Rasti i Kumanovës është skenar konspiracioni, i përgatitur nga qeveritë e vendeve në rajon. Ky ishte vlerësimi i ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, në emisionin e “Intervista”.

Ai tha se disa qeveritarë të kriminalizuar kanë tentuar që përmes këtij skenari të ruajnë pushtetin dhe të fitojnë simpatinë ndërkombëtare, duke sakrifikuar ish ushtarët e Ushtrive Çlirimtare në Kosovë dhe Maqedoni. Këto pretendime, sipas tij, nuk i thotë në rastësi, por i bazon në informacione rreth këtij incidenti.

“Mendojmë se ky ka qenë një skenar konspiracioni i qeverive që janë të korruptuara dhe kriminilaziuara në rajon.  Pra ata e kanë bërë, jam thellë i bindur vetëm për të fituar argumente për të mbetur në pushtet, apo edhe për të marrë përkrahje apo simpati të huaj, gjoja në luftë kundër terrorizmit”, tha ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.Ai foli edhe për lidhjet e tij me disa prej pjesëtarëve të grupit të Kumanovës. Ai pranoi se disa prej tyre i ka njohur personalisht, falë bashkëpunimit në luftë dhe në politikë, por nuk ka pasur asnjë lloj komunikimi rreth incidentit të Kumanovës.

“Koleg i yni Xhaferi, e kam njohur Mirsadin, e kam njohur Begun, e kam pas koleg në kohë të luftës, e kam njohur komandat Sokolin, i njoh shumicën e tyre si figura, sepse kanë qenë kolegë në kohë të luftës për liri. Nuk kemi pasur një komunikim intensiv, apo një komunikim rreth zhvillimeve në Maqedoni, fare nuk ka ekzistuar”, ka theksuar Haradinaj.

Duke folur mbi raportet e tij me liderët politik në Maqedoni, Haradinaj zbuloi se tashmë një kohë të gjatë nuk ka kurrfarë komunikimi me liderin e BDI-së Ali Ahmeti, për shkak të veprimeve politike të kreut integrist.

“Me z. Ahmeti nuk kam komunikim, ka një kohë të gjatë, kam qenë disi në një masë i tërhequr nga komunikimi, për arsye të shumta, të shumë proceseve që kanë ndodhur”, thotë Haradinaj.

Ai theksoi se partitë politike shqiptare në Maqedoni harxhojnë shumë energji në luftën mes vete, dhe ju mungon një kod bashkëpunimi përballë politikës maqedonase./Gazeta Express/

Loading...