prodhim i historiografisë moniste, e cila çuditërisht vijon të mbetet ende e gjallë, ndonëse historianë e albanologë ndërkombëtarë si Noel Malcolm, Peter Bartle, Oliver Schmitt Nathalie Clayer etj, e kanë dekonstruktuar qëmoti atë, duke ia nxjerr në shesh pasaktësitë e mëdha. Në fakt edhe disa studiues vendorë, kanë kontribuuar në këtë drejtim, si fjala vjen orientalisti Hasan Kaleshi, por figura të tilla janë anatemuar, ndërsa rezultatet e studimeve të tyre kanë mbetur deri vonë të panjohura për opinionin publik. Megjithatë embargoja ndaj autorëve të tillë, të cilët me argumente kanë dalë kundër rrjedhës, është thyer edhe nga emra të rinj. Në këtë kuadër, Hysamedin Ferraj me librat ‘E pafilozofuara’ dhe ‘Skicë e mendimit politik shqiptar’, është një emër i pakalueshëm, duke u renditur ndër dekonstruktuesit më të mëdhenj të versionit monist ose enverist të historiografisë. Së fundi, raporti i Shkëlzen Gashit: ‘Historia e Kosovës në tekstet mësimore të historisë në Kosovë, Shqipëri, Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni – do të ishte një uverturë e mirë për tekstet e historisë, të ngulfatura nga fryma ideologjike komuniste.

Parë nga kjo perspektivë, duket që islamofobia ka njëfarë tradite. Ideologjia komuniste, ose siç e quan Feraj – enveriste, tjetërsoi me themel të kaluarën historike mbi periudhën osmane, duke anatemuar me dhjetëra a qindra autorë, poetë, shkencëtarë e figura të tjera të shquara të kohës, duke u munduar që ta zhdukë në tërësi kontributin e tyre të pashoq në rrafshin e përgjithshëm – kulturor. Prandaj, nuk është e çuditshme që pikturat e një artisti mesjetar serb, të bëhen virale në rrjetet sociale, nën titujt bombastik: “Skicat e përdhunimeve të femrave shqiptare nga ushtarët turq (+18), dhe të merren si të mirëqena nga redaksitë, pa asnjë filtrim.

Qëllimi, siç e shohim, është krijimi sa më i qartë i imazhit të armikut. Ashtu sikundër thoshte Ervin Hatibi, për qëllime të veta secili popull krijon brenda vetes orientin e vet. Orienti në këtë rast është sinonim i armikut, i të papërshtatshmit, i të degjeneruarit, i jo-qytetarit etj. Prototipi kryesor është turko-arabi, që nuk ka fort të bëjë me racën si shtresim identitar, aq sa ka të bëjë me fenë apo botëkuptimin fetar si pjesë e identitetit.

  1. Kujt i shërben kjo skemë?

Përlindja e të djathtës ekstreme në mjediset perëndimore, ka bërë që zëri i tyre më i theksuar, të mbizotërojë mbi pjesën tjetër të shoqërisë, e cila është ambientuar me frymën e demokracisë. Këtu e ka rrënjën perceptimi se Oksidenti nuk ka as edhe një gjurmë të Orientit. Politikanët tanë, duke e shfrytëzuar këtë momentum, i kanë mëshuar më shumë idesë së krijimit të armikut të jashtëm, atij më të rrezikshmit, sepse kësisoj e kontrollojnë më lehtë masën. Kjo më së miri shpjegohet nëpërmjet ‘Dekalogut’ të Chomskyt. Një libër kapital është përkthyer së fundi edhe në gjuhën shqipe, që dekonstrukton me argumente metodat dhe mjetet e manipulimit të masës. Bëhet fjalë për librin e Gjuro Shushnjiq: Peshkatarët e shpirtrave njerëzor (ideja e manipulimit dhe manipulimi i ideve). Nëpërmjet këtyre autorëve, mund të kuptohet më qartë skema e manipulimit, që ideohet nga politikanët, sponsorohet nga grupe të caktuara dhe ekzekutohet nga media.

  1. Megjithatë ‘media’ nuk është armiku më i madh i muslimanëve por padituria e tyre

Shërbimin më të madh mediave që kultivojnë islamofobi, qofshin ato të shkruara, qofshin elektronike, ua kryejnë vet muslimanët. Duke i shpërndarë apo komentuar artikujt e tillë, ata ua mundësojnë drejtuesve të mediumeve që të paktën të përfitojnë në numër më të madh klikimesh. Niveli gjuhësor, etik që reflekton në komente, lë shumë për të dëshiruar. Shumica i përgjigjen urrejtjes me urrejtje, fyerjeve me fyerje dhe përjashtimit me përjashtim. Tendencat që u shfaqën fill pas përfundimit të luftës, rrëfenin për një shoqëri që shkon drejt polarizimit dhe njëkohësisht ekstremizimit. Por ndrydhja sistematike dhe sidomos degradimi i sistemit arsimor, shoqërinë është duke e çuar drejt një topitjeje kolektive. Më nuk reagon askush, për asgjë, edhe nëse bëhet fjalë për ndonjë skandal të jashtëzakontë.

Një problem tjetër është se muslimanët nuk janë të përfaqësuar politikisht. Kartat e partive politike konservatore që dolën në mbrojtje të tyre, janë djegur njëra pas tjetrës. Prandaj nuk është çudi që një projekt për ndërtimin e një xhamie mund të marrë një gjysmë dekade kohë, vetëm për ta fituar lejen e ndërtimit ndonëse bëhet fjalë për një vend me shumicë muslimane. Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), e mbetur në statusin e një ojq-je qysh prej kohës së UNMIK-ut, ka dalë të jetë e shantazhueshme dhe e manipulueshme lehtë nga klasa politike, në rend të parë për faj të drejtuesve të saj. Kjo ka bërë që besimtarët ta ndjejnë mungesën e autoritetit të vërtetë, në të gjitha rrafshet.

Reaksionet e muslimanëve, ndaj thirrjeve të klerit katolikë të sojit: “Kthimi i Gjergj Kastriotit te rrënja, porosi dhe testament i tij edhe sot për ne” – kurrsesi nuk duhet të shoqërohet me tone fyese. Toleranca ndërfetare, ndonëse e shitur në formën e një miti, mund të cenohet po qe se urrejtja shtresohet ndër ne dhe kjo nuk do të ishte mirë për askënd. Por zgjerimi i njohurive për të kaluarën historike, veçanërisht për periudhën osmane, pastaj për politikën, median si pushtet i pestë, laicitetin, sekularitetin, te drejtat e gruas etj, etj, duhet të thellohen. Shndërrimi në faktor politik i muslimanëve, nuk do të ishte e dëmshme për askënd dhe nuk do të duhej të shihej me rrezik, por këto dilema të tjerëve duhet t’ua heqin vet ata.

Konfrontimi me islamofobët nuk mund të bëhet ndryshe vetëm me gjuhën e argumenteve dhe me kulturë të lartë të debatit. Duke ua prezantuar islamin, në formën më të mirë, ashtu siç porositë profeti Muhammed (a.s), është detyrë e gjithsecilit prej besimtarëve. Muslimanët duhet ta shërojnë veten nga kompleksi i inferioritetit dhe ta kuptojnë që islami është aq perëndimor sa ç’janë edhe krishterimi e hebraizmi. Al Ghazali, Al Kindi, Al Arabi janë dëshmi për këtë… Nga ana tjetër, reprezentimi i islamit, nuk duhet të shihet me rrezik nga askush, muslimanët e kuptojnë që në demokraci nuk ka nevojë të shtypen të tjerët për t’iu bërë vend atyre. Hapësira për të gjithë, duke e eliminuar urrejtjen, është një e drejtë e garantuar me kushtetutë. /Gazetaere.com/  

Loading...