Vetëm 3 ditë para se të presë Shqipërinë në Ber Sheva, Izraeli u përball me Skocinë në Haifa, në një sfidë ku triumfoi 2-1 me përmbysje dhe mori 3 pikët e para në kompeticionin e Ligës së Kombeve.

Ky rezultat i shkon mjaft përshtat edhe kombëtares shqiptare, pasi tashmë të 3 skuadrat e grupit kanë zhvilluar nga dy ndeshje dhe kanë nga 3 pikë secila, duke lënë gjithçka të hapur për kualifikimin.

Portugalia mori një tjetër fitore në Grupin 3 të Ligës A, teksa fitoi me rezultatin 2-3 në Varshavë, ndaj Polonisë, ndonëse Cristiano Ronaldo vijon të mbetet jashtë listës së të grumbulluarve të teknikut Fernando Santos.

Piatek shënoi edhe në këtë takim, ashtu si në Serinë A dhe kaloi polakët në avantazh që në fillim të ndeshjes, por Portugalia përmbysi gjithçka, që në pjesën e parë dhe tashmë u ngjit në krye të grupit, me 6 pikë të plota.

Ndeshja e “zjarrtë” e mbrëmjes u zhvillua në stadiumin e Podgoricës, ku Mali i Zi priti Serbinë në atë që mund të cilësohet si një derbi ballkanik. Aleksandar Mitrovic shënoi dy herë për serbët, të cilët morën një fitore 0-2 dhe konsoliduan pozitat në krye të grupit 3, të Ligës C.

Loading...