Ministria e Energjisë e Izraelit ka njoftuar një plan për të eliminuar automjetet me benzinë dhe motorët me naftë nga trafiku në këtë vend të Lindjes së Mesme.

Qëllimi përfundimtar është që të gjitha makinat e pasagjerëve dhe kamionët në Izrael të kalojnë në sisteme alternative të shtytjes, andaj qeveria e atij vendi do të inkurajojë blerjen e automjeteve të furnizuara me gaz natyror dhe energji elektrike.

“Prej vitit 2030, ne do të ndalojmë importin e automjeteve të benzinës dhe naftës në Izrael,” tha ministri i Energjisë, Juval Stajnic.

“Qeveria jonë po financon tashmë ndërtimin e stacioneve të reja të ngarkimit të makinave elektrike, më shumë se 2,000 ngarkues të rinj në të gjithë vendin,” shpjegon ministri Stajnic, duke shtuar se autoritetet izraelite do të ulin taksat për makinat elektrike me pothuajse 0%, kështu që makinat në energji elektrike do të jenë të përballueshme për konsumatorët.

Reduktimi i varësisë së ekonomisë në lëndët djegëse fosile është jashtëzakonisht e rëndësishme për Izraelin, pasi ky vend është një nga të paktët në rajon që nuk ka rezerva të konsiderueshme të naftës.

Edhe pse nuk ka burime të pasura të naftës, Izraeli ka rezerva të konsiderueshme të gazit natyror, të cilat janë zbuluar vitet e fundit në bregdetin e Mesdheut.

Kjo është arsyeja pse qeveria e këtij vendi stimulon konsumin e gazit, i cili përveç që është më i arritshëm, është shumë më pak ndotës i mjedisit sesa benzina apo nafta. Gjithashtu, plani është që të konvertohet fabrika për të prodhuar energji elektrike në gaz natyror. /kp/Telegrafi/

Loading...