Beograd, 8 nëntor – Kryetari i Partisë Liberal-Demokratike, Çedomir Jovanoviq tha sot se vendimi i Sinodit të Kishës Ortodokse Serbe (SPC) në asnjë mënyrë nuk duhet të ndikojë në negociatat midis Beogradit e Prishtinës dhe nuk duhet të lejohet që SPC-ja të caktojë “Vijat e kuqe”, e citojnë mediat e Beogradit.

“Nëse Kisha tashmë ka vendosur të ndodhë ngrirja në hapësirë e kohë, nuk e ka të drejtën të kërkojë diçka të tillë edhe nga qytetarët në këtë vend, e as që kemi kohë të humbim në konfliktin e pakuptimtë me shqiptarët e Kosovës, që ka rrënuar këtë vend”, ka theksuar Jovanoviq në një deklaratë me shkrim.

Ai ka shtuar se Serbia nuk ka potencial as ekonomik, as njerëzor për të ndjekur “imagjinatën e atyre në SPC” dhe se Kisha tash tri dekada mbështet atë që është e dëmshme për popullin.

“Nuk na duhen klerikë që bekojnë dofarë njësish të reja paramilitare, meqë një luftë e re shihet qartë si alternativë e kompromisit me shqiptarët”, është shprehur Jovanoviq.

Ai ka shtuar se pushteti duhet të pozicionohet qartë ndaj ithtarëve të ideve serbomëdha që shfaqen sa herë që flitet për Kosovën, Bosnjë e Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Loading...