Ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski dje në Uashington realizoi takime në Senat dhe në Pentagon me Senatorin, Roxher Viker dhe me zëvendësndihmësen e sekretarit për Mbrojtje, Laura Gros, kumtoi sot Ministria e Mbrojtjes.

Në takimet ministri Jolevski ka theksuar se integrimi i Republikës së Maqedonisë në NATO, do të thotë rajon më i sigurt, Evropë më e sigurt dhe Aleancë më e fuqishme.

Sipas Jolevskit, bota është duke u ballafaquar me një kanosje globale dhe mu për këtë nevojitet strategji. Në këtë kontekst ka potencuar për nevojën e mbajtjes dhe sigurimit të stabilitetit në Ballkan dhe më gjerë.

“Prandaj duhet që sa më parë Maqedonia dhe Mali i Zi të marrin ftesë për në NATO, ndërsa Bosnjë e Hercegovina të fillojë me procesin MAP. Tani më se e nevojshme është bashkërisht të veprohet në pikëpamje të sigurisë të qytetarëve”, ka theksuar ministri Jolevski.

Ministri Jolevski në takime ka theksuar se Maqedonia në mënyrë intensive është duke punuar në reformat, të cilat janë benefit për qytetarët por njëherësh edhe reforma të cilat kontribuojnë për anëtarësim në NATO. Është përqendruar edhe në krizën e emigrantëve në Evropë, ku Maqedonia është pjesë e trasesë së këtyre personave.

Nga ana e senatorit Viker dhe zëvendësndihmësit të sekretarit të Mbrojtjes Gros, siç qëndron në kumtesë, është shprehur falënderim për kontributin e Maqedonisë në misionet e NATO-s për mbështetjen e paqes dhe sigurisë. Ata, nënvizohet në kumtesë, janë pajtuar me konstatimin e ministrit Jolevski për nevojën e integrimit të Maqedonisë dhe të rajonit në aleancën e NATO-s. Gros i ka përshëndetur planet e Republikës së Maqedonisë për modernizimin e Armatës.

Në takimin me senatorin Viker, ka qenë edhe ish-kryetari i Asamblesë së Përgjithshme të KB-së dhe kandidat aktual për Sekretar të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Sërgjan Kerim, i cili ka shtuar se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO mbështetet nga të gjitha partitë dhe nga qytetarët e Republikës së Maqedonisë.

Gjatë ditës ministri Jolevski do të ketë takime me më shumë senatorë dhe kongresistë. Sonte, qëndron në kumtesë, në teatrin Grinberg do të mbahet koncert i kitaristit të njohur nga Maqedonia, Vllatko Stefanovski, i cili mbahet në organizim të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa titullohet “Falënderimi i Maqedonisë ndaj qytetarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”

Loading...