Histori

“Jeta dhurohet për liri, se liria është më e shenjtë se jeta”, thoshte Jusuf Gërvalla

jusuf-bardhosh-gervalla-kadri-zeka

 Prof. Dr. Nebi Dervishi

 “Flaka e Janarit” – nisi rrugëtimin e saj, me këtë emër simbolik, këtu e 26 vjet më parë, më 17 janar 1992, në Gjilan, në shenjë nderimi dhe përkujtimi të figurave intelektuale e atdhetare të vëllezërve Gërvalla (Jusuf e Bardhosh) e Kadri Zeka, në dhjetë vjetorin e rënies për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, nga dora vrastare e UDB-së. Kjo datë përkon edhe me ditëvdekjen e Heroit tonë Kombëtar, të papërsëritshmit dhe të paarritshmit, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Si i tillë, ky manifestim thellësisht kulturor, i nderoi në vazhdimësi martirët dhe dëshmorët e kombit, përmes vlerave të artit. Për çdo vit është karakterizuar me ndonjë përkujtesë jubilare, gjysmëjubilare e përkujtimore në përvjetorët e rënies së atdhetarëve për idealet kombëtare. Manifestimi ,,Flaka e Janarit” i kanë shënuar në vazhdimësi këto përvjetorë, nisur nga kjo treshe atdhetarësh të lartpërmendur, e pasur pastaj nga një plejadë dëshmorësh të tjerë, si: Rexhep Mala, Reshat Imeri, Nuhi Berisha, Agim Rushiti, etj., por, edhe me figura të mëdha të historisë kombëtare, si Heroi Kombëtar Skenderbe, Isa Boletini, Ismail Qemali, Idriz Seferi, etj.

Për popullin shqiptar, datat e shënuara të historisë nuk kanë qenë dhe nuk janë kurrë ngjarje të thjeshta, të cilave u detyrohet vetëm një lloj respekti konvencional në një ditë të caktuar të kalendarit, për t’i lënë pastaj në gjumin e harresës si ruajtës, vazhdues dhe kurorëzues të thesarit të traditave historike e atdhetare. Populli ynë i lashtë i ka vlerësuar këto tradita, duke i mbajtur të gjalla në shërbim të çështjes së madhe të lirisë e të pavarësisë kombëtare, të mbrojtjes së tërësisë dhe të sovranitetit të tokës së shenjtë të atdheut, si dhe për ndërtimin e jetës së re. Në mënyrë të veçantë, kjo vlen për figurën emblematike e lavdiplote të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, që qëndron si lapidar vigan në njërën nga periudhat më vendimtare të historisë kombëtare, e cila zë një vend të shquar nderi edhe në fletët e historisë botërore.

Në nder të Heroit tonë Skënderbe, më 17 janar 2018 do të përkujtojmë 550 vjetorin e vdekjes së Tij, me mirënjohje të thellë për një epokë të tërë që e mban me të drejtë emrin e tij, si një nga epokat më vendimtare të historisë kombëtare, në të cilën masat popullore shqiptare, si heronj paemër, nën udhëheqjen e Skënderbeut, për vite me radhë (1443-1468) luftuan për mbrojtjen e vatrave atërore, lirinë e pavarësinë e vet, duke i vënë themelet e qëndrueshme të asaj ndërtese që brezat e ardhshëm e çuan në fund, me bashkimin e popullit shqiptar dhe pavarësinë e shtetit kombëtar, më 28 Nëntor 1912.

Me mbarë botën, më 17 janar, në përvjetorin jubilarë të 550 të vdekjes së Skënderbeut, ne do ta përkujtojmë Epokën e tij, si një pjesë e asaj lufte të madhe, në të cilën popujt e Evropës Juglindore, midis tyre në radhë të parë, populli shqiptar, duke luftuar për trojet e lirinë e vet, u bë një ledhë mbrojtëse për të ndaluar vërshimin shkatërrues të agresionit të sulltanëve anadollakë në shekullin XV, agresion që vinte në rrezik fatet e qytetërimit evropian në përgjithësi.

 

Duke nxjerrë mësime nga përvoja e dhjetëra vjetëve beteja e dështime në planin kombëtar. Skënderbeu u bë guri themeltar i tërë veprimtarisë së tij, si burrështeti, strateg e udhëheqës ushtarak, në vitet 1443-1468. Pa kapërcyer pozitat e vjetruara politike të përçarjes së vendit, në një varg zotërimesh që e bëri me ,,Besëlidhjen e Lezhës”, më 2 mars 1444, pa bashkërendimin e veprimeve të brendshme me lëvizjen antiosmane që organizoheshin në planin e jashtëm, lufta nuk do të kishte perspektivën e fitores. Ishte meritë e  madhe e Skënderbeut, që u bë shprehësi dhe zbatuesi më i qartë, më i ndërgjegjshëm dhe më i vendosur i kësaj domosdoshmërie që impononte momenti historik.

Personaliteti i Skënderbeut, si burrështeti, strateg dhe mjeshtër i madh i artit ushtarak, ai dallonte me tiparet e veta karakteristike nga princërit e tjerë feudalë bashkëkohës të Perëndimit. Luftëtar i thjeshtë e dinjitoz midis luftëtarëve, ai luftonte me shpejtësi të jashtëzakonshme në krahasim me ushtritë e rënda feudale. Ai ishte i veshur thjeshtë dhe, si burrështeti ai nuk njihte intriga.

Sa kohë që vërshimi Osman qëndronte si një shpatë e mprehtë mbi Evropën e Mesme dhe Perëndimore, aq kohë edhe figura e Skënderbeut, luftëtar e ngadhënjimtar në më se 24 beteja, në harkun kohor prej një çerek shekulli në shekullin e XV, kundrejt një armiku që e konsideronte veten si të pathyeshëm, kuptohet se vazhdonte të tërhiqte vëmendjen jo vetëm të historianëve e studiuesve, por edhe të ushtarakëve, të burrave të shteteve, si dhe të opinionit publik evropian e botëror.

Me këtë interesim, gjithmonë të gjallë për luftën e popullit shqiptar dhe kryetrimin e heroin, udhëheqësin legjendar të saj, e kishte burimin tërë ajo bibliografi e shumëllojshme e shumëgjuhëshe, kushtuar figurës së Skënderbeut, në të katër anët e botës. Nga përvoja luftarake e shqiptarëve dhe udhëheqësit të tyre, kërkoheshin të nxirrnin mësime për luftën kundër armikqve, që vetëm një Skënderbe me shokë ishte në gjendje t’i gjunjëzonte e t’i thyente sulltanët anadollakë grabitqarë.

Më 17 janar 2018 mbushen plot 550 vjet prej datës së rrëqethshme, kur i mbylli sytë Heroi ynë i pavdekshëm, Skënderbe. Dhe në këto çaste, shqiptarët kudo që ndodhen, në të katër anët e botës e shënojnë, secili në mënyrën e vetë, këtë ngjarje që në vete përmban simbolikën e zisë, por bashkë me të edhe të krenarisë kombëtare. Kujtimi për Heroin kombëtar shqiptar jetoi ndër shekuj, jo vetëm në zemrat e kombit që e lindi, por pati një shtrirje që i kalonte kufijtë e Ballkanit, duke pasur një peshë e rëndësi evropiane e botërore.

Janarët janë të ftohtë, por edhe të bujshëm për shqiptarët, që nga epoka e lavdishme e të Madhit Skënderbe. Në kohën më të re, më 17 janar 1982, është dita kur u vranë vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, është një datë tragjike në historinë më të re të shqiptarëve. Ishte ky një brez i ri, që kishte dalë në skenën e historisë me mesazhin e flijimit, si ,,përjetimi më i bukur”. Martirët e Janarëve, si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Isa Boletini, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Zahir Pajaziti, Adem Jashari, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Mujdin Aliu, si dhe shumë të rënë të tjerë, e flijuan jetën për t’i bërë ballë pushtimit dhe për një ardhmëri pa pranga e të lirë.

Muaji Janar i vitit 2018, na përkujton Janarin e ftohtë të 36 viteve më parë, e përkujton rënien heroike të martirëve të popullit shqiptar. Ky përkujtim lidhet me respekt të veçantë për këto figura eminente të kombit, të cilët kishin një dhe të vetmin qëllim: Lirinë dhe bashkimin e kombit shqiptar.

17 Janari i vitit 1982, dita kur ranë dëshmorë vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, është një datë e dhimbshme dhe e trishtueshme në historinë e shqiptarëve. Edhe pse po mbushen plotë 36  vjet, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj, jo vetëm për familjet, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht me ta. Fjala është për pjesëtarët e brezit që i vuri kazmën në themele Jugosllavisë së Titos, vetëm me një synim: çlirimin e Kosovës dhe të trevave të tjera lindore shqiptare në këtë shtet tanimë të perënduar. Nëse ju rastis ta vizitoni ndonjërin pjesëtar të këtij brezi, do të shihni se nëpër banesa ende i mbajnë portretet e martirëve që i vrau UDB-ja në Untergruppenbach të Gjermanisë. Ato portrete prej kohës kanë statusin e ikonave. Ky brez i sakrificave, ende pyet dhe pyet: Pse edhe pas 36 vjetësh ky krim i shtetit serb, i kryer në mes të Evropës, ka mbetur i pandriçuar?!

flaka

Për pritën dhe dorën vrastare të tradhtisë, tash e tridhjetë e gjashtë vjet është folur e shkruar, që në këto rrjedha historike sa shtohen edhe më shumë dilemat për disa nga ata që ndër vite kanë qenë shpeshherë, afër dhe mysafirë në konakun dhe bashkudhëtarë të tre burrave të Kosovës martire, në Gjermani. Mirëpo, këto dilema mbetën në heshtjen e sirtarëve të historisë sonë të dhimbshme kombëtare. Tani, koha po troket në ndërgjegjen tonë, dhe sikur dheu i tokës në Atdhe po kërkon që dora e tradhtisë të dalë para gjyqit të kombit, të thuhet e vërteta, se kush ishin ato zuzarë e tradhtarë në pritën për vrasjen e Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës!?

Në këtë 36 vjetor, sot kujtojmë ngjarjen tragjike kur u vranë tre atdhetarë shqiptarë, tri viktima prometeike, tre djem të Kosovës, tre dëshmorë të kombit shqiptar. Të tre këta lisa e patën kryer shkollimin universitar dhe ranë për të dëshmuar një kualitet tjetër që i kalon të gjitha kualifikimet shkollore – vdekjen heroike për të hyrë në altarin e pavdekësisë për komb dhe atdhe, se kështu ata e jetësuan me gjakun e tyre atë thënien e njohur të At Gjergj Fishtës tonë të madh: ,,Kush ban dekën për atdhe, ai s’ka dekun, por ka le”. Autori ynë dhe ata që erdhën pas tij, e dinin se ideali ynë i synuar që nga rilindësit tanë, do të mund të realizohet po qe se, duke i përkujtuar personalitet historike dhe dëshmorët e kombit, u themi të gjallëve në ditët tona: ,,Zgjohuni, bëhuni vigjilentë, hapni sytë që nga rrethi i ngushtë familjar e gjer te ai kombëtar e tutje, në vazhdim e nëpër brezni, gjersa të pushtohet e të pasurohet e bukura liri dhe pavarësi!”.

Vepra e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, Rexhep Malës, Nuhi Berishës dhe plejadave të shumta të atdhetarëve që do të jetojnë përgjithmonë, përjetësisht sa do të jetojë populli shqiptar.

Veprat e tyre do të jetojnë, sepse martirët për asnjë çast nuk jetuan vetëm për vete, por jetuan dhe punuan për ardhmërinë e mirëfilltë të kombit shqiptar. Vetvetiu kuptohet se, njerëzit e tillë i ngjajnë lumit të pashtershëm, i cili nuk e pinë ujin e vet; u ngjajnë pemëve të frytshme, të cilat nuk i hanë frytet e veta; u ngjajnë luleve, të cilat nuk e thithin nektarin dhe aromën e vetë dhe, nga kjo del se çdo gjë e madhe është në dobi të të tjerëve. Të mëdhenj ishin të gjithë ata që nuk e kursyen jetën e vetë për çështjen e shenjtë kombëtare.

Lulet e gjakut tonë jetojnë në ne, ata kanë siguruar pavdekësinë. Nuk është thjeshtësi të jetosh pas vdekjes. Për këtë duhet flijuar jetë. E jeta dhurohet për liri, se ,,liria është më e shenjtë se jeta”, thoshte Jusuf Gërvalla. Gjaku i tyre është bazament i fuqishëm mbi të cilin do të ngrihet Shqipëria e natyrshme, sepse këto martirë e dëshmorë janë ngritur lapidarë në çdo zemër shqiptare.

Edhe në këtë rast, nuk mund ta tejkalojmë realitetin e ditëve tona. Duke u nisur nga përvoja e aspekteve që dalin nga Epoka e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, asnjëherë më shumë se sot nuk është paraqitur nevoja për një pajtim të botës shqiptare, që keqas është e ndarë dhe e përçarë. Është imperativ i kohës që sa më parë të arrihet një pajtim i krerëve shqiptarë në të gjitha trojet etnike, ashtu siç ka bërë Kryetrimi Skënderbe në shek. XV, sepse amaneti i martirëve ishte: Vëllezër – Flamurin e Lirisë çoni lartë e më lartë! Ata ranë për të mos vdekur kurrë! Populli që ka në themel lirie gjakun e heronjve kombëtarë, si: Jusufin, Kadriun, Bardhoshin, Rexhepin, Nuhiun, etj., ky popull ka ardhmëri të sigurt në liri. Por, njëherësh edhe ai popull që i rikujton me respekt bijtë e vetë të rënë për lirinë e kombit, atë popull nuk ka fuqi që mund ta frenojë në jetësimin e lirisë së vet.

Kushtrimi i të gjithë dëshmorëve e martirëve ishte: Gjithmonë të bashkuar rreth flamurit për liri e bashkim kombëtar. Neve sot na mbetet të punojmë pa u ndalur në jetësimin e amanetit të Jusufit, Kadriut, Bardhoshit, N. Hanit e të tjerëve. Sot, më shumë se kurrë duhet jetësuar uniteti kombëtar, se vetëm të bashkuar e të pathyeshëm mundemi të mbijetojmë katrahurën e zhbërjes kombëtare nga egërsira serbosllave që po zgjat mase një shekull. Pra, të bashkuar rreth Amanetit të këtyre Heronjve, pjesërisht është fituar liria dhe do të bëhet bashkimi kombëtar e shpirtëror në Evropën e Bashkuar.

Strugë, 15 janar 2018

gervalla

 

 

 

To Top