Ivanov: Maqedonia nuk ka çështje territoriale dhe kufitare të hapura

Pas takimit të liderëve të vendeve anëtare të Procesit Brdo-Brioni, i cili këtë vit u zhvillua në Shkup, mikpritësi i kësaj iniciative, presidenti i vendit, Gjorge Ivanov, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që “të mundësojë që paralelisht të zhvillohen bisedimet për anëtarësim dhe tejkalim të ndryshimeve bilaterale midis Maqedonisë dhe Greqisë”.

Ai theksoi se samiti i ardhshëm i BE-së, që do të zhvillohet më 17 maj në Sofje, është rezultat i kërkesave të vendeve të rajoni, por edhe angazhim i BE-së dhe gatishmëri e kryeministrit bullgar me vendosjen e vendeve të rajonit në krye të axhendës gjatë kryesimit të saj të BE-së.

Ai shtoi se ky rajon ndërlidhet nga tre gjëra, edhe atë lidhja ekonomike, ajo e sigurisë, kërcënime si emigrimi ilegal, rrjetet kriminale, luftëtarët e huaj të kthyer, si dhe terroristët, sfida të cilat siç tha ai, duhet të luftohen bashkërisht.

“Presim që BE-ja të mos na japë premtime të zbrazëta, sepse anëtarësimi në BE nuk është ideal i zbrazur i yni. Si rajon kemi detyrë të sigurojmë qeverisje të mirë përmes sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave fundamentale të njeriut dhe lirive”, tha Ivanov.

Presidenti po ashtu theksoi se çështjet kufitare dhe çështjet e identitetit janë të një natyre të ndryshme, ndërsa me këtë paraqiten edhe pasoja të ndryshme.

“Maqedonia nuk ka çështje të hapura territoriale dhe kufitare, prandaj me të drejtë pret fleksibilitet më të madh nga Unioni. Qëllimet kyçe të Maqedonisë janë anëtarësimi në NATO dhe në BE, por gjatë kohës politika e zgjerimit dështoi në rastin me Maqedoninë, jo për shkak të principeve dhe kritereve të BE-së, por për shkak të mos respektimit të atyre principeve dhe kritereve të një vendi anëtar”, deklaroi Ivanov.

Loading...