Është vetëm pak ditë larg një koncerti të madh që do të mbahet në Prishtinë me rastin e 50-vjetorit të karrierës artistike dhe Sabri Fejzullahu është sërish si një këngëtar i ri kur është fjala për emocionet.

Klan Kosova, së bashku me një grup bashkëpunëtorësh dhe këngëtarësh, kanë organizuar gjithçka për Sabri Fejzullahun dhe gjysmëshekullin e tij në muzikë.

I ftuar sot në “Rudina”, së bashku me bashkëshorten, Sabriu ndau me publikun të rejat e fundit nga karriera muzikore, organizimin e mbrëmjes së madhe në kuadër të 50-vjetorit në muzikë, por edhe histori nga jeta private me Nerën, njeriun e zgjedhur të jetës, tashmë prej 32-vjetësh.

Pas më shumë se tri dekadash, Sabriu dhe Nera e kujtojnë të freskët historinë e tyre të fillimit, njëlloj sikur të ishin të rinj, atëherë kur ajo, studente, kalonte korridoreve të universitetit, ndërsa ai, fare rastësisht, ishte aty për të bërë klipin e radhës.

Në atë kohë, Sabriu sapo i kishte dhënë fund martesës së parë dhe kishte vendosur të mos martohej më, por t’u përkushtohej dy fëmijëve dhe muzikës: “Ishte një këngë e imja “Mos mendo se jam i lumtur”. Në ato vite, situata në Kosovë nuk ishte e mirë. Nera ishte në korridoret e Universitit, vazhdonte studimet për Gjuhë dhe Letërsi dhe kishte ardhur për të regjistruar edhe ajo këngën e saj. Isha ndarë dhe kisha vendosur të mos martohesha më, por t’u përkushtohesha fëmijëve, por kur e pashë Nerën, thashë “Oh, Zot”, – tregon Sabriu duke kujtuar të njëjtat emocione.

Nera ishte e talentuar në muzikë, kishte 3-4 këngë të televizionin e Prishtinës, por e la shpejt këtë fushë pasi njohu Sabriun: “Unë ia vrava dashurinë për muzikën” – tregon ai me një lloj pengu, por Nerës nuk i vjen aspak keq për këtë, përkundrazi. Ajo është e lumtur për çdo zgjedhje që ka bërë, edhe për njeriun e jetës. Fatlume dhe krenare, Nera thotë se nëse bota do të kishte më shumë njerëz si Sabriu, do të ishte, pa asnjë dyshim, më e mirë.

Sot, pas 32-vjetësh, gjyshërit e 10 nipave e mbesave kanë shumë për të rrëfyer. Janë prindër të lumtur, gjyshër edhe më të lumtur. Ashtu siç i kanë kaluar të gjitha fazat e jetës, ashtu edhe jeta ua shpërblen në këtë moshë të bukur. Krenarë për pasardhësit, frymëzim për rininë dhe shembull për artistët./Class/

Loading...