Ivanov: Disa shtete fqinje përzihen në punët e brendshme të Maqedonisë

Është e domosdoshme që sa më shpejt të formohet qeveri dhe të tejkalohet kriza politike në Republikën e Maqedonisë, kanë konstatuar në takimin e sotëm presidenti Gjorge Ivanov dhe komisari për politikë fqinjësore evropiane dhe negociata për zgjerim të Bashkimit Evropian, Johanes Han, transmeton Alsat-M.

Në takim siç kumtoi Kabineti i Ivanovit, të dy bashkëbiseduesit kanë këmbyer mendime për gjendjen politike aktuale në Republikën e Maqedonisë dhe mundësive që sa më shpejt të zgjidhet kriza politike.

“Tejkalimi i krizës politike është me rëndësi kyçe për Republikën e Maqedonisë që të mundet tërësisht të përkushtohet në reformat evropiane dhe të vazhdojë në realizimin e qëllimeve euroatlantike”, ka theksuar Ivanov.

Në takim është potencuar domosdoshmëria që sa më shpejt të formohet qeveria e Republikës së Maqedonisë, sepse vetëm me institucione plotësisht funksionale shteti do të jetë i gatshëm të përballet me të gjitha sfidat.

Në kontekst të gjendjes aktuale, presidenti Ivanov ka shfaqur pakënaqësi nga mungesa e dënimit publik të përzierjes në punët e brendshme të Republikës së Maqedonisë nga ana e disa vendeve fqinje”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Eurokomisari Han e ka njoftuar presidentin Ivanov për takimet me liderët e partive politike dhe qëndrimet e shprehura, dhe ka theksuar se qeveria e re duhet të jetë konsekuente në perspektivën evropiane dhe e fokusuar në ardhmërinë evropiane të vendit.

Ivanov edhe një herë ka theksuar se stabiliteti në jetën politike dhe tensionet në marrëdhëniet ndëretnike janë pasojë e gjendjes së stërzgjatur status-kuo në Republikën e Maqedonisë dhe ka kërkuar angazhim dhe mbështetje më aktive nga komisari Han. Komisari Han ka theksuar se ekziston vetëdije e rritur mes shteteve anëtare të BE-së për domosdoshmërinë e zhbllokimit të integrimeve dhe për këtë qëllim nevojitet formim i qeverisë e përkushtuar në integrimet evropiane.

Loading...