Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, prej sot po qëndron për vizitë pune në Republikën e Polonisë, me rastin e pjesëmarrjes në Samitin për ndryshime klimatike COP 24, që po mbahet në Katovicë, kumtoi Kabineti i tij.

Presidenti Ivanov do të mbajë fjalim në segmentin e nivelit të lartë të Samitit për ndryshime klimatike – COP 24, në të cilin është paraparë të marrin pjesë tridhjetë shefa e shteteve dhe qeverive nga e mbarë bota.

Është paraparë presidenti Ivanov të mbajë takim dypalësh me presidentin e Republikës së Polonisë, Andzhej Duda.

Republika e Maqedonisë në prill të vitit 2016 në Nju-Jork e ka nënshkruar Marrëveshjen e Parisit për ndryshime klimatike, që ishte miratuar në vitin 2015 në Samitin për ndryshime klimatike COP 21 në Paris, ku mori pjesë presidenti Ivanov. Në Samitin në Paris, Republika e Maqedonisë ka dhënë kontribut në përpjekjet ndërkombëtare për arritjen e marrëveshjes klimatike. Qëllimi i Samitit për ndryshime klimatike COP 24 në Katovicë është që të finalizohet implementimi praktik i Marrëveshjes së Parisit për ndryshime klimatike prej vitit 2015, që është pjesë e Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për ndryshime klimatike. Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Parisit, Republika e Maqedonisë e riafirmoi përkushtimin e saj në përfshirjen drejt përpjekjeve botërore për zbutjen e pasojave nga ndryshimet klimatike, përmes ndërmarrjes së hapave, masave, aktiviteteve konkrete dhe përmbushjen e dispozitave të Marrëveshjes së Parisit për ndryshime klimatike. Marrëveshja e Parisit është marrëveshje e re universale dhe ligjore që duhet të hyjë në fuqi në vitin 2020 dhe e njëjta deri tani është nënshkruar nga 194 shtete dhe të Bashkimit Evropian, thuhet në kumtesën e Kabinetit të presidentit të Maqedonisë.

Në suaza të vizitës punuese në Republikën e Polonisë, presidenti Ivanov do të qëndrojë në Vroclav, ku do të mbajë ligjëratë në Universitetin Vroclav.

Loading...