SHKRUAN: PROF.DR. MEHDI HYSENI

Shqiptarët (vëllezërit dhe motrat tona, nipërit dhe mbesat tona, si dhe prindërit tanë) në Maqedoni, askush nuk ka kurrfarë të drejte t’i ofendojë, duke i quajtur “plehra” për shkak se ata e flasin turqishten, arabishten, serbishten apo greqishten etj.

Nuk mund të jesh intelektual i mirëfilltë, i emancipuar, i drejtë, racional, human, altruist, patriot, kozmopolit, evropian dhe amerikan i qytetëruar dhe demokrat nëse shqiptarët i quan “plehra” si Fahri Xharra dhe si Vojislav Sheshel, i cili shqiptarët i quajti “bastardë”, pasi futbollistët me famë evropiane, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, e mundën Serbinë me rezultat 2: 1 në Kampionatin Botëror të Futbollit 2018 në Kaliningrad të Rusisë, më 22 qershor 2018, të cilët më pas këtë fitore e festuan me gëzim, si shqiptarë të vërtetë, duke e gjestikuluar me dorë shqiponjën dykrenore-simbolin gjithëkombëtar shqiptar të Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit. U lumtë këtyre djelmoshave, këta janë vlera shqiptare, evropiane dhe krenaria e KOMBIT SHQIPTAR! Ne mburremi me këto vlera tona të mirëfillta. Fitoret dhe sukseset e Xhardanit dhe të Granitit i gëzojnë pa masë shqiptarët kudo që të ndodhën në planetin tonë. “FAHRI XHARRA: “Myslimanët e Maqedonisë janë më shumë turq se shqiptarë. Gjuhën shqipe e kanë kaluar në gjuhën e tretë pas sllavishtes dhe turqishtes. Çuditërisht nuk flasin shqip me njëri-tjetrin, por turqisht! KUJT I DUHEN KËTA PLEHËRA?!”. Mesazhi i këtij ofendimi ka karakter sektarist, racist, antikombëtar, antihuman, anticivilizues dhe antievropian në tërësi.

Të zhvillojnë bashkëpunim ndërkombëtar

Prandaj, këtë ofendim, këtë përçmim, këtë poshtërim, këtë përbuzje dhe këtë paragjykim patologjik nuk duhet pranuar asnjë shqiptar, sepse shqiptarët në asnjë pëllëmbë të tokave të Shqipërisë Etnike në Ballkan nuk janë plehra, por vetëm shqiptarë të Skënderbeut dhe të Isamil Qemalit, të cilët me shekuj kanë ruajtur gjuhën shqipe, e gjuha shqipe dhe kultura ruajti kombin dhe atdheun shqiptar. Vetëm ndonjë njeri i sëmurë apo armik me dëmkë i quan “plehra” shqiptarët! Jo vetëm shqiptarët në Maqedoni, por të gjithë shqiptarët (myslimanë, katolikë dhe ortodoksë) kanë të drejtë të flasin dhe t’i lutën Zotit në cilëndo gjuhë botërore dëshirojnë ata. Kjo e drejtë dhe liri e zgjedhjes së përdorimit të gjuhës dhe e praktikimit të fesë, para së gjithash është e rregulluar me Kartën e Kombeve të Bashkuara (Preambula) si dhe me Nenin 1, Pika 3, ku thuhet të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, duhet “të zhvillojnë bashkëpunim ndërkombëtar duke zgjidhur problemet ndërkombëtare të karakterit ekonomik, shoqëror, kulturor, humanitar, duke nxitur dhe përkrahur respektimin e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore për të gjithë pa dallim race, seksi, gjuhe ose feje.” (Karta, 1987: 11- 12).

Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, më 10 dhjetor 1948

Pas miratimit të Kartës së Kombeve të Bashkuara (1945), e cila shprehimisht përcakton detyrimin ligjor të shteteve, që të veprojnë për zhvillimin, për stimulimin, për mbrojtjen dhe për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë “pa dallim feje, race, seksi dhe gjuhe”… etj. Kjo deklaratë është një nga aktet më të rëndësishme juridike ndërkombëtare për rregullimin, për mbrojtjen dhe për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut “pa dallim race, gjuhe, nacionaliteti, feje, kulture, ngjyre” etj. Ky është simboli më i lartë i të arrirave në fushën standardizimit dhe të promovimit të drejtave dhe lirive të njeriut si vlera universale në dimensione të përbotshme. Prandaj, SHQIPTARËT (VËLLEZËRIT DHE MOTRAT TONA, NIPËRIT DHE MBESAT TONA, SI DHE PRINDËRIT TANË) në Maqedoni, askush nuk ka kurrfarë të drejte t’i ofendojë, duke i quajtur “plehra” për shkak se ata e flasin turqishten, arabishten, serbishten apo greqishten etj. Kjo, ekskluzivisht është e drejtë e tyre, të cilën askush nuk ka të drejtë ligjore e as morale t’ua ndalojë në përdorimin dhe në komunikimin e tyre të përditshëm, sepse kjo e drejtë dhe liri e përdorimit të gjuhëve dhe të feve të ndryshme, është e rregulluar me një numër të madh konventash, marrëveshjesh, rezolutash, protokollesh dhe deklaratash ndërkombëtare, të miratuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Në këtë temë të imponuar ka për t’u thënë dhe për t’u shkruar shumë, por unë po e mbyll me kaq kësaj here, duke shpresuar se shqiptarët ende nuk janë vdekur, që të mos reagojnë ndaj dukurive dhe fenomeneve të këtilla negative, antihumane, antinjerëzore dhe antikombëtare, sepse sot nuk jetojmë në kohën e barbarisë, por në shekullin XXI, ku të drejtat e njeriut dhe liritë elementare të tij janë vlera të pacenueshme universale të mbrojtura me ligjet ndërkombëtare dhe evropiane.

Loading...