James shkatërroi “Raptorsat”

Vështirë të gjesh epitetet më të përshtatshme për LeBron James, që merr përdore Cleveland Cavaliers dhe i afron edhe më shumë me finalen e Konferencës së Lindjes në NBA. “Ylli” i Cavs, një nga më të mirët në historinë e basketbollit amerikan, ishte thjesht i magjishëm në përballjen e dytë të serisë gjysmëfinale ndaj Toronto Raptors, me skuadrën e tij që fitoi 110-128 dhe thellon në 2-0 serinë e përballjeve. “Mbreti” James dhuroi spektakël në “Air Canada Centre”, duke shënua 43 pikë, dhënë 14 asiste dhe kontrolluar 8 topa poshtë koshit. Ai shndërrohet në basketbollistin e vetëm në histori që realizon më shumë se 40 pikë, shoqëruar me 14 asiste, në ndeshet e play off-it.

DeRozan nuk shkoi më shumë se 24 pikë për Raptors, ndërsa Lowry u ndal në 21 pikë.

Vendësit zhvilluan një pjesë të parë të mirë, duke qëndruar gjatë gjithë kohës në kryesim, por nuk mund të bënin asgjë në dy periodat e fundit para LeBron, që u shfaq mbi parket në një nivel jashtë normales. Dy sfida të humbura në “Air Canada Centre” e bëjnë edhe më të vështirë misionin për Raptors, që, përtej cilësive në skuadër, nuk kanë mundur t’i shmangin problemet karakteriale. Tashmë dy përballjet e radhës do të luhen në “Quicken Loans Arena” të Clevelandit, ku edhe falë mbështetjes së publikut vendës, LeBron me shokë do të kenë mundësi reale për ta mbyllur 4-0 serinë e gjysmëfinaleve me Toronton.

Loading...